Kuvendi i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në seancën e sotme të 115-të i ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve lidhur me realizimin e Marrëveshjes “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e katër sekcioneve të autostradave në korridoret 8 dhe 10D, njofton Portalb.mk.

Me 60 vota “për” dhe 43 “kundër” u miratua Ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Marrëdhënie Pune, me 62 vota “për” dhe 43 “kundër” u miratua Ligji për Eksproprijim, me 63 vota “për” dhe 43 “kundër” u miratua Ligji për Ndërtim, me 62 vota “për” dhe 44 “kundër” u miratua Ligji për Planifikim Urbanistik, me 63 “për” Ligji për Konstatimin e Interesit Publik dhe nominimin e Partnerit Strategjik për Zbatimin e Projektit për Ndërtim Infrastrukturor Korridori 8 (sekcioni Tetovë – Gostivar – Bukoçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridori 10D (sekcioni i autostradës Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të gjitha me procedurë të shkurtuar.

Përdorimi i flamurit evropian për këto amendamente të propozuara ka qenë në qendër të debatit publik dhe thirrjeve të emrave të partive për periudhën e kaluar. Qeveria vendosi të përdorë këtë instrument për të shmangur ndonjë bllokadë dhe opozita nga ana tjetër akuzon se vendi i flamurit evropian nuk është për këto ndryshime ligjore.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në vend ishte ndër të parët që reagoi për përdorimin e flamurit evropian, duke theksuar se ndryshimet e propozuara nuk janë në drejtim të harmonizimit të legjislacionit vendas me legjislacionin e BE-së dhe standardet e Unionit, raste për të cilat ky instrument duhet të përdoret në Kuvend.

Paraprakisht u nënshkrua Aneksi i Vendimit të Komisionit Evropian për mirëkuptim të nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për hartat indikative të rrjetit të transportit trans-evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Me nënshkrimin e këtij dokumenti, Korridori 8 bëhet pjesë e hartës së korridoreve kryesore të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të zgjerimit të rrjeteve trans-evropiane të transportit të Bashkimit Evropian. Kjo vjen pasi BE-ja pranoi kërkesën e Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Italisë dhe Shqipërisë që Korridori 8 të hyjë në rrjetin e korridoreve kryesore në rajon dhe në Evropë.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.