Prokurimi i dronëve për Armatën e RMV-së do të fillojë vitin e ardhshëm

Mbrojtja nga viti i ardhshëm do të sigurojë dronë për nevojat e ushtrisë, njoftoi dje ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska në emisionin “Click Plus”, transmeton Portalb.mk.

“Procesi tashmë ka filluar dhe gjatë vitit të ardhshëm do të fillojmë zyrtarisht prokurimin e dronëve, sepse është bërë analiza që kam paralajmëruar para disa muajsh. Shtabi i Përgjithshëm i Armatës me njësitë përkatëse e përfundoi këtë analizë e cila tregoi se ku, në cilat segmente të mbrojtjes dhe në përgjithësi për shtetin mund të përdoren dronët”, thotë Petrovska.

Gjithashtu u theksua se mbrojtja do të disponojë dy për qind të bruto prodhimit vendor, ndërsa nga ai, 33 për qind do të jetë i destinuar për modernizim dhe pajisje. Kjo po ndodh pas vitesh mosinvestimi në Ushtri.

“Vitin e kaluar informuam se kemi lidhur një marrëveshje me Francën, për prokurimin e një sistemi të mbrojtjes kundërajrore. Projekti për prokurimin e mjeteve të blinduara të lehta JLTV ka filluar dhe publiku ka pasur mundësi t’i shohë ato automjete në situata të ndryshme”, tha ministrja.

Ajo shton se dy helikopterët e dërguar për riparim pritet të kthehen vitin e ardhshëm derisa të lidhet kontrata për të rinj. Ekipi që punon në këtë proces kërkoi kohë shtesë për konsultim në lidhje me ofertat. Gjatë muajit nëntor duhet të mundësohet prezantimi i qëndrimeve përfundimtare, pas së cilës do të merret vendimi për prokurimin e tyre.

Ndryshe, dorëzimi i sistemeve të mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të ulëta nga Republika e Francës në Maqedoninë e Veriut pritet të ndodhë gjatë vitit 2025. Në fund të vitit të kaluar, në vitin 2022, është paguar kësti i parë i prokurimit të këtyre sistemeve, ndërsa pagesat tjera do të bëhen gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut u bë pjesë e NATO-s zyrtarisht më 30 mars 2020 duke ngritur tre flamuj të RMV-së në të njëjtën kohë, dy në Belgjikë dhe një në ShBA.