Kurti premtoi rritje të mbështetjes për krerët e UÇK-së në Hagë dhe rritje të shtesave për fëmijët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar se për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, do të ketë rritje të mbështetjes, raporton ATV. Këto zotime, Kurti i ka bërë gjatë mbledhjes së ekzekutivit, që është mbajtur pasditen e sotme.

Duke folur për ndarjet buxhetore, me rastin e miratimit të buxhetit për vitin 2027, Kurti ka thënë se është paraparë linjë e veçantë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

“Do të ketë rritje të mbështetjes për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, sipas kërkesës së parashtruar nga ekipet mbrojtëse. Sigurisht që për pjesën tjetër të angazhimit dhe mbështetjes, e presim edhe strategjinë nga grupi punues, i cili kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të së hënës, ka bërë të ditur se shtesat për fëmijë do të rriten gradualisht në katër faza. Kurti ka bërë të ditur se rritja e parë prej 25 për qind do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, ndërsa rritjet e tjera do të realizohen në fillim të viteve 2028, 2029 dhe 2030.

“Me fjalë të tjera, një familje që ka dy fëmijë dhe tash i merr 60 euro, nga janari do t’i marrë 75 euro. Kurse, një familje që ka katër fëmijë dhe tash merr 180 euro, nga janari do t’i marrë 225 euro. Dhe kjo rritje do të vazhdojë secilin vit deri në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda këtij mandati, ashtu sikurse që jemi zotuar para jush”, ka thënë Kurti.