RMV, për herë të parë në shëndetin publik, operacioni në gju u krye me ndihmën e robotit

Në Klinikën Universitare të Traumatologjisë, Sëmundjeve Ortopedike, Anestezisë, Reanimacionit dhe Kujdesit Intensiv dhe Urgjencës (TOARKIQE), për herë të parë në shëndetin publik në vend, u krye me sukses operacioni në gju me asistencën e një roboti, transmeton Portalb.mk.

Operacioni, i cili, siç tha drejtori i Klinikës, dr. Aleksandar Trajanovski, ka zgjatur një orë, i është bërë një gruaje 70-vjeçare me ndihmën e një roboti të huazuar dhe është kryer nga kirurgët nga TOARKIQE dhe kirurgët nga një klinikë në Larisa, Greqi.

“Me shumë kënaqësi mund të them se po bëjmë histori në Klinikën e Sëmundjeve Ortopedike. Operacioni i parë është kryer me ndihmën e një roboti, që nuk është punë e vogël për një vend të vogël si i yni, të jetë krah për krah me të gjitha klinikat botërore dhe me të gjitha standardet evropiane dhe botërore”, tha Trajanovski.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, bëri me dije se në të ardhmen Ministria do të avokojë për prokurimin e një roboti të tillë, por se duhet pasur parasysh edhe buxhetin.

“Si ministër, dua të theksoj angazhimin tim për të afruar sa më shpejt agjendën e reformës, duke kërkuar në të njëjtën kohë mundësitë për të inicuar ndryshime që do të kenë ndikim të menjëhershëm te pacientët, familjet e tyre dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor”, tha Mexhiti.

Mjekët grekë vlerësuan se robotika është e ardhmja dhe se ky është një hap i madh për vendin tonë.