URIME PËR 2024

Para 87 vitesh të plota, poeti i mjerimit, Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, shkroi urimin kushtuar një shoku, të cilit, që në fjalinë e parë, ia bëri me dije se: nuk kishte shkruar kurrë urime për asnjë festë të vetme, sepse urimet që bën bota në ditë festash nuk plotësohen as një përqind, sepse pothuaj të gjitha dalin nga hipokrizia. Megjithatë, ai uroi shokun: të ketë gjum të ëmbël, që të mos dëgjojë dëshpërimin e të mundurve dhe britmat e ngadhnjyesve në këtë jetë; të mos dëgjojë se afër tij gërset nga të ftohtit dhëmballa për dhëmballë; të jetë i gëzuar se gëzimi i tij u jep shpresa edhe të tjerëve… E nëse s’ke zjarr dhe ke të ftohtë në shtëpi, ti qeshu; nëse ndonjë ditë të mungon buka, ti merre për shaka, dhe qeshu, qeshu. Dil në rrugë dhe qeshu, që bota të ta ketë zili lumturinë. Kështu do të përhapet gjithandej sëmundja e të qeshurit dhe njerëzit do të hidhen si majmunat përpjetë nga gëzimi…

Ky ishte urimi i Uraganit të ndërprerë drejtuar shqiptarëve në vitin 1937, që më bëri të mendojë çfarë urime t’u bëjmë miqve tanë në vigjilje të festës së vitit të ri 2024, të cilët sot nuk vuajnë nga uria, nga i ftohti e nga mjerimi i kohës së Migjenit, por nga vetmia që ua gërryen shpirtin dhe malli zhuritës për më të dashurit, që kanë shtegtuar pakthyeshëm gjithandej botës, duke lënë pas (pa fajin e tyre) prindërit në stinën më të ligë të jetës. A t’u themi dhe ne me ironinë e hollë migjeniane që t’i kënaqen jetës, të festojnë dhe të qeshin, pa çka se shtëpitë e tyre janë boshatisur nga bijtë dhe bijat, nga nipërit dhe mbesat; t’u themi të qeshin kur bari mbinë në kulmet e shtëpive; kur oxhaqet nuk timojnë më; kur rruginat e oborreve mbulohen me therra; kur mbyllen shkollat ditëpërditshëm dhe vdes e ardhmja në këste të padiktueshme; kur askush nuk ndërmerr asgjë për ta zbutur sado pak ekzodin e dhimbshëm; kur askush nuk akuzon fajtorët që vranë shpresat e rinisë me çakërqejfet e tyre të shfrenuara; me jetën luksoze të siguruar nga hajnia; me pallatet mbretërore dhe vilat milionëshe bregdeteve dhe bjeshkëve atraktive; me foristradat e shtrenjta të matrapazëve me pushtet, të cilët, në vend të përpjekjeve për të bërë diçka për të mirën e përgjithshme, u bënë të vetmit mirëqenia e të cilëve grafllon gjithanshëm, paralelisht me rritjen e dëshpërrimit vrasës të etnisë sonë fatkeqe.
Shi për këtë, sa nuk është tepër vonë, le të qeshim ironikisht ashtu si thoshte Migjeni, po dhe le të bëjmë diçka që kapërcen përtej filozofisë fataliste: Bane Zot andërr!, që na duket e mjaftueshme dhe që na e ofron komoditetin e ndërrimit të krahut të gjumit kronik, aq të ngjashëm me çrrënjosjen tonë të përfundshme nga këto troje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.