Toshkovski me detaje të reja nga hetimi: Janë arrestuar tre persona për vrasjen e mjekut në Shkup

Gjithsej tre persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e mjekut në lagjen Hekurana të Shkupit, deklaroi sot ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili ishte për vizitë pune në Komunën e Bosilovës, transmeton Portalb.mk

“Sipas informacioneve të mia është ndaluar edhe një person, pra janë ndaluar gjithsej tre persona. Bastisja ka përfunduar në orët e vona, janë duke vazhduar veprimet tjera hetimore për të konstatuar si duhet gjendjen faktike, sapo të kemi informacione të reja shtesë, publiku do të njoftohet menjëherë”, tha Toshkovski.

Në paraqitjen e djeshme i ftuar në podkastin Pretres”, Toshkovski deklaroi se ka të dyshuar për vrasjen, si dhe gjurmë të caktuara materiale që të çojnë te të dyshuarit dhe ka treguar se janë ndërmarrë 20 veprime hetimore, si dhe se janë kontrolluar mbi 50 kamera, përkatësisht video incizime.

Ministri shtoi se sipas gjetjeve fillestare, motivi i vrasjes nuk ka lidhje me profesionin.

Javën e kaluar, një mjek 67-vjeçar nga lagjja Hekurana e Shkupit u gjet i vrarë me thikë në veturën e tij të parkuar.

Siç informuan nga MPB-ja, mjeku kishte një ordinancë private në poliklinikën “Hekurana”.

Trupi i tij i pajetë, siç bëhet me dije nga MPB-ja dhe Prokuroria Publike , është gjetur nga anëtarët e familjes së tij të ngushtë të cilët kanë kishin dalë ta kërkonin pasi nuk ishte kthyer nga puna në shtëpi.