VALIXHET E LEHTA

Nisem në udhëtim me valixhe të lehta. Janë të mbushura me ëndrra, kujtime, dashuri, dhembje dhe trishtime. Janë për çdo stinë. Nuk hekurosen. Nuk dalin nga moda…

Në valixhet e lehta hyn pa u diktuar edhe brenga për vendin tim, për njerëzit e mi dhe s’më lë rehat ngado që të shkoj…

Si ta harroj të kaluarën dhe të endem i lirë pa u rënduar nga çfarëdo lloj përgjegjësie?

Na mësuan që si fëmijë se s’duhej t’i harronin disa gjëra edhe nëse na bëheshin barrë e padurueshme në qenie.

Na thanë se ishim tepër të vegjël për të harruar, se mund të mbijetonim vetëm duke bartur një barrë të madhe në valixhet që duken të lehta, më të lehta se ajri, më të lehta se fryma, më të rënda se jeta, më të rënda se çdo peshë tjetër prej metali a minerali, më të rënda se malet.

Nisem pa zbardhur agu, kur ende shihen gjurmët e zbehta të natës dhe yjet që e humbin shkëlqimin.

Presin në pistë avionët. Presin në stacione autobusët ose trenat. Na çojnë në vende të reja, që kurrë s’i kemi parë dhe vetëm mund të kemi ëndërruar se një ditë do t’i vizitonim.

Në kësi vendesh do të doja të çlirohesha nga përgjegjësitë ndaj racës, nga kodet e padukshme të katragjyshërve të paemër, që gjithashtu hyjnë pa u diktuar në valixhet e lehta.

Përse doganierët s’i konfiskojnë këto valixhe? Kanë shumë gjëra të trishtuara. Kanë shumë gjëra të rrezikshme. Kanë shumë ëndrra dhe dhimbje. Përse doganierët si konfiskojnë këto valixhe?

Pa këto valixhe do të isha i lehtë. Krejt i lirë do të fluturoja sipër një bote si prej ëndrre, pa asnjë kujtim të trishtë, pa asnjë brengë, pa asnjë adresë, krejt i lirë, shpërfillës ndaj kodeve të lashta, krejt i lirë si një këngëtar apatrid që s’mendon për territore dhe mendon vetëm si ta jetojë çastin…

Si t’i flak këto valixhe kaq të lehta që ma rëndojnë qenien…

A mund të flaken?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.