Sallat e mbushura, lista të gjata pritjeje: Prindërit në Shkup kërkojnë inspektime në çerdhe

Në të gjithë vendin, më shumë se 5.700 fëmijë janë në listë pritjeje për regjistrim në çerdhe, ndërsa kapacitetet aktuale për sistemimin e tyre tashmë janë tejkaluar. Pushteti planifikon që deri në fund të vitit të ardhshëm të ketë 37 çerdhe të reja, në të cilat do të sistemohen rreth 4.000 fëmijë shtesë. Një grup prindërish të bashkuar në iniciativën “Çerdhe humane dhe të sigurta” alarmon për gjendjen në këto institucione – pretendojnë se ka mbipopullim në një pjesë të çerdheve në Aerodrom, me mbi 40 fëmijë në një grup, ndërsa paralelisht nuk ka personel të mjaftueshëm, shkruan Kolegium.mk, transmeton Portalb.mk.

Ata kërkojnë që autoritetet ta zgjidhin problemin, në mënyrë që fëmijët, por edhe edukatoret dhe kujdestaret që punojnë me ta, të kenë kushte më të mira dhe më të sigurta. Komuna pranon se ekziston nevojë reale për kapacitete të reja, premton se po punon për tejkalimin e problemit, ndërsa paralelisht i sheh shifrat edhe nga këndvështrimi se fëmijët janë “të sistemuar në mënyrë adekuate në grupet sipas moshës” dhe se jo të gjithë fëmijët shkojnë çdo ditë në çerdhe.

Sa fëmijë mund të ketë në një sallë të çerdhes? 15, 20 apo 40? Sa duhet të jenë sipas rregullave dhe si është në praktikë? Sa edukatore dhe kujdestare janë të mjaftueshme për ta?

Rreth këtyre pyetjeve “përplasen” prindërit dhe Komuna e Aerodromit. Të parët alarmojnë për mbipopullim të vazhdueshëm në çerdhe dhe janë të shqetësuar, para së gjithash, për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve, ndërsa pushteti lokal deklaron se është i hapur për diskutim mbi problemet, por gjithashtu pretendon se gjendja në realitet nuk është aq alarmante, pasi “fëmijët janë të sistemuar në mënyrë adekuate sipas grupmoshave dhe objekteve”.

“Si prindër, prej një kohe të gjatë jemi dëshmitarë të mbipopullimit në çerdhet e Aerodromit, por të dhënat zyrtare që kemi siguruar janë vërtet alarm për të gjithë ne. Kur keni grupe për foshnja ku qëndrojnë 39 ose 44 fëmijë, në vend të 12 sa parashikohen me ligj, ndërsa për ta kujdesen vetëm një edukatore dhe një kujdestare, atëherë nuk flasim më vetëm për cilësinë e edukimit, por për rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve”, thotë për Kolegium.mk Ivan Jovanov, përfaqësues i Iniciativës Qytetare “Çerdhe humane dhe të sigurta – Aerodrom”.

Shifrat të cilave u referohen nga iniciativa, prindërit thonë se i kanë siguruar gjatë verës së kaluar përmes kërkesave për qasje të lirë në informacionet me karakter publik. Para pushtetit lokal ata paraqitën kërkesa dhe propozime konkrete, ndërsa këto ditë po u dërgojnë shkresa edhe institucioneve të tjera.

Ata kërkojnë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) në lidhje me protokollet kundër zjarrit dhe evakuimit, si dhe kontroll të kushteve higjienike dhe epidemiologjike nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) dhe Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Në kundërshtim me pretendimet e iniciativës së prindërve se në disa grupe ka edhe mbi 200 përqind mbingarkesë, mbi të cilat bazojnë edhe kërkesat e tyre, pushteti lokal konsideron se pamja është ndryshe.

“Pretendimet se kapacitetet në disa çerdhe tejkalohen për më shumë se 200 përqind nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në tërësi dhe duhet të shqyrtohen në kontekstin e objektit konkret, moshës së fëmijëve, numrit të grupeve dhe mënyrës se si janë sistemuar fëmijët”, thonë nga Komuna e Aerodromit për Kolegium.mk.

Kjo nuk është komuna e vetme që përballet me mungesë kapacitetesh për sistemimin e fëmijëve të moshës parashkollore. Problemi është më i madh në Shkup.

Gjorçe Petrovi, Kisella Voda, Gazi Baba, Buteli dhe Saraji janë komunat ku, sipas listës së pritjes për regjistrimin e fëmijëve, ka nevojën më të madhe për hapjen e kapaciteteve të reja, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Mungojnë edhe personeli edhe kapacitetet

Në përpjekje për të gjetur zgjidhje, grupi i prindërve nga Aerodromi tashmë është takuar edhe me pushtetin lokal dhe kryetarin e komunës, Dejan Miteski. Listën e tyre prej shtatë kërkesash, përmes një peticioni online, brenda dhjetë ditësh e kanë nënshkruar mbi 200 qytetarë.

Ndër kërkesat afatshkurtra të tyre është punësimi i edukatoreve dhe kujdestareve, pasi theksojnë se vetëm në Aerodrom mungojnë 47 edukatore dhe kujdestare.

