ANALIZË: (Pa)barazia gjinore: gratë në krahasim me burrat sipas parave, fuqisë, dijes (Infografik)

“Gratë në Maqedoninë e Veriut fitojnë më pak dhe janë më të rrezikuara nga varfëria krahasuar me burrat. Të ardhurat më të ulëta, jeta më e shkurtër e punës dhe pasiviteti i lartë në tregun e punës kontribuojnë për një rrezik më të lartë nga varfëria, për një pasiguri më të madhe ekonomike dhe përkeqësim të perspektivës financiare për gratë në çdo fazë të jetës së tyre”, thuhet në hulumtimin e publikuar së fundmi – Indeksi Kombëtar i Barazisë Gjinore, të cilin e publikoi Enti Shtetëror i  Statistikave. Portalb.mk publikon detaje për barazinë gjinore përmes tre pozicioneve kyçe: para, pushtet dhe dije.

Pagat…

Pozita ekonomike e grave në vend është duke u përmirësuar, por ende ka një hendek të madh midis grave dhe burrave për sa i përket pagave, të ardhurave të përgjithshme  dhe rrezikut nga varfëria. Kur bëhet fjalë për të ardhurat mesatare mujore, hendeku gjinor bëhet më i thellë.

Të ardhurat mesatare mujore. Infografik nga Portalb.mk
Të ardhurat mesatare mujore. Infografik nga Portalb.mk

“Vlerat për vitin 2019 tregojnë se edhe krahas përmirësimeve të të ardhurave mesatare mujore dhe të ardhurave mesatare neto të grave dhe burrave në krahasim me vitin 2015, sërish të ardhurat dhe të ardhurat e disponueshme të grave janë më të ulëta në krahasim me mesataren e burrave. “- thuhet në hulumtimin e sapobotuar, në të cilin mund të vihet re se për sa i përket barazisë gjinore vendi jonë mbetet shumë më prapa krahasuar me mesataren evropiane pikërisht sipas indikatorit “para”.

“Krahasuar me vendet anëtare të BE-së, si dhe me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut renditet e 28-ta, pra ka pozitën e katërt më të ulët në fushën “para”. Në rajon vendi jonë pozicionohet më mirë vetëm se Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi” – thuhet në hulumtim.

Arsimi…

Numri i burrave dhe grave me arsim të lartë është në rritje, por “tradita” vazhdon të dominojë gjatë përzgjedhjes së fakulteteve dhe profesioneve në “të burrave dhe të grave”. Në këtë fushë është regjistruar një segregacion i madh. Studentet femra dominojnë në fushat e shëndetësisë, arsimit, çështjeve sociale, shkencave humane, fusha që, për dallim nga shkencat natyrore, teknologjia, matematika, konsiderohen si më pak të paguara.

“Përfaqësimi më i lartë i grave në fushat e përmendura tregon një nivel ende të lartë të përqendrimit të grave në fushat që tradicionalisht konsiderohen si femërore dhe me të ardhura më të ulëta (për kujdes, ndihmë, mbështetje, marrëdhënie sociale, etj.), në krahasim me shkencat natyrore, teknologjinë dhe inxhinierinë si fusha me të ardhura më të larta”, thuhet në hulumtim.

Për sa i përket “njohurisë”, vendi është minimalisht prapa mesatares evropiane, vetëm 0.3%, dhe renditet më mirë se Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi, por vlera e indeksit për arsimin e lartë të përfunduar është dukshëm më e ulët në krahasim me BE-në.

Sa i përket “dijenisë”, vendi mbetet minimalisht prapa mesatares evropiane, me vetëm 0.3%, dhe është i ranguar më mirë se Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi, por vlera e indeksit për arsimin e lartë të përfunduar është dukshëm më e ulët në krahasim me BE-në.

Fuqia…

Hendek më të vogël gjinor ka sa i përket indikatorit për pjesëmarrjen e grave në parlament, por ka një hendek të thellë tek pushteti ekzekutiv, si dhe sa i përket pozitave drejtuese në kompanitë më të mira dhe në organet drejtuese.

“Edhe pse ka një rritje të caktuar të përfaqësimit të grave në nivele të ndryshme të qeverisjes, ky nivel nuk është i mjaftueshëm dhe nuk është në përputhje me “Angazhimin strategjik 50-50” për pjesëmarrje politike të barabartë të grave dhe burrave në të gjitha nivelet e pushtetit politik” – thuhet në hulumtim.

Mesatarisht, gjatë një periudhe tre vjeçare (2018, 2019, 2020) përfaqësimi i grave në pushtetin ekzekutiv ka qenë vetëm 14,7% ndërsa ai i burrave 85,3%.

Përfaqësimi i shprehur në përqindje (2018-2019-2020-mesatarja). Infografik nga Portalb.mk
Përfaqësimi i shprehur në përqindje (2018-2019-2020-mesatarja). Infografik nga Portalb.mk

Hulumtimi nxjerr në pah se krahasuar me vitin 2015, në vitin 2019 numri i femrave në organet dhe këshillat drejtuese të kompanive më mirë të pozicionuara në vend ka shënuar rënie. Pabarazia gjinore tek ky indikator është jashtëzakonisht e shprehur, me 19.1% përfaqësim të femrave kundrejt 80.9% të meshkujve (mesatarja për vitet 2018, 2019, 2020)

“Rënia e pjesëmarrjes së grave në organet dhe këshillat drejtues është një trend shqetësues. Ky trend negativ nuk është në përputhje jo vetëm me qëllimet dhe angazhimet strategjike kombëtare në këtë fushë (Strategjia për Barazi Gjinore 2022-2027) por edhe me Agjendën për Barazi Gjinore të BE-së”, theksohet në këtë hulumtim.

Është interesante se kur bëhet fjalë për fuqinë ekonomike vendi jonë është më mirë se mesatarja evropiane, sidomos në fushën e fuqisë sociale, por mbetet prapa në barazinë gjinore kur bëhet fjalë për fuqinë politike.