RMV, me softuerin e KShPK-së në fazë eksperimentale dhe pa ligj, pasuria e funksionarëve mbetet e pakontrolluar

Softueri i KShPK-së që do të kontrollojë nëse zyrtarët nuk kanë deklaruar një pronë të caktuar që e posedojnë, është ende në fazë eksperimetale dhe nuk dihet sa do të zgjasë kjo periudhë deri në funksionalizimin e tij të plotë. E, deri në atë rast, funksionarët shtetërorë do të mund t’i bishtnojnë deklarimit të gjendjes pronësore, shkruan Portalb.mk.

Antikorrupsioni, softuerin me të cilin duhet të lidhen të gjitha institucionet, e ka marrë në muajin mars. Megjithatë përmes tij nuk mund të tregohet nëse kanë pasur pasuri të fshehur, përkatësisht deri në funksionalizimin e tij të plotë, ata mund të marrin masa, që do t’i nxjerrin të pastër para ligjit.

“Softueri aktualisht është ende në përdorim eksperimental, që të shihen dobësite eventuale, pasi sipas Ligjit për parandalimin e korrupsionit, dy aktet, lista anketuese dhe deklarata e interesave, janë bashkuar në një,  për dallim prej më herët si dy obligime ndaras të personave zyrtar. Krejt kjo ka të bëjë me paraqitjen e gjendjes pronësore dhe të interesave gjatë zgjedhjes ose shkarkimit nga funksioni”, thonë për Portalb.mk nga Komisioni për Antikorrupsion.

Softueri në fjalë, pritej të arrinte në fund të vitit 2020 dhe po atë vit të vihej në funksion, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Softueri i ri duhet të dhënat automatikisht, por ende verifikimi nuk mund të bëhet krejtësisht në formë digjitale, shtojnë nga Antikorrupsioni. Lidhur me atë se kur do të vihet në funksion, nga ky institucion thonë se për shkak të problemeve që paraqiten vazhdimisht, nuk dihet se kur do të hyjë plotësisht në punë.
“Për momentin nuk dihet sa do të zgjasë, sepse paraqiten probleme gjatë funksionimit dhe sinkronizimit të të dhënave të formularit digjital të KSHPK-së dhe formularëve ose dokumenteve për gjendjen pronësore dhe interesave qe krijohen nga institucionet tjera”, shtojnë nga Antikorrupsioni.
Biljana Ivanovska dhe Nuri Bajrami, anëtarë të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit
Biljana Ivanovska dhe Nuri Bajrami, anëtarë të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit

Ndryshe, zyrtarët që nuk e paraqesin pasurinë në Komisionin Kundër Korrupsionit gjobiten vetëm me gjobë. Qeveria ka disa vite që njofton se do të miratohet Ligji për origjinën e pasurisë, me të cilin zyrtarët do të duhet të shpjegojnë pasurinë e fituar në mënyrë disproporcionale dhe nëse nuk e bëjnë këtë, do të konfiskohen, por propozimi është ende vetëm në version pune.

Antikorrupsioni, i destinuar për të luftuar korrupsionin çdo ditë has në vështirësi të shumta për evidentimin e pronës së personave zyrtar, të zgjedhurve, të emëruarve dhe të punësuarëve në sektorin publik.

Pasi ka funksionarë që nuk e paraqesin pronën e saktë, evidentimi është i vështirë. Duhet të ketë mekanizëm për të detektuar kur dyshohet për rritje enorme ose rritje mbi nivelin e të ardhurave të ndonjë zyrtari dhe krijon dyshime për punën e përditshme, ku më pas duhet të vijojë edhe hapja e procedurës për verifikim.

Kujtojmë se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, për nevojat e veprimit kompetent të saj, nga Drejtoria e të Ardhurave Publike do të marrë të dhëna në formë elektronike, duke përdorur shërbimet e internetit përmes Platformës Kombëtare të Interoperabilitetit, në përputhje me rregulloret nga fusha e menaxhimit elektronik dhe shërbimeve elektronike, si dhe nëpërmjet shërbimeve të tjera të internetit.

Ky bashkëpunim është mundësuar me marrëveshjen për shkëmbimin e të dhënave dhe bashkëpunimin e lidhur më 28.11.2022, ndërmjet Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, përfaqësuar nga kryetarja Biljana Ivanovska, dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, përfaqësuar nga drejtoresha Sanja Llukarevska.

Sanja Llukarevska, foto nga Facebook-u zyrtar
Sanja Llukarevska, foto nga Facebook-u zyrtar

 

Shkarkimi elektronik i të dhënave nga Drejtoria e të Ardhurave Publike do të jetë pjesë e zgjidhjes së re softuerike të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Me nënshkrimin e marrëveshjes, Komisionit Shtetëror  i është mundësuar që të marrë të dhënat e nevojshme që disponon Drejtoria e të Ardhurave Publike në formë elektronike, pa dërguar kërkesa me shkrim, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në zbatimin e kompetencave të tij ligjore, veçanërisht në pjesën e evidentimit dhe monitorimit të gjendjes pasurore dhe interesave.

Në drejtim të luftimit të korrupsionit duhet të jetë dhe Ligji për Prejardhjen e Pronës. Funksionarët do të vazhdojnë të kenë hapësirë më të madhe për ta fshehur pasurinë edhe për një periudhë të pacaktuar, pasi i njëjti, nuk ka kaluar as në Qeveri dhe ende ndodhet në fazën e finalizimit të zgjidhjeve nga propozim-versioni i fundit. Para mbi një viti , përkatësisht në nëntor të vitit 2021 u tha se propozimi i këtij ligji ishte dërguar në Komisionin e Venedikut, pas çka, po atë muaj, do të duhej të shqyrtohej nga ekspertët vendas. Kjo procedurë në fakt, ende nuk ka përfunduar as sot e kësaj dite dhe madje pas kësaj, përsëri duhet të dërgohet në Komisionin e Venedikut, ku u dërgua edhe në fund të vitit 2021.

Ndërkohë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, të cilin e përpilon çdo vit organizata Transparency International, këtë vit, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 85-të, nga 180 vende sa janë në listë, një pozitë më lart në krahasim me vitin e kaluar.

Edhe pse ka qenë pjesë e programeve partiake të të gjitha partive politike, korrupsioni në Maqedoninë e Veriut sipas të gjitha indikacioneve vazhdon të “lulëzojë”. Se korrupsioni nuk është luftuar mjaftueshëm edhe nga kjo Qeveri edhe përkundër zotimeve të shumta, këtë e konfirmoi edhe raporti i fundit i Transparency International.

Kur bëhet fjalë për besimin tek institucionet, në vitin 2022 qytetarët i besuan më së shumti Armatës. Nga ana tjetër, gjyqësori mbeti në fund, konstatoi hulumtimi i “Eurometer” për vitin 2022, i cili u prezantua nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink. Edhe në vitin 2022 më së paku besim nga qytetarët ka gjyqësori, vetëm 6 përqind, ndërsa këtu është edhe prokuroria me 7 përqind.