Vendosja e drejtësisë ashtu siç e duan të fuqishmit

Në shkurt të vitit 1948 Xhorxh Dimitrovi dhe Edvard Kardeli si dy komunistë të vjetër u takuan në Kremlin me Stalinin. Këshillat e marra nga sovjetikët nuk sollën asgjë të mirë për popujt. As drejtësi dhe as liri. Terror dhe humbje njerëzore pësuan popujt e Evropës. Bota në atë kohë e ndarë nga vendosja e “Perdes së hekurtë” nuk jepte shpresa se në shtetet e Evropës Lindore mallkimi do të largohej shpejt, dhe regjimet komuniste të mbështetura nga BRSS-ja do të shpërbëheshin. Stalini i kishte eliminuar të gjithë kundërshtarët, një fushatë e filluar qysh me “Pastrimin e Madh’ të vitit 1936-38. Kurse në RSFJ dhe në Ballkanin Jugor ishin forcuar tej mase partitë komunsite si PPSH-ja e Shqipërisë, PKJ-ja jugosllave, ajo bullgare dhe shumë parti tjera që ishin pjesë e ideologjisë sovjetike.

Fundi i LDB-së, përveç ndarjes së botës solli shumë të këqija për popujt që dikur kishin një formë demokratike të qeverisjes. Katër dekada pas fjalimit të Uinston Çërçillit në shtetin Mizuri të SHBA-së, Luftës së Ftohtë i shihej fundi me ndryshime radikale në vendet që u qeverisën nga partitë dhe udhëheqësit që luftonin llojin e vet, mendimin e lirë dhe individin. Ndërrimet socio-politike ishin të lehta në Evropën Qendrore, kurse në Ballkanin Perëndimor, në shtetet post- socialiste e tash semi-demokratike njerëzit vazhdojnë të jetojnë me pasojat e trashëgimisë së keqe që e mbollën sovjetikët në shtetet e Ballkanit.

Në plan të vogël, shtetet post- komuniste e në veçanti ato të Ballkanit Perëndimor që nga fillim viti 1990 kanë treguar nivele të ulta të qeverisjes së mirë, mungesë të drejtësisë dhe aspak respekt ndaj të drejtave të njeriut. Gjendja burimin e ka në konceptet e vjetra të qeverisjes së shek. të 20-të, “Perdes së hekurtë” dhe sigurisht të veprimeve të ish- zyrtarëve që lanë pas vetes trashëgimtarë në zyra dhe në institucione që nuk respektojnë asgjë dhe shkelin mbi vullnetin e shumicës. Historikisht përkufizimi i drejtësisë është parë si “trajtimi i mirë i miqve dhe i keq i armiqve”. Për Platonin (428- 347) P. e.s., ky përshkrim ishte i papërshtatshëm, sepse sipas tij bazohej “në një besim të gabuar”. Kurse në “Kontratën Sociale” të Zhan Zhak Rusosë (1712-1780), “shoqëria mund të krijohej në mënyrë legjitime për të ruajtur një mjedis në të cilin njerëzit mund të realizojnë lirinë pa u korruptuar”. Ruso mendonte se “në mënyrë efektive vendosja e kritereve që aktualizojnë lirinë, sigurojnë gjithashtu drejtësinë dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve”.

Të kthehemi në Ballkanin Perëndimor, ku dëshirë e të gjithëve është zhdukja e koncepteve të vjetra të qeverisjes dhe të drejtësisë së keqe që e sollën në rajon ideologë të shek. të 20-të. Sot me rëndësi është që të çrrënjosen idetë që e dëmtojnë zbatimin e së drejtës. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Politikanë të së kaluarës të prekur nga sëmundja e shek. të 20-të (komunizmi stalinist) shprehin fjalë të mëdha për përparimin e bërë gjatë tre dekadave, ndërsa vështirësitë për drejtësi po bëhen nga vetë strukturat që ato i mbështesin në politikë dhe në sistemin e drejtësisë. Përkundër premtimeve, shumë çështje mbeten në vend. Çdoherë do të kemi drejtues që promovojnë ide dhe koncepte që e dëmtojnë njeriun dhe shoqërinë- ashtu njëjtë siç ndodhi me fatin e popujve gjatë ndarjes së botës në shek. e 20-të.

Që të mos përsëriten tragjedi të njëjta, duhet të veprohet tani para se të bëhet anëtarësimi në BE duke i kundështuar të gjithë ata që nuk dëshirojnë drejtësi dhe liri për individin. Gjithashtu, në plan të madh ajo që duhet të shohim tani e tutje është mundësia reale e rivendosjes së një “perde të re” ideologjike në botë nga Fuqitë e Mëdha duke e bërë drejtësinë dhe lirinë ashtu siç e duan vetë të fuqishmit, dhe duke i lënë të vegjëlit të “zihen” në tenxhere.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.