Atje ka dy çerdhe – “Srniçka” dhe “Buba Mara” – dhe secila prej tyre ka nga gjashtë objekte të veçanta. Në disa prej tyre, siç theksojnë nga iniciativa “Çerdhe humane dhe të sigurta – Aerodrom”, sipas shifrave që kanë marrë nga autoritetet, në grupet për foshnja (fëmijë nga 8 muaj deri në 2 vjeç) ka pasur edhe nga 40 fëmijë. Përveç faktit se këto grupe parashikohen të kenë nga 12 deri në 15 fëmijë, mungon edhe personeli, përkatësisht ka nga tre kujdestare për rreth 40 fëmijë.

Një pjesë e gjendjes me personelin ka ndryshuar gjatë kësaj vere, të paktën sipas të dhënave që Kolegium.mk i mori nga Komuna më 18 shtator. Pushteti lokal pretendon se në “Buba Mara” numri i edukatoreve është në përputhje me numrin e fëmijëve dhe nevojat për organizimin e procesit edukativo-arsimor. Ndërsa mungesë ka në çerdhen tjetër në Aerodrom – “Srniçka”, ku sipas sistematizimit nga 51 vende pune për edukatore mungojnë 9, ndërsa nga 72 vende për kujdestare, të paplotësuara janë vetëm shtatë.

Sa i përket gjendjes në çerdhe dhe përballimit të numrit të madh të fëmijëve nga personeli, nga Komuna, ndër të tjera, theksojnë se jo të gjithë fëmijët e regjistruar janë të pranishëm në çerdhe çdo ditë apo gjatë gjithë ditës. Si shembull konkret, ata theksojnë se më 18 shtator, në të gjitha objektet e dy çerdheve kishte 1.704 fëmijë, ndërsa numri i fëmijëve të regjistruar ishte 2.589.

Ndërsa prindërit nga iniciativa konsiderojnë se autoritetet nuk duhet ta relativizojnë në këtë mënyrë gjendjen dhe duhet ta zgjidhin problemin, në listën e tyre të kërkesave është edhe përshtatja e objekteve alternative jashtë çerdheve për kujdesin ndaj fëmijëve.

Në planin afatgjatë, ata kërkojnë që të përcaktohet një zë i dedikuar buxhetor dhe të ndërtohen pesë çerdhet e reja të premtuara në komunë, si dhe të ketë një regjistër publik dhe transparent të listës së pritjes.

“Nevojë reale për çerdhe të reja”

“Nevojë reale për kapacitete shtesë për kujdesin ndaj fëmijëve ekziston”, thonë nga Komuna.

Ndërsa prindërit konsiderojnë se hapja e njërit prej objekteve të çerdhes “Srniçka”, i cili u rrënua për t’u ndërtuar një objekt më i madh, nuk do ta zgjidhë problemin, nga Aerodromi thonë se kjo do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve. Për momentin, nuk ka njoftime konkrete se kur do të vihet në përdorim ky objekt, as afate se kur do të ndërtohen çerdhet e reja.

Ajo që premtohet dhe planifikohet është ndërtimi i një objekti të ri të njërës prej çerdheve në Lisiçe, për të cilin është nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe ndërtimi i çerdhes së parë në Dollno Lisiçe.

Më shumë se 5.700 fëmijë në “listë pritjeje” në të gjithë vendin

Se problemi do të zgjidhet me ndërtimin e çerdheve të planifikuara në Aerodrom, thonë edhe nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Të pyetur për mbipopullimin aktual, nga Ministria theksojnë se ligjërisht ekziston mundësia që në çerdhe të ketë numër më të madh fëmijësh sesa numri i regjistruar.

E mbushur është edhe lista e pritjes në disa komuna. Sipas të dhënave që disponon Ministria, deri në prill të vitit 2026, në çerdhet në të gjithë vendin janë regjistruar 38.797 fëmijë. Kjo është rreth 2.000 më shumë se kapaciteti i 80 çerdheve në të gjithë Maqedoninë, i cili është 36.752 fëmijë. Në listën e pritjes, ndërkaq, deri në prill ndodheshin 5.743 fëmijë.

“Sipas pasqyrës së listës së pritjes për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe, nevoja më e madhe për hapjen e kapaciteteve të reja është në komunat e Shkupit, përkatësisht në: Aerodrom, Gjorçe Petrov, Kisella Voda, Gazi Baba, Butel dhe Saraj. Aktualisht, në komunat e përmendura po ndërtohen/zgjerohen objekte, përkatësisht: dy objekte në Kisella Vodë, dy objekte në Gjorçe Petrov, tre objekte në Gazi Babë, dy objekte në Butel dhe tre objekte në Karposh. Me hapjen e këtyre objekteve, nuk do të ketë lista pritjeje për regjistrim në çerdhe në komunat e Shkupit”, thonë nga Ministria.

Deri në fund të këtij viti, sipas tyre, duhet të hapen 15 çerdhe, në të cilat do të sistemohen rreth 1.800 fëmijë.

Planet deri në fund të vitit 2027 janë që të ketë 37 çerdhe të reja, që do të mundësonin pranimin e rreth 3.800 fëmijëve të rinj.

Nga Ministria u kujtojnë komunave se gjatë gjithë vitit kanë thirrje të hapur, përmes së cilës mund të aplikojnë me projekte për ndërtimin, zgjerimin dhe përshtatjen e hapësirave me qëllim të shndërrimit të tyre për përdorime të tjera.