Korridori 8 u bë pjesë e hartës së korridoreve kryesore në Ballkanin Perëndimor

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski sot ishte për vizitë pune në Mal të Zi, ku mbahet Konferenca ministrore e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e organizuar nga Sekretariati i Komunitetit të Transportit dhe CEFTA. Përmes kësaj konference u miratua përpjekja për futjen e Korridorit 8 në hartën e autostradave kryesore në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të zgjerimit të Rrjetit të transportit trans-evropian në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

 

Në kuadër të konferencës u nënshkrua Aneksi i Vendimit të Komisionit Evropian për mirëkuptim të nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për hartat indikative të rrjetit të transportit trans-evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Me nënshkrimin e këtij dokumenti, Korridori 8 bëhet pjesë e hartës së korridoreve kryesore të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të zgjerimit të rrjeteve trans-evropiane të transportit të Bashkimit Evropian. Kjo vjen pasi BE-ja pranoi kërkesën e Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Italisë dhe Shqipërisë që Korridori 8 të hyjë në rrjetin e korridoreve kryesore në rajon dhe në Evropë.

Qëllimi i zhvillimit të rrjeteve trans-evropiane të transportit është të sigurojë transport të qetë, të qëndrueshëm dhe efikas në të gjithë Unionin, duke forcuar unitetin social, ekonomik dhe territorial.

Pasi Komisioni Evropian në dhjetor 2021 propozoi një rishikim, për të përfshirë prioritetet e Agjendës së Gjelbër, strategjinë për lëvizshmëri të qëndrueshme dhe inteligjente dhe strategjinë për lidhjen, u mor vendimi për shtrirjen e hartave indikative të TEN-T në vendet fqinje, duke përfshirë rajonin e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, Serbia dhe Mali i Zi).

“Hartat indikative të rrjetit të transportit trans-evropian, të shtrira në Maqedoninë e Veriut, synojnë të sigurojnë koherencë ndërmjet rrjetit të transportit trans-evropian të BE-së dhe rrjetit të transportit të Maqedonisë së Veriut; të promovojë planifikimin dhe zhvillimin e duhur të një lidhjeje të qëndrueshme dhe efikase të transportit ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut; lehtësimin e identifikimit të prioriteteve të përbashkëta të infrastrukturës ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut; duke lehtësuar zhvillimin e rrjetit ekzistues të transportit”, njoftoi Qeveria më 10 maj, kur në seancë u miratua informacioni për aneksin e marrëveshjes.

Përfshirja e Korridorit 8 në rrjetet trans-evropiane të transportit është një nga argumentet e qeverisë për shënimin me flamur evropian të ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me ndërtimin e katër seksioneve autostradë në korridoret 8 dhe 10d, krahas pretendimit se ndryshimet do të mundësojnë ekzekutim më të shpejtë dhe më të lirë.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.