Tre qetë dhe ujku

Nga viti 1999, kur Kosova fitoi lirinë e shumëpritur, shqiptarët i kaploi një entuziazëm i zjarrtë që i bëri të besojnë se shekulli XXI do të jetë shekulli ynë. Asokohe gati askujt nuk i shkonte mendja te historitë e përçarjeve brendashqiptare pikërisht në vigjilje të ngjarjeve dhe fitoreve të mëdha ose menjëherë pas tyre. Kush mund të cënonte ndjenjat e forta të gëzimit të papërmbajtur të popullit të shpëtuar nga terroret e çetnikëve serbë? Kush mund të dyshonte në të ardhmen tonë të ndritshme? Kush mund të thoshte se duhet shumë punë për t’u bërë pjesë e botës së qytetëruar? Kush mund të mohonte bindjen se jemi në prag të sendërtimit të idealeve Rilindëse? Askush. Sepse në stinën kur të gjithë veshëm rrobat e patriotit, pavarësisht se të gjithë nuk ishim të tillë, s’kishte kush t’na e tërheqë vërejtjen për pak kujdes e ndërgjegjësim, sepse, siç do të thoshte Lasgush Poradeci: Ç’u ndërtua brez pas brezi, bje greminë më një ças”.

Për hir të së vërtetës duhet pranuar e dhëna se Republika e Kosovës, edhe përkundër ndërskamcave të shumta nga jashtë e nga brenda, ka bërë përparime të mëdha në të gjitha sferat e jetës, por, për shkak të përçarjeve, inateve, mërive, korruptimit, hajdutërisë, mentalitetit fisnor dhe mungesës së kulturës politike, e cila do t’i vetëdijësonte mjerëzit se: “Një komb i përçarë është një komb i humbur”, nuk u ngrit në nivelin e pritur nga populli dhe nga ata që kontribuan për lirinë e saj.

Për mjerim tonin, cenet e posapërmendura kanë kontribuar historikisht në tkurrjen e gjeografisë shqiptare, në degdisjen e rinisë gjithandej botës dhe në paaftësinë për të bërë shtet tamam. Të kujtojmë me këtë rast kacagjelimet e shqiptarëve pas pavarësimit të Shqipërisë në nëntor të vitit 1912, kur papritmas ia vunë kazmën haxhiqamilët, esadtoptanët, gjonmarkagjonët dhe mashat tjera 100% në unison me fqinjët tanë nëpërka.

Për epizodet e këtilla, për të cilët Rexhep Qosja do të thoshte: “Shpesh e kemi humbur kryet për pasqyra me dy faqe dhe për seli më të mëdha”, hedh dritë dhe studiuesi Aurel Plasari, në veprën “Vija e Teodosit rishfaqet – nga do t’ia mbajnë shqiptarët?”. Në të, mes tjerash shkruan: Kur Princ Vidi qe vendosur në Shqipëri dhe qe formuar Qeveria e Durrësit, shpërthyen dy lëvizje rrënuese për shtetin shqiptar: ajo e vorio-epirotëve dhe ortodoksëve  të Shqipërisë së Mesme, “e rebelëve”, sukundër u quajt asokohe, nga tjetra. Ndërsa e para synonte një gjymtim të mëtejshëm të Shqipërisë duke e riorganizuar diplomacinë evropiane në çështjen e kufijvë Greqi-Shqipëri, e dyta, duke luftuar për një “princ muhamedan” e duke kërkuar një Shqipëri ‘autonome’, të kthyer në Turqi, paraqitej më fort si një sëmundje turkomane sesa si një luftë fetare. Ndërsa grekomanët e Epirit bënin kërdinë mbi popullsinë myslimane shqiptare, duke mos kursyer as gra e fëmijë, rebelët nuk i trazonin të krishterët, shumë-shumë ata vrisnin do intelektualë ose nacionalistë myslimanë (Baki Gjebrenë, Muharem Lleshin. Ismail Klosin, Hajredin Fratarin etj), të cilët sipas tyre ishin fajtorë për prishjen me “Babën”.

Plasari përmend dhe ndikimet e mbrapshta të agjenturave të huaja në Shqipërinë e asaj kohe, që për shunëçka i ngjan Shqiptarisë së sotme… Këtë e dëshmon me shënimet e një diplomati rumun (Princit Strurdza, sekretarit të Legatës rumune në Durërs): Sot në Shqipëri çdo nismë e mirë, konstruktive, është e dënuar të dështojë. çfarë rrugësh që të ndjekësh, fqinjët e afërm dhe të largët do të ta bëjnë të pamundur për t’ia dalë në krye…

Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë, të dashurit e mi, për sa kohë që për shpirt-robin frika më e madhe është liria dhe armiku më i tmerrshëm vetvetja, për sa kohë që vërshimën e Amazonit tentojmë ta ndalim me shatiçe, për sa kohë që nuk e zbërthejmë metaforën e Ezopit mbio tre qetë dhe ujkun…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.