Nga Kamenica në laboratorët e Yales në SHBA, Esma Fera: Një vajzë nga një fshat i Kosovës mund të kontribuojë në qendrat elitare të dijes

Prezenca ime në laboratorët e Yale nuk është vetëm personale, ajo është dëshmi se një vajzë nga një fshat i vogël në Kosovë mund të hyjë në qendrat më elitare të dijes, jo si mysafire, por si kontribuse e barabartë. Kështu tha për Portalb.mk Esma Fera hulumtuese nga Kamenica ku sot punon në kërkime të avancuara për kancerin një nga qendrat prestigjioze në botë-Yale School of Medicine. Ajo rrëfeu rrugëtimin e saj nga bankat e shkollës në Kosovë deri te kërkimet për zbulimin e hershëm të kancerit.

Portalb.mk: Esma ju ishit e vetmja shqiptare që diplomuat në Universitetin e New Haven, në drejtimin specifik të Biologjisë Molekulare dhe Qelizore, na trego më gjerësisht rreth këtij rrugëtimi?

Esma Fera: Ky rrugëtim nisi për mua katër vite më parë, por ndikimi i tij është shumë më i thellë se kaq. Të studiosh Biologji Molekulare dhe Qelizore në SHBA ishte një hap i madh për dikë që vjen nga një fshat i vogël në komunën e Dardanës, në Kosovë-veçanërisht në një fushë ku edukimi shkencor në vendin tonë ende ka kufizime.

E them me përulësi se në fillim nuk e kisha të qartë se ku më çonte kjo rrugë. Por gjatë këtyre katër viteve, përmes studimeve, punës shkencore në laborator dhe përballjes me sfida të ndryshme, jo vetëm u formova profesionalisht, por edhe personalisht.

Të dëgjoja emrin tim në mesin e të diplomuarve në këtë program, ishte emocionuese. Por mendja më shkoi menjëherë te gjyshërit e mi dhe shumë të tjerë para meje që nuk patën mundësi të ndjekin shkollimin apo të ndjekin ëndrrat e tyre. Më bëri të reflektoj se sa me fat jemi ne, brezi i ri shqiptar, që kemi mundësi të arsimohemi, të përfaqësojmë vendin tonë me dinjitet dhe të kontribuojmë në fusha sfiduese e unike si ajo e shkencës.

Portalb.mk: Si lindi dashuria jote për biologjinë molekulare dhe kërkimin shkencor? Cili ishte momenti që të bëri të kuptosh se do të merreshe me studimin e kancerit?

Esma Fera: Interesi im për biologjinë molekulare nisi në shkollën e mesme në Kosovë, gjatë një mësimi për strukturën dhe funksionin e kodit gjenetik, që përmban informacionin bazë që udhëheq të gjitha proceset në trupin e njeriut. Aty mësova se ADN-ja, është materiali që bart udhëzimet për ndërtimin e çdo proteine në trup, dhe se ky informacion fillimisht kopjohet në një molekulë ndërmjetëse të quajtur ARN. Ky proces përfshin faza të ndërlikuara si përpunimi dhe përkthimi në proteinë. Më bëri kurioz fakti që një ndryshim i vetëm në këtë sekuencë i quajtur mutacion mund të ndikojë rëndë në funksionimin normal të qelizës dhe të çojë në sëmundje serioze. Ky informacion më tronditi në një mënyrë pozitive dhe më zgjoi një kureshtje të thellë për të kuptuar më shumë. Mësuesi im i biologjisë ishte mbështetës dhe inkurajoi gjithmonë pyetjet e mia, gjë që më ndihmoi të kuptoj se ky ishte një drejtim që doja të ndiqja.

Fokusi im për kërkimet shkencore në kancer lindi më vonë, pas përfundimit të parë të studimeve universitare, kur u njoha me mekanizmat e riparimit të ADN-së, procese që çdo ditë mbrojnë qelizat tona nga dëmtimet që ndodhin natyrshëm apo për shkak të faktorëve të jashtëm. Ajo që më mahniti ishte fakti se, në shumë raste të kancerit, këto mekanizma dështojnë ose manipulohen nga vetë qelizat tumorale për të siguruar mbijetesën e tyre.

Fotografi nga arkivi personal i Esma Ferës. Foto: Esma Fera
Fotografi nga arkivi personal i Esma Ferës. Foto: Esma Fera

Portalb.mk: Si ishte rruga nga Kamenica/Dardana në laboratorët e Yale? Sa e vështirë ishte kjo rrugë?

Esma Fera: Të largohesha nga vendi ku jam rritur, nga gjuha, njerëzit dhe realiteti që më kishte formuar, nuk ishte një zgjedhje e lehtë. Çdo hap kërkonte disiplinë, vetëformim dhe përballje me pasigurinë. Por në çdo moment, e kam ditur pse e bëj këtë: sepse shkenca ka nevojë për zëra të rinj, për perspektiva të ndryshme, për përfaqësim të vërtetë. Dhe unë vij nga një vend që shpesh është i padukshëm në këto hapësira. Prandaj, prezenca ime në laboratorët e Yale nuk është vetëm personale, ajo është dëshmi se një vajzë nga një fshat i vogël në Kosovë mund të hyjë në qendrat më elitare të dijes, jo si mysafire, por si kontribuese e barabartë.

