Nëntë persona të vrarë përfshirë sulmuesin gjatë të shtënave në qendër tregtare në Teksas
Një person i armatosur vrau tetë persona dhe plagosi shtatë të tjerë – tre në gjendje kritike – gjatë të shtënave në një qendër tregtare në Allen, Teksas përpara se të qëllohej për vdekje nga një oficer policie që ndodhej aty pranë, thanë autoritetet.
Videoja e Dashcam-it që qarkulloi në internet tregonte një person të armatosur që dilte nga një automjet jashtë qendrës tregtare dhe filloi menjëherë të qëllonte mbi njerëzit në trotuar.
Qindra persona janë evakuuar nga qendra tregtare në zonën Allen, transmeton REL.
Dëshmitarët kanë thënë se burri ka shtënë me armë zjarri, teksa ka qenë duke ecur.
Në mesin e viktimave besohet se ka fëmijë.
Të paktën shtatë persona janë duke u trajtuar në spital, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Shefi i zjarrfikësve në qytetin Allen, Jonathan Boyd, ka thënë se shtatë persona – përfshirë sulmuesin – kanë vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë në spital.
Një zyrtar policor “i ka dëgjuar të shtënat, i është afruar zhurmës, e ka shënjestruar të dyshuarin, dhe e ka neutralizuar atë “, ka thënë shefi policor për rajonin Allen, Brian Harvey.
Autoritetet shëndetësore kanë thënë se mosha e viktimave është nga pesë deri në 51 vjeç.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, e ka përshkruar sulmin si “tragjedi të papërshkrueshme”, dhe ka thënë se shteti është i gatshëm t’iu ofrojë çfarëdo ndihme autoriteteve lokale.
Policia amerikane i ka kërkuar secilit, që ka pamje të vendit të sulmit, që ta kontaktojë Byronë Federale të Hetimeve (FBI), pasi ata mbledhin të dhëna.
Allen është zonë me 105.000 banorë dhe është 32 kilometra larg qendrës së Dallasit.
Shumica e 21-vjeçarëve në Teksas mund të bartin armë, pa leje, përveç nëse në të kaluarën kanë qenë të dënuar.
Disa kufizime ekzistojnë vetëm për posedim të pushkëve.
Sipas Arkivit të Dhunës me Armë, vetëm këtë vit, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar të paktën 198 sulme me të shtëna masive.
Këto shifrat janë më të lartat, për këtë pjesë të vitit, prej vitit 2016.