TUNELI

Maksimë: “Urtësia është gjë e humbur besimtarit, e merr atë kudo që e gjen”. Përvetësimi i urtësisë, dijes, përvojës, praktikës së mirë nuk njeh moshë, nuk kufizohet me profilin e mësimdhënësit dhe me gjeografinë. Mund të mësosh kudo, kurdoherë dhe nga çdokush.

Në një shkrim tonin para disa vitesh bëmë një përshkrim lidhur me trajtimin human dhe mbresëlënës të drurit në një nga parqet e Cyrihut që vizituam: një luhatëse e lidhur mes dy drurëve, dhe për të mos u dëmtuar pema nga litari, një pjesë e trungut paraprakisht ishte e mbështjellur me sixhade apo siç i themi në këndej, me tepih.

Këtë radhë një shembull tjetër nga një vend tjetër. Turqia, Gyre, deti Egje, ku këtë vitit kaluam pushimin veror. Dhe çdo ditë, për të arritur te plazhi, duheshte të kalojmë nëpër një nënkalim rrugor apo tunel rreth tridhjetëmetërsh. Funksional dhe i pastër sa s’ta merr mendja. Kjo distancë ku s’duket njeriu natën apo në kohë të vonshme, të mbetej kaq higjienike, ku s’gjeje asnjë letër, kanaqe, shishe uji apo ndonjë mbeturinë tjetër, na bëri përshtypje të jashtëzakonshme. Pyetjet që na u sollën në kokë aty për aty: a s’ka në mesin e tyre të pakulturuar, të pandërgjegjshëm, njerëz që gjërat i hedhin nga t’u vijë? Kjo pamësi përnjëherë na sinjalizoi në mendje gjendjen e nënkalimeve dhe mbikalimeve tona ku prej dhjetë metra vijnë erëra të pakëndshme, kur duhet t’i mbyllësh hundët me dorë për të kapërcyer, ku duhet të kalosh me hapa të shpejtë e përvjedhurazi, me sytë gjysëmmbyllur se të vjen gërdi nga pamësia e tmerrshme, denigruese dhe shenjuese e nivelit qytetërimor të njerëzve që jetojnë në atë hapësirë. Urinë and more kundërmojnë nënkalimet dhe mbikalimet tona. Të detyrojnë që radhët tjera të ndërrosh rrugën, të shikosh ndonjë alternativë që të mos kalosh atypari.

Kultura e një njeriu, familjeje dhe komuniteti maten edhe sipas mirëmbajtjes së mjedisit jetësor, të habitatit. National Geographics e përkufizon habitatin si vendi ku një organizëm bën shtëpinë, vatrën e vet, të gjitha kushtet mjedisore që i nevojiten një entiteti për të (mbi)jetuar. Fjala higjienë vjen nga greqishtja hygiein(téchnē) që do të thotë art i shëndetit. Ekziston një lidhje organike mes shtëpisë, mjedisit dhe shëndetit personal dhe kolektiv. Në rastin që po trajtojmë, nuk janë institucionet higjienike publike ato që e kanë krijuar këtë mbresë por vetëdëdija apo ndërgjegjja kolektive e një popullate që graviton aty dhe të tjerët që vijnë dhe dëshirojnë sërish të vijnë aty. Këtë habitat, përshtypje pozitive dhe dëshirë për rivizitim e e krijojnë pikëpamja estetike shumëpërmasore, vlerat kulturore, jo vetëm ato materiale, jo vetëm ushqimi, gastronomia, panorama e detit, uji, shezlonget, çadrat, arredimi mjedisor por edhe kultura e një kombi. Sa e zbatojnë ata spiritualitetin e tyre në jetën e përditshme, sa vlerat e tyre që i kanë në zemër e mendje i shpërfaqin në jetën sociale, me të tjerët, në komunikimin e përditshëm. Siç u shpreh një artist nga mesi ynë para disa ditësh: “S’bëhemi njerëz përderisa edhe nga xhamat e veturave të prodhuara në vitin 2022 hidhen kanaqe dhe pako cigaresh!” Topi s’e luan. Kot që ke komoditet material, kur ke varfëri spirituale, kur s’ke edukatë elementare, kur të kanë ikur xhevahiret e humanitetit. Për A. Touraine, puna e sociologut konsiston në përpjekjen për të nxjerrë në pah kuptimin dhe çështjen qendrore të veprimeve shoqërore, andaj ka lançuar terma si ndërhyrja sociologjike (intervention sociologique), sociologji e aksionit social (sociologie de l’action sociale) dhe sociologji e veprimit të organizuar (sociologie de l’action organisée). Pra, si shoqëri kemi nevojë për vetëdijësim, për ndërhyrje në mënyrën e perceptimit të gjërave dhe të veprimit social. Kemi nevojë për sociologjinë e veprimit si metodë në të cilën takohen aktori dhe sociologu, veprimi kolektiv dhe analiza sociologjike, praktika dhe teoria. (Göle, 1993) Kemi nevojë për krijimin e shqiptarit të ri, më të emancipuar, që me veprime pozitive, me vlera garon në maratonën civilizuese.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.