Vërshime në rrugën Gradsko – Prilep

Rreshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumit Raeçka, me çka është ndërprerë tërësisht komunikacioni në rrugën rajonale Gradsko – Prilep për shkak të vërshimeve, njoftoi më 17 qershor Qendra për Menaxhim me Kriza, transmeton Portalb.mk.

Shiu shkaktoi dalje nga shtrati të lumit Raeçka në vendin ku po ndërtohen dy tunele të reja dhe e kanë bërë rrugën të pakalueshme. Ky lokacion vërshohet vazhdimisht kur ka reshje më të rrëmbyeshme.

Nga Lidhja Automoto (LAMM), paraprakisht njoftuan se në udhëkryqin te “Motel Drenovo”, në rrugë ka sasi më të madhe të ujit, ndërsa në Pletvar para tuneleve ka pasur rëshqitje të dheut dhe të gurëve nga karpat.

Nga QMK thonë se, po ndërmerren masa për pastrim dhe në terren ndodhen ekipe nga Stacioni policor Gradsko dhe një ekip me mekanizma po punon në largimin e ujit dhe pastrimin e rrugës.