Besarta Murtezani, Jeton Pustina, Qëndrim Rijani, Ismane Mehdi për vitin 2023: Përmendin njerëz, ngjarje e institucione të suksesshme

Ky është blloku i fundit i personaliteteve që kanë përmendur njerëz dhe institucione të suksesshme në RMV. Gjithsej pyetësorit të Portalb.mk  i janë përgjigjur diku 30 artistë me profesione të ndryshme, nga qytete të ndryshme, pas pak do t’i shpallim dhe emrat dhe institucionet që janë lakuar më shpesh në mesin e të pronocuarve.

Besarta Murtezani
Besarta Murtezani

Sopranoja Besarta Murtezani përmend sukseset …

Janë një sërë aktivitetesh këtë vit Do veçoj pjesëmarrjen time në ‘’Ramë Lahaj International Opera Festival’’ dhe pjesëmarrjen time në Festivalin e Arbëreshëve në Kalabri.

Personalitete që veçon…

Lista ime është e gjatë pasi vlerësoj punën e secilit që mundohet të punoj për krenari të vendit dhe njerëz që mbeten shembull për brezat që vijnë. Do veçoj Elitën 5 për shembullin e shqiptarëve të vetëm të bashkuar për mbi 35 vjet.

Virusin për punën në ‘’ProStudio Recording’’, vendi i vetëm në RMV që ka sistem, rregull dhe atmosferë pune. Do veçoj këngëtarët, orkestrën dhe valltarët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqiptare në RMV, artistë këto që i kanë sjellë krenari vendit dhe përmes punës së tyre bota ka njohur vlerat shpirtërore dhe materiale të vendit tonë. Do veçoj Jeton Pustinën për punën që bën me artistët e rinj, për themelimin e “Ansamblit Muzikor” dhe shembullin që jep me punë vullnetare vetëm për të ngritur vlerat kulturore shqiptare ne vend e më gjerë.  Jetmir Rexhepi për origjinalitetin dhe shembullin si duhet kënduar kënga shqipe dhe si duhet ruajtur vlera e dialektit me të cilin flet. Kushtrim Bekteshi regjisori shembull për punën me shumë përkushtim, këtë vit do përmend regjinë e dokumentarit “Meteori i lirisë” kushtuar dëshmorit Sherif Junuzi, punë kjo vullnetare e regjisorit dhe me shumë shpirt.

Fatos Lumanin, kompozitorin e shumë veprave, ndër të cilat gjithmonë do veçoj operën e parë shqiptare në RMV Operën “Skënderbeu”, po ashtu veçoj edhe punën e tij që bën me festivalin “Skena e muzikës Serioze Shqiptare”.   Shkëlzen Baftijari për shembullin si nuk e demotivon asnjë stuhi e katrahurës në vend për të ushtruar me orë e për të koncertuar me shume përgjegjësi. Teuta Halimi për punën pedagogjike me fëmije e studentë, për librat e botuar për pedagogji muzikore, duke e ditur që librat që shfletojnë nxënësit shqiptarë nëpër shkolla janë për tu hedhur në dritaret e ministrave të pangopur. Nëse jemi te njerëzit e veçantë, do veçoj patjetër edhe  Vullnet Nezirin,  artistin i cili ka ardhur si bekim në një kohë e në një vend të vështirë si ky dhe  sa herë artistëve dhe institucioneve u është dashur orkestrime dhe aranzhime për paraqitje nuk ka hezituar asnjëherë. Ismet Vejselin, tenorin tonë për koncertet e shumta në vend dhe jashtë vendit  Uroj koha të tregohet e drejtë dhe të nxjerr në pah këto figura që janë shembull dhe vlera të çmuara të vendit.

Institucionet që veçon…

Do veçoj menaxhimin e Bekim Smailit me Teatrin e Tetovës për shembullin e dhëne se institucioni është i artistëve, artistëve që e shohin institucionin si shtëpi dhe i japin vlerë qytetit në çdo projekt dhe se politikanët mund të jenë vetëm spektatorë në projektet e institucionit dhe jo ‘’suflera’’ në prapaskenën e menaxhimit. Arlind Huseinin për ndryshimin drastik të kushteve për punë në  pallatit të kulturës i cili nga një vend me deponi, kushte të pa përmirësuara që nga koha e ish- Jugosllavisë ka siguruar ambient luksoz për njerëzit e kulturës që do hynë në ato ambiente.

