TURP

Shkolla dhe gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut ka qenë dhe ka mbetur e nëpërkëmbur nga grupe albanofobësh të papërmirësueshëm, të cilët organizojnë protesta të turpshme për shkak të kërkesave legjitime të shqiptarëve për t’i shkolluar fëmijët e tyre në gjuhën amtare. Ky gjest antiqytetërues përkrahet ashiqare nga jeniçerë proserbë e prorusë, që mohimin e të drejtavë të shqiptarëve e shfrytëzojnë si mjetin më të sigurt për të ardhur në pushtet. Marifetet e këtilla nuk janë as të reja as rastësore. Ato janë vazhdimësi e përkeqësuar e monizmit jugosllav, gjatë të cilit nxënësit shqiptarë të Velesit, Prilepit, Krushevës…, të gjithë të regjistruar nga ofiqarët e “Bashkim vëllazërimit” me mbiemra me prapashtesa ”ov” dhe “ovski”, ndiqnin mësimin në gjuhën maqedonase. Gjatë viteve të tetëdhjeta ky model asimilimi u shtri në gjithë Maqedoninë nëpërmjet të të ashtuquajturave “paralele të përziera”, në të cilat, për shkak të një nxënësi maqedonas, të futur kastile në klasën me 30 nxënës shqiptarë, profesorët detyroheshin të mbajnë mësim në gjuhën maqedonase. Ata që nuk i zbatonin ligjet e aparthejdit etnik, shpalleshin armiq, përjashtoheshin nga puna ose përfundonin në qeli burgjesh.

Mjerisht, edhe përkundër disa ndryshimeve pozitive të bera tri dekadave të fundit, përbuzja e shkollës dhe gjuhës shqipe, njërës ndër më të lashtat në mesin e gjuhëve indoevropiane, vazhdoi edhe pas shpërbërjes së federatës jugosllave, kur Maqedonia u bë shtet i pavarur, por jo demokratik. Dëshmi për këtë është refuzimi inatçor i parisë së ngarkuar me nacionalizëm të sëmurë, që mbylli Akademinë Pedagogjike në Shkup, ku shkolloheshin arsimtarët shqiptarë dhe u përpoq më pastaj të pengojë me terror policor themelimin e Universitetit të Tetovës, madje duke vrarë një të ri shqiptar, që doli në mbrojtje të çerdhes së arsimit, që nuk i sillte asnjë të keqe Maqedonisë.

Ka dhe shembuj të tjerë që shpërfaqin “kultivimin e tolerancës” nderetnike në shtetin e drejtuar nga mizëria e politikbërësve hajdutë (respekt përjashtimeve!), që kanë qejf ta prezantojnë para botës si oazë paqeje dhe mirëkuptimi ndërmjet njerëzve me origjinë, gjuhë dhe fe të ndryshme. Po përmendim me këtë rast librat shkollorë që prej vitesh nuk korrigjohen nga përmbajtjet fyese, nga të cilët nxënësit shqiptarë mësojnë se të parët e tyre janë ardhacakë të vonshëm në Maqedoninë e Veriut; se janë pasardhës romësh e çerkezësh, që kanë kolonizuar tokën e shenjtë të maqedonasve e më the e të thash. Kanë ndodhur edhe ngjarje më të shëmtuara, si ato të rrahjeve me shkopinj të nxënësve shqiptarë nëpër autobusët e Shkupit, apo si turpi që po ndodh aktualisht në Çashkë, ku organizohen protesta shëmtaraqe prindërish dhe nxënësish të manipuluar maqedonas, që përpiqen të pengojnë hapjen e paraleles shqipe në shkollën fillore “Todor Janev”. Sipas mendësisë së mashave që nxisin protestat në fjalë, nëse tetëdhjetë nxënësit shqiptarë të kësaj shkolle s’pajtohen të ndjekin mësimet në gjuhën maqedonase, atëherë nuk mund të shkollohen në gjuhën shqipe, sepse Komuna e Çashkës qenka vendbanim i pastër maqedonasish. Kështu thonë ata, pa çka se sipas gazetës “Flaka”, në regjistrimin e popullsisë së Çashkës, të mbajtur në vitin 2002, 4.395 veta janë deklaruar maqedonas, 2.703 shqiptarë, 391 turqë dhe 184 të tjerë.

Fatkeqësisht, turpet e këtilla janë rëndomësuar në Maqedoninë e Veriut dhe kjo nuk është shenjë e mirë që garanton një të ardhme ndryshe nga ajo që kemi shijuar prej dekadash. Shi për këtë, paria e këtij vendi duhet të shkulë me rrënjë prirjet hegjemone për epërsi të një etnie ndaj tjetrës, sepse, siç thotë populli: gjithë gjërat këputen prej s’holli, përveç zullumit që këputet prej s’trashi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.