Ivanovska: Antikorupsioni e mori kontratën me “Bechtel dhe Enka”, ekipi prej katër këshilltarësh do ta analizojë

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka marrë kontratën me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel and Enka” që e ka kërkuar si pjesë e dokumentacionit për lëndën që ka hapur në lidhje me projektin për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 -d dhe tashmë ka formuar ekip prej katër këshilltarësh për analizën e lëndës, transmeton Portalb.mk.

“Kontratën e kemi kërkuar, e kemi marrë dhe jemi duke punuar në të gjitha dokumentet, që do të thotë se analiza është në vazhdim”, tha sot kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska, në pyetjet e gazetarëve.

Ivanovska tha se nuk mund të thotë afate, por theksoi se kjo çështje peshon më së shumti dhe se po bëjnë të gjitha përpjekjet që kjo të bëhet më shpejt.

“Ne formuam ekipin. Ekipi përbëhet nga katër këshilltarë. Të gjithë janë specialistë në fushën e tyre. Për shembull, dikush në prokurimet publike më shumë, dikush në departamentin e punësimit.Kemi një studiues të shkëlqyer, ai sigurisht që është i përfshirë. Nuk mund të them ndonjë afat të rreptë sepse edhe koha jonë është pak e ndarë. Jemi të përfshirë vazhdimisht në skrininge. Ne koordinohemi edhe kur nuk jemi fizikisht të pranishëm, na lejon teknologjia. Ajo temë na rëndon më së shumti, prandaj janë bërë të gjitha përpjekjet që ajo të realizohet sa më shpejt”, tha Ivanovska, e cila mori pjesë në ligjëratën në kuadër të fushatës promovuese për luftimin e korrupsionit “Bëhuni heronj të ndershmërisë” në ShF “Kole Nedelkovski” në komunën Qendër.

Krahas Komisionit Kundër Korrupsionit, edhe Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke ndjekur informacionet e publikuara në media lidhur me ndërtimin e autostradave në korridoret 8 dhe 10-d, me qëllim për t’i kontrolluar pretendimet që po bëhen publike, në fund të marsit hapi lëndë.

“Prokuroria Themelore  Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pas informacioneve në media lidhur me ndërtimin e autostradave, për të verifikuar pretendimet që i janë paraqitur opinionit publik, ka hapur rast. Lënda i është caktuar prokurorit publik kompetent, i cili do të ndërmarrë veprime dhe do të bëjë kontrolle, pas së cilës prokurori publik do të vendos për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës”, thanë atëkohë nga PThP.

Ndërkohë sipas ambasadores amerikane në vend, Angela Ageler, procesi në të cilin “Bechtel” është përfshirë në ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d është tërësisht transparent dhe ligjor sepse kështu funksionon kjo kompani.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.