Arritje në mjekësi…

Në mjekësi do veçoj dr. Ilir Demirin për menaxhimin me Spitalin e Tetovës. Bashkim  Ismailin për menaxhimin me Spitalin Gjinekologjik ‘’Nënë Tereza’’ në Shkup. Drejtues këto të cilët me rregullat e vëna në spitale kanë kthyer besimin dhe mbështetjen tek mantelbardhët.

Teknologji: Mentar Mahmuti është një shkencëtar i suksesshëm nga Tetova me një pasion të madh për robotikën, inteligjencën artificiale dhe grafikën kompjuterike. Ekspertiza e tij është në zhvillimin e algoritmeve inovative për planifikimin e lëvizjeve njerëzore për animacion kompjuterik. Ai gjithashtu ka kryer studimet bachelor në Jacobs University në Bremen, Gjermani, duke vënë bazat për punën e tij të shquar në fushën e aplikimit të lëvizjeve të robotëve humanoidë.

Qytet: Gjithmonë çdo punë e bukur ka nisur nga Tetova.

Grup:  Edhe një jetë do zgjidhja Elitën 5.

Urimi për fundvit …

Për fund uroj Zoti të ju bekojë me shëndet dhe koha të ju ruaj dinjitetin që në çdo periudhë të jeni shembull për krenari për brezat që vijnë.

Jeton Pustina
Jeton Pustina

Drejtori i ‘’ Ansamblit Muzikor’’ Jeton Pustina numëron sukseset

Suksesi më i madh i imi por edhe i kolegëve të mi për këtë vit sigurisht është themelimi i Ansamblit Muzikor në Tetovë, një ëndërr e madhe, kërkesë e kamotshme e artistëve dhe nevojë e kohës, por mbi të gjitha një ndër arritjet më të mëdha të kulturës shqiptare në RMV. Them i imi dhe i kolegëve të mi, sepse kemi qenë shumë këmbëngulës në këtë aspekt që ky Institucion të formohet.

Ky ansambël do të jetë shtëpi e shumë artistëve të cilët përveçse do të kenë mundësi ta shfaqin talentin e tyre, do të kenë edhe një vend pune për tu përmbushur dhe avancuar profesionalisht.

Me këtë rast dua ta falënderoj mikun tim Faton Ahmetin i cili ka qenë një ndër figurat kyçe në realizimin e kësaj dëshire të artistëve.

Gjithashtu edhe koncertet dhe udhëtimet ndërkombëtare me SHKA “Xheladin Zeqiri” në Francë, Zvicër, Turqi, Kroaci dhe Kosovë i ndjej si suksese të mëdha, sepse së bashku me anëtarët tjerë arritëm ta prezantojmë kulturën dhe traditat tona në skena shumë prestigjioze edhe atë në nivelet shumë të larta.

Njerëz që veçon…

Do i përmendi disa njerëz të kulturës që janë sinonim i suksesit dhe që na bëjnë krenarë kudo që na prezantojnë. Regjisorët Kushtrim Bekteshi dhe Qëndrim Rijani, poetja Lindita Ahmeti, aktorët Bajrush Mjaku, Refet Abazi dhe Adem Karaga, dirigjentët Agona Çupi dhe Premtim Etemi, këngëtarët Elita Ziberi, Leotrim Zejnullahu, Melisa Loki, Rozafa Etemi dhe Labinot Abduramani, pianistin Shkëlzen Baftijari, duoja historike e Ansamblit Popullor Besarta Murtezani dhe Jetmir Rexhepi, tenorët Mustafa Ymeri, Ismet Vejseli dhe Betim Shabani, korepetitori i valleve Elez Mema, drejtoresha shumë aktive Dita Starova,  profesoresha e palodhur dhe model për punë Teuta Halimi Selmani, ish drejtori i Qendrës për kulturë Arlind Huseini që nëpërmjet investimeve i dha pamje tjetër këtij institucioni duke e bërë dinjitoz dhe shtëpi ku të gjithë artistët ndjehen komfort. Dhe sigurisht në fund legjendarët e ELITA 5 për të cilët është thënë çdo gjë.

