RMV, është blerë sistemi i ri qendror me vlerë 928.500 euro për video mbikëqyrje dhe njohje automatike të targave në pikat kufitare

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka blerë sistem të ri për video mbikëqyrje dhe leximin e targave të regjistrimit në pikat kufitare, i cili në periudhën e ardhshme do të vendoset në të gjitha pikat kufitare të vendit, transmeton Portalb.mk.

Ministri Blagoj Boçvarski sot nënshkroi Marrëveshjen për implementimin e sistemit të ri të centralizuar video, në vlerë prej 928.500 euro, sistem që do të zbatohet brenda një viti.

Zbatimi i këtij sistemi informativ është në kuadër të Projektit për promovimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor dhe për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë Doganore.

Sistemi do të instalohet në 40 lokacione, në të gjitha pikat kufitare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ai përfshin një sistem video survejimi me 350 lloje të ndryshme kamerash digjitale, një sistem për njohjen automatike të targave të regjistrimit dhe një sistem qendror të ruajtjes së të dhënave.

“Përmirësimi i transportit dhe sigurisë rrugore në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë në agjendën kryesore të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Në atë drejtim ne vazhdimisht po punojmë në masa dhe aktivitete me të cilat zhvillojmë transportin dhe ky është një nga projektet që do të ketë përfitim të përbashkët të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë doganore dhe natyrisht qytetarëve me të cilët do të përmirësohen kushtetpër punë në vendkalimet kufitare. Bashkëpunimi rajonal është prioriteti ynë dhe vazhdojmë me realizimin e projekteve të tilla që do të sjellin zhvillim rajonal”, tha ministri Boçvarski.