Geer nuk e komentoi vjetërsimin e lëndës “Target – Fortesa”, por tha se KE mbetet e shqetësuar për ndryshimet e Kodit Penal

Euroambasadori David Geer sot nuk deshi të komentojë vjetërsimin e veprës keqpërdorim i detyrës dhe kompetencave zyrtare në lëndën “Target Fortesa” me të cilën u lirua nga përndjekja e mëtejme ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, por tha se, qëndrimi i Komisionit Evropian në raport me ndryshimet e Kodit Penal nuk ka ndryshuar, transmeton Portalb.mk.

Ai rikujtoi se, KE paraprakisht shprehi shqetësim të thellë në lidhje me implikimet që i ka principi i pandëshkueshmërisë për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal, si dhe përdorimi i famurit evropian gjatë miratimit të tyre.

“Mendoj se, qëndrimi i KE-së është shumë i qartë. Qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar. Kuptohet, nga ana jonë ne mundemi të themi se, i ndjekim nga afër të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me gjyqësorin, kuptohet edhe të gjitha ndryshimet apo pasojat që dalin nga ndryshimet e Kodit Penal. Do të dalim me vlerësime të reja, me komente të reja në lidhje me zhvillimet të mëtejme të mundshme të situatës në të ardhme”, tha Geer.

Gjykata Themelore Penale Shkup më 17 tetor shënoi përfundimin e ndjekjes penale të ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov, i akuzuar për përgjime masive të paligjshme nga viti 2008 deri në vitin 2015, të qindra qytetarëve në Maqedoninë e Veriut.

Përfaqësuesit e prokurorisë në këtë çështje kryesore të PSP-së e njohur si “Target-Fortesa”, sipas ndryshimeve në Kodin Penal më 6 shtator për asgjësimin e të gjitha rasteve të korrupsionit të lartë, thanë para gjykatës se aktet e bashkimit kriminal dhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe kompetencave për të cilat akuzohet Mijalkov, absolutisht vjetërohen.

Sipas Kushtetutës, për të akuzuarin zbatohet gjithmonë ligj më i butë.

Prokurorët shpresojnë që kjo çështje të vazhdojë në pjesën e asgjësimit të pajisjeve me të cilat janë përgjuar qytetarët në mënyrë të paligjshme, por me riklasifikimin e veprave penale, siç kërkohet nga ndryshimet në Kodin Penal të sjellë nga kjo qeveri.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.