RMV, është ulur numri i të infektuarve me kollë të madhe, javën e kaluar janë regjistruar 27 raste të reja

Gjatë javës së kaluar janë regjistruar 27 raste të reja të kollës së madhe në vend, ndërsa ajo siç thekson Instituti për Shëndet Publik në raportin e tij më të ri, është ulje për 41,3 përqind në krahasim me javën paraprake, transmeton Portalb.mk.

Pjesa më e madhe e të infektuarve janë në Shkup, ndërsa mosha e tyre varion nga një muaj deri në 54 vjeç. Numri më i madh i rasteve janë regjistruar te fëmijët prej 10 deri në 14 vjeç.

Katër nga 27 rastet e reja të regjistruara janë shtrirë në spital.

Siç theksohet në raportin e ISHP-së, deri më 25 prill janë paraqitur gjithsej 516 raste të kollës së madhe. Nga të sëmurët, janë shtrirë në spital 73 persona, ndërsa 59 prej tyre janë të moshës deri në 4 vjeç.

“Kurba e epidemisë tregon se paraqitja e rasteve të reja të kollës së madhe fillon në javën e parë të vitit 2024. Sipas të dhënave nga evidenca e paraqitjes, për periudhë shtatë ditore nga e hëna deri të dielen, vërehet rritje e vazhdueshme e numrit të rasteve në nivel javor, deri në javën e 12-të. Nga java e 12-të, ma variacione të vogla, numri i rasteve të paraqitura ulet”, shtohet në raportin e ISHP-së.

Në periudhën prej 18 janarit deri më 25 prill të këtij viti, janë aplikuar 42,857 doza të vaksinës kundër kollës së madhe.