Thellimi i qeverisjes autoritare në Serbi

Protestat e opozitës serbe dhe shoqërisë civile u dinamizuan ditën e shtunë duke kontestuar rezultatin e zgjedhjeve të 17 dhjetorit, ku Partia Populiste Progresive e Serbisë (SNS) fitoi mbi 46% të trupit të përgjithshëm votues. Që nga viti 2012, (SNS) ka qenë partia kryesore qeverisëse e Serbisë me një pushtet absolut. Aleanca opozitare “Serbia Kundër Dhunës”, u radhit e dyta me mbi 23%. Ajo e akuzoi (SNS) për vjedhje masive të votave. Sipas rezultateve të shpalluara, Partia Socialiste e Serbisë fitoi 6.56% të votave të përgjithshme. Pavarësisht kremtimit të fitores nga qeveria, OSBE dhe organizatat ndërkombëtare kanë raportuar parregullësi në procesin zgjedhor, presione nga qeveria dhe keqpërdorime tjera të regjistrura nga vëzhguesit evropianë.

Komuniteti ndërkombëtarë në kye me SHBA-në dhe BE-në kanë bërë thirrje që Serbia t’i adresojë kritikat e opozitës dhe të raportit të OSBE-së. Mirëpo këto vërejtje nuk kanë qenë të mjaftueshme për opozitën serbe e cila për më shumë se dy javë po proteston kundër vjedhjes së votës. SHBA-ja dhe BE-ja janë shprehur të gatshëm që të vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë e ardhshme serbe e që nënkupton me partinë aktuale në pushtet dhe me presidentin Aleksandër Vuçiq. I njëjti me vite ka krijuar shqetësime të mëdha për opozitën serbe dhe është vlerësuar si një ndër aktorët kryesorë të forcimit të qeverisjes autoritare në Serbi.

Sipas analistëve dhe organizatave ndërkombëtare të lirisë, Serbia konsiderohet “si një regjim autoritar konkurrues, me mungesë të demokracisë”.  Po sipas tyre në shtete të tilla pra dhe në Serbi ka elementë të përbashkët të demokracisë dhe autoritarizmit. “Në regjime të tilla, zgjedhjet mbahen rregullisht, por mund të ketë mashtrime zgjedhore nga partia në pushtet”. Në kuadër të zgjedhjeve të fundit, qeveria serbe ka falënderuar Rusinë për informacionet e dhëna Beogradit rreth protestave të opozitës dhe ndërhyrjes siç thonë ata të Perëndimit. Gjithashtu Moska ka akuzuar Perëndimin për komplot kundër pushtetit me tendenca të mbështetjes së një revolucioni me ngjyra.

Qeveria serbe dhe Rusia janë në një shkallë të lartë bashkëpunimi dhe këtu Beogradi ka vënë në lajthitje forcat perëndimore që mundohen me vite të paraqesin Serbinë si demokratike. Aktualisht Uashingtoni zyrtarë me ambasadorin Kristofer Hill, po bëjnë përpjekje të mbajnë të lidhur Serbinë me Perëndimin duke i anëshkaluar shkeljet e mëdha të standardeve demokratike në Serbi. Historikisht SHBA-ja dhe Serbia kanë pasur raporte të shkëlqyera, përjashto kohën e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë në vitin 1999.

Një ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore (LDB) që vazhdon të mbetet shumë pak e njohur për publikun, por e rëndësishme për marrëdhëniet e shkëlqyera serbo-amerikane, është operacioni i shpëtimit të disa qindra forcave amerikane nga gjenerali serb Drazha Mihajlloviç (1893-1946), një operacion ajror dhe tokësorë i quajtur si “Misioni Halyard”. Në vitin 1944 më shumë se 500 ushtarë amerikanë shpëtuan në sajë të një operacionit të madh në mes qeverisë amerikane dhe forcave çetnike. Kontributi serb u çmua aq shumë sa që pas LDB-së, dhe vrasjes së Drazha Mihajlloviçit,  presidenti amerikan Hary Truman (1884-1972), e dekoroi atë me medalje të artë.

Angazhimi serb vazhdon të vlerësohet edhe sot e kësaj dite nga Uashingtoni, andaj nuk është e rastit se pse reagimi amerikan i këtyre ditëve është i butë ndaj Serbisë ose pse i kanë mbyllur sytë para shumë çështjeve të hapura të Serbisë me fqinjtë. Një vështrim prapa i raporteve serbo-amerikane, tregon se të dy shtetet historikisht kanë qëndruar bashkë, dhe si duket do të vazhdojnë të forcohen marrëdhëniet në shumë fusha pavarësisht rezultatit zgjedhor dhe proceseve demokratike në Serbi. Në këtë lojë është angazhuar edhe Rusia e cila nuk heq dorë nga ndikimi në Ballkan dhe as nga Serbia. Nuk dihet se sa do të mund opozita serbe të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të fundit.

Në vitin 1996 opozita e atëhershme serbe protestonte kundër regjimit të Millosheviqit. Afro tre dekada pas, çështjet demokratike janë të njëjta në Serbi. Duhet pranuar se kemi një ndryshim të madh të pozitës gjeopolitike serbe në rajon dhe përballë qendrave ndërkombëtare e cila nuk mund të lëkundet lehtë. Sipas raportit të “Freedom House”, në vitin 2023 Serbia në nivel global është radhitur në vendin e 60-të me vlerësim si një shtet pjesërisht i lirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.