Stamenkovski nga “Dokaz” u paraqit dëshmitar për donacionet në VMRO-DPMNE, për shkak gjendjes shëndetësore u ndalua dëgjimi

Marjan Stamenkovski nga portali “Dokaz”, ku publikoheshin tekste me shpifje dhe ofendime, për çka dhe është dënuar me vendim të plotfuqishëm, sot në Gjykatën Penale të Shkupit është sjellë me polici, në rolin e dëshmitarit, njofton Portalb.mk.

Ai gjendet në listën e dëshmitarëve të cilët Prokuroria i propozon në lëndën “Talir 1” e cila ka të bëjë me financimin e partisë politike VMRO-DPMNE. Ai mezi u përgjigj në disa pyetje të prokurorit Lubomir Llape dhe më pas kërkoi të mos dëgjohet sot pasi që nga mëngjesi është në kontroll në Qendrën Klinike dhe ka pirë barna për qetësim.

Shkurt, pas dëshmisë së tij, gjykatësi Osman Shabani, i cili është në krye të Këshillit Gjykues, vendosi ta ndërpresë dëgjimin dhe atë ta vazhdojë në seancën e radhës.

Ajo çfarë mund të tha Stamenkovski para Gjykatës është se në vitin 2011 ka qenë anëtar i Komitetit Komunal në Kriva Pallankë.

Para, tha ai, personalisht nuk ka paguar në parti, por ka dhuruar të mira materiale, në mesin e të cilëve edhe lëngje, nga shitorja të cilën atëherë e ka poseduar.

Për dallim prej dëshmisë së tij në ish Prokurorinë Speciale, ai sot për një pjesë të çështjeve tha se nuk i kujtohet duke përsëritur se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.

“Nuk më kujtohet. Nëse më lejoni tjetër herë të dëshmoj”, tha Stamenkovski.

Rasti “Talir”

Ky rast ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE.

Akuza për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE e ngarkon ish liderin e saj, Nikolla Gruevskin për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për pastrim parash dhe përfitime tjera në bazë të veprave penale. Gruevski u arratis në Hungari dhe po gjykohet në mungesë në të gjitha proceset.

Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski,  akuzohen gjithashtu për të njëjtat dy krime, të dënueshme me burgim.

Ilija Dimovski dhe Leko Ristoski akuzohen për pastrim parash dhe të ardhura të tjera. Elizabeta Çingarovska, e cila e pranoi fajin është e akuzuar gjithashtu. Partia VMRO-DPMNE, si person juridik, akuzohet gjithashtu për pastrim parash dhe të ardhura të tjera.

Thuajse 4.9 milionë euro janë larë.

“Paratë e fituara në mënyrë të paligjshme janë shfrytëzuar për shlyerjen e obligimeve të cilët një pjesë e të dyshuarve i kanë marrë në emër të partisë. Me këto para kanë paguar llogari, hotele, është blerë pronë dhe ngjashëm”, thanë nga PSP kur e hapën këtë rast.

LEXO: Prokuroria Speciale kërkon ngrirje të pronës së VMRO-DPMNE-së