Tetova mbetet flakadane dhe prijëse e aktiviteteve kulturore dhe jo vetëm.

Institucione që përmend…

SHKA ” Xheladin Zeqiri” me pjesëmarrjen në një ndër festivalet më të mëdha  dhe më masive në Belfort të Francës, Qendrën për kulturë në Tetovë për organizimin e Festivalit ‘’Teuta’’, koncertin jubilar të 75 vjetorit të Ansamblit ” Emin Duraku”, paraqitjen fantastike të artistëve të Ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve në festivalin folklorik në Gjirokastër, AKV ” Bajram Shabani” me organizimin shumë të mirë të Festivalit Ballkanik në Kumanovë, Teatrin e Tetovës me festivalin e dramës, Teatrin e Shkupit që çdoherë sjell premiera me nivel të lartë artistik, AKV ” Ibe Palikuqi” me pjesëmarrjet shumë profesionale në festivalet ndërkombëtare, artistët Nita dhe Lek Grubi për organizimin e koncerteve të muzikës serioze në festivalin ” Skupi Kamerfest”, Galerinë e Arteve në Tetovë me organizimin e shumë ekspozitave, profesoreshën Zejna Halimi që bën një punë kolosale rreth plagës sonë të pashërueshme Rekës, duke hulumtuar rreth traditave dhe trashëgimisë së kësaj krahine si dhe ekspozita e profesor Miftar Mehmeti me portretin e Nënës Terezë në Vatikan.

Arritje në shkencë ose fushë tjetër  …

Për hulumtime dhe punë shkencore kam një konsideratë të lartë për profesorin Bashkim Ziberi, kuadër që çdo institucion i lartë arsimor do ta dëshironte, në mjekësi për drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës Ilir Demiri dhe Blerim Osmani që nëpërmjet investimeve dhe organizimit të brendshëm bëjnë një punë kolosale në institucionin që e drejtojnë dhe që është jetik për tetovarët duke e kthyer spitalin në kredibil dhe të besueshëm për qytetarët. Profesorin e pandalshëm të matematikës Satki Ismaili me organizimet dhe trajnimet e tija të panumërta duke përçuar përvojën dhe profesionalizmin e tij tek të tjerët, dekanin e fakultetit të arteve prof. Senad Abdulin që bën të pamundurën ta gjallërojë Fakultetin e Arteve me organizimin aktivitete të ndryshme me studentë dhe artistë nga jashtë si dhe ton mjeshtri Mevlan Osmani që i jep ngjyra profesionaliteti çdo aktiviteti muzikor.

Mesazhi i fundvitit …

Urimi dhe dëshira e ime kryesore për këtë fundvit është që të mbizotërojë paqja në botë dhe të ketë më pak njerëz në nevojë, të zbutet varfëria dhe mos të ketë fëmijë të uritur dhe të trishtuar nga luftërat.

 

Qëndrim Rijani
Qëndrim Rijani

Arritjet e regjisorit Qëndrim Rijani

Vit i mbarë për mua. Projekte artistike, pjesëmarrje në festivale brenda dhe jaht vendit. Plane dhe projekte ambicioze të aplikuara për vitin që vjen. Çmime në festivale. Në fund u shpërbleva nga presidenca e shtetit të RMV- së me çmimin artisti i ri më i mirë. Çmimi që jepet për më të suksesshmit në fusha të ndryshme deri në moshën 35 vjeç.

Personalitete që veçon…

Mbase do mbetesha tek mjekët. Jo për shkakun se nuk kemi në fusha tjera njerëz që kanë patur arritje, por vërtetë në këtë vend ku po jetojmë arritjet e fundit në mjekësi, janë një shpresë për mos e parë çdo ditë e më shumë ikjen si opsion. Mjeku Qemal Rushiti i cili bëri transplantin e parë të mëlçisë në vendin tonë. Mjeku Besim Zeqiri i cili po e shndërron “Qendrën e Shëndetit Publik Shkup” në një institucion relevant. Mjeku Ilir Demiri i cili po i jep jetë për një kohë të shkurt spitalit të Tetovës. Mjeku Nexhati Jakupi dhe Ilir Hasani të cilët arritën të bëjnë intervenimin e parë në kurrizin torakal në menyrë invasive me torakoskop. Mjekja Vjlollca Skenderi Neziri e cila e ka kthyer në shpresë të madhe për shërim repartin e Onkologjisë në Tetovë.