Portalb.mk: Cili ka qenë eksperimenti juaj i parë? Çka të shtyri që ta provoje?

Esma Fera: Eksperimenti im i parë ndodhi në shtëpi, kur izolova ADN-në nga një limon duke përdorur disa materiale që më kishte dhënë mësuesi i biologjisë. Ishte një përvojë e vogël, por me ndikim të madh. Për herë të parë, informacioni nga librat mori kuptim të plotë në praktikë.

Portalb.mk: Na flisni për projektin tuaj “Analiza e rrjeteve të gjeneve të KLF4 dhe NR4A1 në apoptozën, tranzicionin mesenkimal epitelial/stemin e kancerit dhe reagimin ndaj dëmtimit të ADN-së në kancerin e vezores”?

Esma Fera: Po, ky është një nga projektet më të rëndësishme që kam punuar deri tani. Ai lidhet me një formë të rëndë të kancerit të vezoreve, që shpesh prek gratë me mutacione në një gjen të quajtur BRCA2.

Në trupin e njeriut, ADN-ja dëmtohet vazhdimisht nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, por qelizat kanë mekanizma shumë të saktë për ta riparuar atë. Një nga këto mekanizma quhet riparimi përmes rekombinimit homolog (homologous recombination), dhe është thelbësor për të parandaluar që gabimet në ADN të çojnë në kancer. BRCA2 është një gjen kritik për këtë sistem riparimi. Kur ky gjen pëson mutacion, qeliza humb aftësinë për të riparuar ADN-në siç duhet, gjë që rrit rrezikun për zhvillimin e kancerit, veçanërisht në vezore dhe gji.

Në laboratorin ku punova në Yale, ne studiuam se si qelizat e kancerit të vezoreve me mutacion në BRCA2 reagojnë kur i ekspozojmë ndaj një lloj ilaçi të quajtur PARP inhibitor (që trajtohen pacientat). Ky ilaç funksionon duke bllokuar një rrugë tjetër të riparimit të ADN-së, duke e vendosur qelizën e kancerit në një pozitë të vështirë ku nuk mund të mbijetojë. Por, ajo që zbuluam është se qelizar të tilla të kancerit të vezoreve, në vend që të vdesin, aktivizojnë gjene të tjera për të mbrojtur veten, konkretisht KLF4 dhe NR4A1.

Qëllimi i studimit tonë ishte të kuptojmë rolin e këtyre dy gjeneve në mbijetesën e qelizave të kancerit. Ne zbuluam se kur i bllokuam KLF4 dhe NR4A1, qelizat me mutacion në BRCA2 ishin shumë më të ndjeshme ndaj trajtimit dhe filluan të vdisnin më lehtë. Kjo tregon se këto gjene mund të jenë mekanizma mbrojtës që kanceri përdor për të mbijetuar edhe në kushte të vështira.

Ne analizuam gjithashtu rrjetet gjenike ku këto dy gjene janë të përfshira, veçanërisht në procese si apoptoza (vdekja qelizore e programuar), tranzicioni mesenkimal-epitelial (një proces që lidhet me përhapjen e kancerit), dhe përgjigjja ndaj dëmtimit të ADN-së. Këto janë tre shtylla themelore që përcaktojnë nëse një qelizë kanceroze do të vdesë apo do të vazhdojë të përhapet.

Që prej më shumë se tre vitesh, kam qenë e përfshirë në këtë projekt si autore kryesore, dhe kjo përvojë më ka formuar si studente dhe si shkenctare. Këto zbulime janë një hap i vogël në drejtim të identifikimit të objektivave të reja për terapi dhe shpresoj që në të ardhmen të ndihmojnë në përmirësimin e trajtimit për pacientet me kancer të vezoreve.

Portalb.mk: Cili është roli i gjenit KLF4?

Esma Fera: KLF4 është një gjen që prodhon një proteinë shumë të rëndësishme për funksionimin normal të qelizave. Ndihmon në kontrollin e ndarjes qelizore, në ruajtjen e strukturës dhe në balancën mes jetëgjatësisë dhe vdekjes së qelizës. Në qelizat e shëndetshme, KLF4 është i domosdoshëm dhe luan rol mbrojtës. Por në kancer, ky gjen mund të keqpërdoret nga vetë qelizat tumorale, siç kemi treguar ne në kancer të vezoreve. Ato e aktivizojnë për ta përdorur në funksion të mbijetesës së tyre, duke shmangur vdekjen qelizore dhe duke u bërë më rezistente ndaj trajtimit. Kjo nuk do të thotë se KLF4 ka impakt negativ, por tregon sa e ndërlikuar është biologjia e kancerit dhe sa rëndësi ka të kuptojmë kontekstin në të cilin këto gjene veprojnë.

