Paraburgim për një person i cili dyshohet se ka lidhje me vrasjen mafioze në afërsi të Çarshisë së Shkupit

Gjatë ditës së djeshme është arrestuar një person për veprën penale “vrasje”, por tani për tani institucionet nuk zbulojnë detaje as për rastin e as për rolin e të dyshuarit. Atij i është caktuar paraburgim prej 48 orëve, transmeton Portalb.mk.

Mediumi “360 Gradë” shkruan se arrestimi ka të bëjë me vrasjen e dyfishtë në lokalin “Shisha Bar” afër Çarshisë së Shkupit më 6 mars të këtij viti, ndërkaq nga Prokuroria thonë se nuk mund të tregojnë detaje.

“Duke e pasur parasysh se në lëndën që është caktuar paraburgim për një person ekziston mundësi serioze për komprometim të hetimit në këtë fazë, në interes të fshehtësisë së procedurës nuk kemi mundësi të ndajmë kurrfarë detajesh”, thonë nga Prokuroria.

Nga Gjykata Themelore Penale Shkup, nëpërmjet kumtesës thonë se gjykatësi e ka pranuar propozimin e Prokurorisë, pasi që personi është i dyshuar për veprën penale vrasje.

“Për shkak të interesit të më shumë mediave rreth caktimit të masave për kujdes, lidhur me ngjarjen konkrete, e informojmë opinionin se gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale Shkup më 31.05.2023, duke vepruar ndaj propozimit të PTHP Shkup, e pranoi propozimin dhe një personit i ka caktuar masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 48 orëve për shkak të ekzistimit të dyshimit se ka kryer vepër penale vrasje sipas nenit 123 të Kodit Penal”, thonë nga Gjykata.

Një sërë mediash në gjuhën maqedonase në mesin e të cilave edhe javorja “Fokus” dhe portali “Makfax”, shkruajnë se personi i arrestuar ka të bëjë me automjetin “Audi”, i cili u gjet i djegur në periferi të Shkupit, pak pasi ndodhi vrasja.

“Jozyrtarisht mësojmë se në paraburgim është blerësi i “Audisë” e cila u gjet e djegur pas vrasjes së dyfishtë. Automjeti jozyrtarisht është sjellë në Ferizaj të Kosovës nga Sllovenia. Dyshohet se vrasësit e kanë blerë nga një sallon për vetura të vjetra”, shkruan “Fokus”.

“Prej burimeve të informuara mësojmë se Prokuroria ka urdhëruar t’i merren linja papilare që të konstatohet nëse përputhen me ato të cilat janë marrë nga automjeti”, shkruan “Makfax”.

Vrasja e dyfishtë në “Shisha Bar” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit ndodhi më 6 mars, kur persona të maskuar vranë Enes Isenin dhe Jeton Krivanjevën, duke qëlluar me nga 40-50 plumba.

Shefi i Prokurorisë së Shkupit, Gavril Bubevski, tha se bëhet fjalë për betejë për pozita në tregun e drogës.