Reagime për ndryshimet në Kodin Penal të RMV-së: Të tërhiqet menjëherë, është përpjekje për “amnisti të heshtur”

Opozita e bashkuar shqiptare, përkatësisht Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, kanë dalë kundër propozim-ndryshimeve për Kodin Penal. Në një konferecë për media, Fadil Zendeli nga radhët e Besës, në emër të të tre partive, tha se arsyeja themelore pse bëhet këto ndryshime janë që në Shkup të kthehet Nikolla Gruevski dhe që shumica aktuale, e cila pas zgjedhjeve mund të shkojë në opozitë, krijon kushte që të mos kapen nga ndjekja penale, transmeton Portalb.mk.

“Kovaçevski dhe Lloga e kanë detyrim të shpjegojnë. Me këto propozim-ndryshime, krejt këto dënime të shqiptuara ndaj Gurevsit bien në ujë. Ai mund të kërkojë përsëritje të procedurës, dhe Gruevski eventualisht mund të gjykohet vetëm lëndët për rastin Tanku dhe Dhunën në Qendër, që nuk parashohin më shumë se tre vjet burg”, tha Zendeli.

Zendeli tha se ata kanë dyshime se këto ndryshime po propozohen se eksponentë të lartë të BDI-së dhe LSDM-së mund të jenë në opozitë dhe duan të krijojnë kornizë mos t’i kapë ndjekja penale.

“Ajo që bie në sy është se propozim-ndryshimi i kodit Penal nuk është i nënshkruar nga ministri i Drejtësisë, por nga zëvendësi i tij. A dëshiron ASh-ja t’i lajë duart dhe të thotë se nuk ka faj për shërbimin që i bëhet Gruevskit? Ne presim që edhe ministri i Drejtësisë por edhe kreu i ASh-së të dalin dhe të tregojnë se a pajtohen me këto ndryshime të Kodit Penal. Nëse nuk pajtohen, atëherë më e pakta që mund të bëjnë si parti është që ministri Lloga të japë dorëheqje, sepse e dimë që ata tashmë nuk mund të dalin prej kësaj Qeverie. Krejt kjo që po ndodh me ndryshimet kushtetuese, na bind edhe njëherë se kjo shumicë dhe kjo qeveri ka frikë nga propozim-amendamenti ynë për sanksionim kushtetues të luftës kundër korrupsionit në mënyrë që ata lëndë të mos vjetërohen”, thonë partitë opozitare.

Transparency International nga ana tjetër, poashtu ka shprehur shqetësim lidhur me Propozimin e Qeverisë për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal në procedurë të shkurtuar.

“Ndryshimet e propozuara janë në kundërshtim me angazhimin për një luftë të pakushtëzuar kundër korrupsionit dhe për forcimin e sanksioneve ndaj personave të akuzuar ose të dënuar për krime korruptive. Në këto momente indikacionesh të forta të brendshme dhe të jashtme janë se korrupsioni, veçanërisht korrupsioni i lartë, është në nivele të larta dhe besimi në drejtësinë e 0.4% të qytetarëve është në nivelin më të ulët në historinë e këtij vendi, kur ka është gjendje e pandëshkueshmërisë dhe i mungon çdo lloj përgjegjësie, në Kuvend është paraqitur propozim për zgjidhje ligjore, e cila duhet të mundësojë trajtim më të butë, sanksione më të buta, përjashtim nga fajësia, konfiskim të pamundur, për autorët që kanë shpërdoruar pozitën zyrtare për qëllimet e tyre”, thonë nga TI.

Me një zgjidhje të tillë ligjore, shtojnë nga TI, shumë akuza dhe hetime për krime korruptive-financiare të niveleve të larta të kryera në dëm të shtetit do të pësojnë vjetrim.

“Këtë praktikë të miratimit të ligjeve me masë e kemi njohur tashmë dhe e kemi vënë re në kohën kur duhej të siguronim votat për Marrëveshjen e Prespës”, thuhet në reagimin e TI-së.

Kujtojmë se Qeveria i propozoi Kuvendit ndryshime në Kodin Penal (KP) me të cilat ulen dënimet me burg për veprën e penale Keqpërdorim i pozitës dhe pushtetit zyrtar. Amendamentet e propozuara ligjore për KP janë dorëzuar në Kuvend me flamur europian dhe tashmë janë futur në rend dite.

Sipas propozimit, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet duhet të shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.

Në vitin pasues 2019, avokati i të akuzuarve Mile Janakieski dhe Nikolla Gruevski pa sukses parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin ose anulimin e paragrafit 5 të nenit 353 të Kodit Penal, i cili i referohet veprave penale gjatë kryerjes së prokurimi publik ose dëmtimi i mjeteve nga Buxheti i Maqedonisë, nga mjetet publike ose nga mjete të tjera të shtetit.

Me propozimin aktual të Qeverisë, ky paragraf fshihet.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i nënshkroi propozim-amendamentet ligjore dhe në shpjegim thuhet se ato rrjedhin nga Programi nacional për miratimin e ligjit të BE-së.

Ndryshimet në Kodin Penal duhet të shqyrtohen sot nga ora 13 në seancën e Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane. Të gjitha materialet në lidhje me këtë propozim-ligj gjenden në këtë link.

Kujtojmë se ndryshimet atëkohë, i kishte përgatitur ish zëvendësministrja e Drejtësisë, Biljana Brishkoska – Boshkovski, e cila ishte e akuzuar në lëndën “Titanik” për parregullsitë zgjedhore bashkë me Gruevskin dhe ish udhëheqësinë e partisë. Bashkëshorti i saj, Dejan Boshkovski, ish drejtor i ELEM-it, gjithashtu ishte i akuzuar për keqpërdorime në rastin e PSP-së “Arka”.