Institucione që veçon…

Këtu po qëndroj tek kultura. Teatri Shqiptar i cili u shpërblye me “Lëvdatë për merita në shtetin e RMV” nga presidenca.  Por nuk mund ta lë pa përmendur edhe Galerinë Nacionale si institucion që vërtetë ka aktivitete cilësore gjatë gjithë vitit.

Sport: Kombëtarja Shqiptare. Teknologji: Gjenialja Mira Murati. Letërsi:Nurie Emrullai.

Urimi i fundvitit…

Uroj për të gjithë vullnet për punë dhe dije. Sa më pak rini që ikën nga ky vend dhe sa më shumë njerëz të motivuar që kontribuojnë për vendin e tyre. Mbi të gjitha uroj që ata/ato të cilët kanë në dorë edhe fatet e të tjerëve, të kenë përgjegjësi maksimale për atë që po bëjnë.

Ismane Mehdi
Ismane Mehdi

Piktorja Ismane Mehdi përmend  sukseset …

Ky vit ka qenë shume i ngjeshur me aktivitete, projekte personale dhe ato internacionale, do ta kisha veçuar si një sukses “shpirtëror “ekspozitën personale jubilare në Galerinë Nacionale, Çifte Hamam”-Shkup, ‘’Dekada’’, 10 vjet art në të cilën kam shpallur para një publiku të gjerë veprat e mija artistike te cilat i kam punuar ndër vite, dukë vënë në pah punën shumë vjeçare dhe vepra te cilat i kam patur në arshivën time personale dhe që nuk kanë qenë të ekspozuara më herët dhe sigurisht vepra të reja ku njëra ndër ta ishte vepër-surprizë për publikun e cila tejkalon dimensionin katër metër gjerësi dhe dy metër lartësi. Në këtë ekspozite Jubilare ekspozova mbi 50 vepra arti. Pse e veçova si ekspozitë apo sukses te vitit, sigurisht sepse ekspozita ka qenë shumë e kërkuar nga publiku jonë, meqenëse shumicën e ekspozitave personale janë shpallur ne shtete/qytete te ndryshme jashtë kufijve. “Dekadën ”vendosa ta shpalos në Shkup e cila gjithashtu ndodhi të jetë një përmbushje shpirtërore emocionale si autore dhe një vule e madhe për te vazhduar tutje me prurje të reja artistike.

 Cilët njerëz veçon…

Sigurisht, do e veçoj lokomotivën e artit Reshat Ametin i cili çdo sukses e ka ndërkombëtar dhe puna e tij e palodhshme e bën një artist të kompletuar, dhe njeri krijues arti të cilin shumicën e kohës e gjen në atelie/punëtori ose duke vulosur një sukses të radhës si ajo në Katar me Masterclassin.

Institucione që përmend …

Duke ndjekur projektet e shumta dhe shume serioze do e veçoj “Galerinë Nacionale’’-Shkup me drejtoreshën Dita Starova-Qerimi, një zonjë dhe artiste  shembull për institucionet tjera që bart në vete çdo vit një agjendë të pasur aktivitetesh dhe me një publik të jashtëzakonshëm. Çdo aktivitet në vete sjell suksesin dhe seriozitetin e Galerisë Nacionale.

Në shkencë do kisha veçuar, Arianit Rekën, kurse në mjekësi Nexhati Jakupin dhe Ilir Hasani

Qyteti – Gostivari duke ndjekur të gjitha aktivitet nga afër qofshin ato ekspozita ,koncerte të ndryshme artistike ,teatër dhe shume aktivitete tjera në tërësi.

Mesazhi i fundvitit…

Të ndiejmë më shumë, vetëm atëherë do t’i japim kuptim ekzistencës tonë dhe artit në përgjithësi të jetë simbol i paqes dhe afrimitetit. Ju uroj një vit të mbarë juve si staf i Portalbit dhe gjithë njerëzimit!