ANALIZË: Në dy punonjës – një pensionist, (pa)qëndrueshmëria e sistemit pensional për pensione më të larta

Në fund të gjashtëmujorit të parë ekonomik, në vend kishte 337.054 pensionistë. Pensioni mesatar në vend është 19.106 denarë. Në të gjithë vendin, pensionistët kërkojnë me protesta rritje lineare të pensioneve. Qeveria përmes Gjykatës Kushtetuese do të kontrollojë nëse një zgjidhje e tillë është kushtetuese. Ekonomistët paralajmëruan – kujdes me rritjen e pensioneve, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Po, për një standard më të mirë të pensionistëve, por edhe për një sistem të qëndrueshëm pensionesh!

Njoftimi i qeverisë për rritje të pensioneve prej 6% shkaktoi reagime te pensionistët – përmes protestave kërkojnë rritje lineare prej 3.500 denarësh dhe pension minimal prej 18.000 denarësh. Çfarë do të thotë konkretisht kjo për arkën e buxhetit? Vetëm rritja prej 56,7 euro për 337.054 pensionistë në vit do t’i kushtonte shtetit 229.000.000 euro, gjegjësisht një pensionist do të merrte 680 euro për 12 muaj.

Sipas disa ekonomistëve, këto shuma nuk janë naive dhe duhen analizuar në kontekstin e ekonomisë së përgjithshme. Pa vende të reja pune për të mbushur arkën e FSPIM-së dhe të fondeve të tjera, ngarkesat e reja financiare mund të jenë të rrezikshme.

“Të mos harrojmë se Fondi për SPIM vazhdon të jetë i nënfinancuar, gjegjësisht kapitalizohet përmes buxhetit në kurriz të tatimeve dhe taksave të tjera publike që i paguajnë të gjithë qytetarët. Në fakt, nëse do të ketë rritje të pajustifikuar ekonomikisht të pensioneve, do të rritet financimi i deficitit nga buxheti, gjë që do të rezultojë në rritje të barrës tatimore për të gjithë qytetarët. Me këtë lidhje të financave publike, paratë që pensionistët i kërkojnë tani për nipërit e mbesat e tyre, do t’i paguajnë në të ardhmen nipërit dhe mbesat e tyre”, thekson eksperti i tatimeve dhe ekonomisti, Pavle Gacov.

Sipas metodologjisë aktuale, korrigjimi i pensioneve bëhet në dy baza, në lidhje me rritjen e kostos së jetesës në masën 50% dhe rritjen e rrogës mesatare në masën 50%, dhe harmonizimi bëhet dy herë në vit, më 1 mars dhe më 1 shtator.

Njëra nga ish-drejtoret e FSPIM-së, Biljana Jovanovska, thotë se shuma e pensionit më së shumti varet nga shuma e kontributit të paguar, e më pas edhe nga stazhi i punës, kështu që ndodh që dikush me stazh më të shkurtër të marrë më shumë se dikush që ka stazh më të gjatë, nëse i pari, p.sh., ka paguar kontribute prej 120.000 denarë nga rroga, kurse i dyti 18.000 denarë.

“Me kalimin e viteve ka ndryshuar edhe koeficienti, çdo vit ulet baza për llogaritje.  Janë disa momente vendimtare, prandaj edhe ligji ka paraparë shuma të ndryshme nga (shuma) – deri te (shuma). MPPS-ja nuk ka dalë me statistika, sa stazh kanë pensionistët deri në 15.000 denarë pension, dhe në çfarë shume u janë paguar kontributet? Po ashtu, sa vite përvojë pune kanë dhe për sa prej tyre kanë stazh të paguar? Pse nuk u është paguar stazhi dhe kush e ka lejuar këtë? Nëse vendoset që pensioni minimal të jetë p.sh. 18.000 denarë, të gjitha pensionet do të rriten për rreth 6.000 denarë. Bëhet fjalë për dispozitat për ushtrimin e të drejtës për pension. Dhe kjo nuk do të thotë korrigjim, rritje prej 6.000 denarësh dy herë apo më shumë herë në vit. Është një moment tjetër që rregullohet me dispozita të tjera në ligj”,  thotë Jovanovska.

Sipas ekspertëve, dilemë krijon edhe kërkesa për rritje lineare të pensioneve – pavarësisht se cili pensionist çfarë shume ka paguar për kontribute gjatë viteve të punës.

“Pensioni nuk është kategori sociale por ekonomike, dhe shuma e pensionit varet nga shuma e kontributit social të paguar gjatë kohëzgjatjes së gjithë përvojës së punës së të siguruarit, gjegjësisht shuma e pensionit varet nga shuma e kontributit të paguar për pension. Sipas Ligjit për SPI, rritja e pensioneve nuk mund të bëhet në mënyrë lineare” – vlerëson Gacovi.

Sipas Jovanovskës, rritja e paralajmëruar e pensioneve për 6% nuk do të shkaktojë implikime shtesë nëse shuma e planifikuar do të shpërndahet në mënyrë lineare për pensionistët, por si shumë në bazë të përqindjes do të reflektohet ndryshe te pensionet.

“Harmonizimi në bazë të përqindjes prej 6% për pensionin prej 60.000 denarësh dhe 6% për pensionin prej 13.000 denarësh nuk është e njëjtë. Çdo pushtet i përgjegjshëm duhet të miratojë zgjidhje ligjore që është për momentin më e mira për standardin e jetesës dhe nevojat reale të pensionistëve. Tani duhet ta shikojmë pamjen e madhe, jo vetëm të përsërisim verbërisht se ligji është i tillë”,  thotë Jovanovska.

Në fund të qershorit, pensioni mesatar në vend ishte 19.106 denarë.

Infografik: Portalb.mk
Infografik: Portalb.mk

Gati një e treta e pensionistëve kishin pension deri në 13.000 denarë, ndërsa rreth 53% nga 16.000 deri në 22.000 denarë.  Për një kohë të gjatë, ekspertët kanë paralajmëruar për rreziqet e paqëndrueshmërisë së sistemit të pensioneve. Një nga treguesit kryesorë është raporti midis numrit të punonjësve, gjegjësisht atyre që e mbushin arkën e fondit dhe numrit të pensionistëve që marrin pension nga fondi. Konkretisht, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti i Statistikave, në vend ka 683.242 të punësuar, që do të thotë se për çdo dy punonjës ka një pensionist, që nuk konsiderohet raport i qëndrueshëm.