Tranzicioni i pushtetit në veri të Kosovës, potencial për narrativa dezinformuese

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe balotazhi i mbajtur më 9 nëntor kanë prodhuar një hartë të re politike në Kosovë. Tek partitë shqiptare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë fituar nga shtatë komuna secila, Partia Demokratike- gjashtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës- pesë. Tek komuniteti serb, Lista Serbe ka siguruar dhjetë komuna, duke e ruajtur dominimin e saj në zonat me shumicë serbe, përfshirë rikthimin në katër komunat veriore, shkruan Sbunker.

Përtej shifrave elektorale, rezultati zgjedhor ka hapur një fazë të re politike, por edhe një periudhë të ndjeshme për shpërndarjen e dezinformatave dhe narrativave propaganduese. Me rikthimin e kryetarëve serbë në komunat veriore pas bojkotit trevjeçar, tranzicioni i pushtetit rrezikon të shndërrohet në shënjestër të fushatave manipuluese që synojnë të nxisin tensione etnike dhe të minojnë besimin në institucionet lokale.

Në komunat e veriut, Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut pritet që kryetarët e rinj të Listës Serbe të marrin detyrën nga kryetarët shqiptarë që i udhëhoqën këto komuna gjatë periudhës së bojkotit, rrethanë që mund të sjellë ndryshim dinamikash.

Por ky proces, që në thelb është administrativ dhe i rregulluar me ligj, është paralajmëruar se mund të rrëshqasë në një çështje të ndjeshme politike, me potencial destabilizimi.

Kryetarë aktualë kanë folur për sinjale se mund të ketë refuzim të serbëve për të bërë pranim dorëzimin e detyrës, njëherësh refuzim të tyre për tu betuar para simboleve të Kosovës.

Po ashtu ka shqetësime për tentativa që të anulohen vendimet të cilat janë marrë nga Kuvendet komunale në tri vitet e fundit, pasi shumicën e tyre tani e përbëjnë këshilltar nga radhët e Listës Serbe. Një situatë e tillë do të mund të çojë në përplasje mes nivelit lokal dhe atij qendror, që nuk do të ishte hera e parë. Prej themelimit të saj dhe marrjes së pushtetit në vitin 2013, fillimisht si iniciativë qytetarë, Lista Serbe, kishte refuzuar ta bëjë betimin para simboleve shtetërore të Kosovës dhe t’i miratojë statutet komunale në përputhje me ligjet e Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit lokale, premtimet kryesore të Listës Serbe u përqendruan në rimarrjen e komunave me shumicë serbe nga kryetarët shqiptarë, të cilët ata i konsideronin të paligjshëm.

Premtimet kryesore dhe pikat e përgjithshme të Listës Serbe ishin të fokusuara rreth narracionit të çlirimit të komunave që, sipas tyre, janë udhëhequr nga përfaqësues jo legjitim.

Kandidatët e këtij subjekti premtuan edhe anulim të vendimeve të marra nga kryetarët e mëparshëm shqiptarë, të cilët u zgjodhën pas bojkotit të zgjedhjeve të vitit 2023 nga Lista Serbe.

Këtë e bënë tek thanë se e kanë mbështetjen e plotë të Serbisë dhe Presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar atë si garancinë e vetme për ruajtjen e vazhdimësisë së Serbisë dhe serbëve në Kosovë.

Mediat e afërta me qeverinë e Serbisë dhe portalet pro-Kremlinit siç kanë bërë deri tash, do tentojnë të promovojnë narrativën se institucionet e Kosovës po synojnë të ndalojnë kthimin e serbëve në pushtet lokal, nëse do të ketë fërkime me nivelin qendror për mënyrën e tranzicionit të pushtetit dhe vendimeve që mund të pasojnë pasi të kthehen në zyrat e tyre kryetarët e Listës Serbe.

Në qendër të këtyre pretendimeve qëndron linja e njohur propagandistike përmes së cilës  Kosova paraqitet si një shtet që diskriminon dhe shkatërron gjithçka që lidhet me serbët.

Ky tip narrativash është shfaqur në disa faza të mëparshme politike, që nga dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë në nëntor të vitit 2022, deri te tensionet për targat dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb.
Në të gjitha rastet, qëllimi ka qenë krijimi i ndjenjës së pasigurisë, legjitimimi i ndërhyrjes së Beogradit dhe minimi i autoritetit të institucioneve të Kosovës në veri.

Nga ana tjetër, në hapësirën mediatike shqiptare mund të priten narrativa të kundërta.
Vendimet e institucioneve, qofshin ato të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me nivelin qendror, përkatësisht pozitën e nënkryetarit serb në Kuvend apo të Ministrisë së Pushtetit Lokal- mund të paraqiten si dorëzim ndaj Serbisë apo si fitore e Listës Serbe.
Ky diskurs shpesh ushqehet nga aktorë politikë që e përdorin retorikën e sovranitetit për qëllime elektorale, në disa raste duke krijuar përshtypjen se vendimmarrja po diktohet nga presioni ndërkombëtar.

Ky lloj komunikimi e minon besimin e qytetarëve shqiptarë në institucionet e pavarura dhe nxit një cikël të ri mosbesimi e polarizimi brendashoqëror.

Ndërsa Kosova përballet me tranzicionin e ri paszgjedhor dhe me procesin e konsolidimit institucional, sfida më e madhe nuk është vetëm administrative apo politike, por ka të bëjë edhe me integritetin e informacionit.

Në një mjedis ku çdo vendim mund të interpretohet si “fitore” ose “tradhti”, dezinformimi bëhet mjeti më efikas për të sfiduar proceset demokratike dhe për të forcuar kontrollin e aktorëve që nuk e duan një shtet funksional dhe demokratik.

Kësisoj, transparenca, komunikimi institucional dhe informimi i saktë i publikut janë mburoja më e fuqishme kundër manipulimeve të tilla.