RMV, në kërkim të vrasësit të mjekut, u kontrolluan 40 kamera dhe u morën në pyetje 15 persona

Janë kontrolluar mbi 40 kamera, përfshirë edhe kamerat e “Qyteti i sigurt” dhe janë zhvilluar biseda zyrtare me më shumë se 15 persona në lidhje me rastin e vrasjes së mjekut që u gjet i vdekur me plagë me thikë në parkingun e poliklinikës “Hekurana” të enjten në mbrëmje, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Punëve të Brendshme thotë se është duke u bërë përpunim shtesë kriminalistik dhe teknik i automjetit, po sigurohen listimet e numrave të telefonit dhe janë duke u bërë analizat e tyre.

“Hetimi është në një fazë të avancuar. Njësiti për krime të dhunshme i MPB Shkup në bashkëpunim me Prokurorinë Publike janë duke punuar intensivisht në zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB.

Mjeku 67-vjeçar, i cili punonte si mjek amë, u gjet javën e kaluar në automjetin e tij me plagë me thikë në trup. Sipas denoncimit në polici, kufoma është gjetur nga djemtë e tij pasi nuk u kthye nga puna.

Me 25 mars 2024, nga ora 12:00 deri në 16:00 mjekët amë ndërprenë punën në shenjë proteste, duke kërkuar dënime më të rrepta për sulmet ndaj punonjësve të shëndetësisë, ndërsa Oda e mjekëve të premten kërkoi zbardhjen e menjëhershme të rastit. Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri ka shprehur keqardhjen për vdekjen e mjekut dhe ka kërkuar nga autoritetet hetimore që të bëjnë hetimet.