Dogana e RMV-së: Po fillojmë një projekt ambicioz, sistem i ri “one-stop shop” që do të lehtësojë tregtinë

Po nisim një projekt ambicioz për modernizimin e proceseve të licencimit dhe lejeve të përdorura në zhdoganimin, me qëllim lehtësimin e tregtisë, përmirësimin e kontrollit dhe sigurisë së mallrave dhe uljen e kostove për kompanitë. Sistemi unik kombëtar me një ndalesë (one-stop) synon të digjitalizojë proceset në mënyrë që ekonomia maqedonase të mos dorëzojë më dokumente tek disa autoritete, ndërsa të gjitha proceset për dhënien e lejeve zhvillohen në një vend. Me vendosjen e sistemit të ri kombëtar me një ndalesë, ekonomia maqedonase do të jetë më konkurruese në tregun ndërkombëtar. Këtë theksuan përfaqësues të lartë të Drejtorisë doganore në Komitetin e tretë Drejtues për implementimin e Sistemit të Ri One-Stop-Shop, të kryesuar nga zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, transmeton Portalb.mk.

Deri më tani është punuar në harmonizimin e funksionaliteteve të sistemit dhe së shpejti projekti do të prezantohet para komunitetit të biznesit.

Gjithashtu u theksua se procesi duhet të kryhet në nivelin më të lartë, me dinamikë të përshpejtuar nga të gjitha institucionet kufitare, për të realizuar me sukses projektin, i cili praktikisht është pjesë e reformave për lehtësimin e tregtisë dhe nxitjen e rritjes dhe punësimit në vend. Zbatimi i sistemit si pjesë e projektit të Bankës Botërore për përshpejtimin e transportit dhe tregtisë në Ballkanin Perëndimor do të mundësojë integrimin e përshpejtuar në BE.

Anastas Mazenkovski, ndihmës drejtor i Departamentit për Sisteme të Informacionit dhe Komunikimit, tha se sistemi i ri kombëtar me një ndalesë do t’u mundësojë biznesmenëve dhe tregtarëve që të gjitha informacionet dhe të dhënat për importin, eksportin dhe transitin t’i dorëzojnë në një vend në vend të disa vendeve, e cila do të kursejë para dhe kohë.

Në këtë mënyrë, Dogana dhe institucionet tjera kufitare do të mund të përdorin kolektivisht të dhënat nga ky sistem, gjë që do të përmirësojë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe do të rrisë nivelin e shërbimeve për ekonominë maqedonase.

Kujtojmë se Drejtoria doganore e RMV-së është duke u përgatitur për vendosjen e one-stop-shop me Kosovën në pikën kufitare Bllacë, i cili do të mundësojë qarkullim më të shpejtë të mallrave dhe njerëzve, si pjesë e aktiviteteve të zbatuara për përshpejtimin dhe lehtësimin e tregtisë. Kjo forcon konkurrencën e kompanive maqedonase në tregun ndërkombëtar dhe mundëson mbështetjen e tregtisë legale nga njëra anë dhe përmirëson kushtet për parandalimin efektiv të aktiviteteve ilegale në kufi në anën tjetër.