Prezentimi i Esmës në Konferencën Shkencore në Çikago të SHBA-së.Foto: Esma Fera
Prezentimi i Esmës në Konferencën Shkencore në Çikago të SHBA-së.Foto: Esma Fera

Portalb.mk: Mund të na shpjegosh pak më shumë për ndonjë projekt tjetër?

Esma Fera: Po, aktualisht jam pjesë edhe e një projekti tjetër kërkimor në një laborator në Yale si Postgraduate Research Associate, ku po punoj në fushën e leukemisë, konkretisht në disa forma agresive të kancerit të gjakut si BALL (B-acute lymphoblastic leukemia) dhe mantle cell lymphoma. Puna ime zhvillohet në bashkëpunim me një ekip shkencëtarësh dhe mjekësh pediatër, me qëllimin për të gjetur mënyra më të sakta dhe më efektive për trajtimin e këtyre llojeve të kancerit, që prekin kryesisht fëmijët dhe të rinjtë.

Detyra ime kryesore është të përdor teknologjinë CRISPR për të bllokuar dhe çaktivizuar gjene të caktuara që janë objektiv i terapive të reja. Duke “fikur” këto gjene në qelizat e kancerit, ne shohim nëse ato janë vërtet të domosdoshme për mbijetesën e qelizës tumorale. Kjo na ndihmon të kuptojmë nëse këto gjene janë objektiva të vlefshëm për ilaçet dhe nëse vërtet ia vlen të zhvillohen terapi që i targetojnë ato.

Portalb.mk: Cilat janë sfidat më të mëdha që hasni gjatë kërkimeve për kancerin?

Esma Fera: Një nga sfidat më të mëdha gjatë kërkimeve për kancerin është të përballesh me faktin se ende dimë shumë pak për proceset e ndërlikuara që ndodhin brenda një qelize. Sa më shumë thellohemi, aq më shumë kuptojmë sa inteligjente dhe të përshtatshme janë qelizat e kancerit për të mbijetuar. Ato dinë si të shmangin sistemin imunitar, si të përshtaten ndaj trajtimeve dhe si të marrin kontrollin brenda trupit.

Një tjetër sfidë është fakti që kanceri nuk është i njëjtë për çdo individ. Dy persona me të njëjtën diagnozë mund të kenë dy forma krejtësisht të ndryshme të sëmundjes, dhe përgjigjen ndryshe ndaj trajtimeve. Kjo kompleksitet na detyron të mendojmë përtej modeleve standarde.

Pavarësisht gjithë përparimeve shkencore, mbetet ende shumë për të kuptuar. Është mahnitëse të shohësh si funksionon jeta në nivel qelizor dhe, njëkohësisht, sa e mistershme mbetet ajo. Edhe pse shumë shkencëtarë i kanë kushtuar jetën kërkimit në këtë fushë, ka ende një kuriozitet të madh dhe nevojë të thellë për të zbuluar më shumë. Kjo e bën kërkimin për kancerin jo vetëm sfidues, por edhe jashtëzakonisht domethënës.

Portalb.mk: Sa afër jemi në një zbulim të rëndësishëm për diagnostikim të hershëm të kancerit?

Esma Fera: Sa afër jemi me një zbulim të rëndësishëm për diagnostikim të hershëm të kancerit varet nga tipi specifik i sëmundjes. Për disa forma të kancerit janë zhvilluar tashmë metoda efektive për zbulim të hershëm, por për të tjerë, si kanceri i vezoreve i lidhur me mutacionin BRCA2, kjo mbetet ende një sfidë serioze.

Testet gjenetike për mutacione në BRCA1 dhe BRCA2 janë të rëndësishme sepse ndihmojnë në vlerësimin e rrezikut trashëgues dhe mund të udhëheqin vendime klinike për parandalim apo monitorim. Megjithatë, këto teste nuk mjaftojnë për të zbuluar vetë praninë apo fazën e hershme të tumorit.

Aktualisht, shumë studime po shqyrtojnë mundësinë që disa gjene të shërbejnë si biomarkerë funksionalë për diagnostikimin apo ndjekjen e trajtimit të kancerit. Edhe në punën tonë, kemi vërejtur se gjene si KLF4 dhe NR4A1 shfaqin aktivitet të shtuar në qelizat tumorale pas dëmtimit të ADN-së, çka sugjeron potencialin e tyre si biomarkerë të mundshëm. Megjithatë, kjo fushë kërkimi mbetet në zhvillim dhe kërkon më shumë validim klinik përpara se të përkthehet në praktikë mjekësore.

Portalb.mk: Si funksionon bashkëpunimi në një ekip ndërkombëtar shkencor si ai i Yale?

Esma Fera: Bashkëpunimi në një ekip ndërkombëtar si ai i Yale është një përvojë shumëformëshe. Çdo anëtar i ekipit vjen nga sfond të ndryshëm, biologë molekularë, doktor, bioinformatikanë, dhe kjo krijon një ambient ku shkëmbimi i njohurive është i vazhdueshëm. Një ide e thjeshtë nga dikush mund të hapë një drejtim të ri për projektin ose të nxisë një pyetje që çon në një eksperiment të rëndësishëm.

Kam mësuar shumë mbi mënyrën se si kërkimi bazë mund të përkthehet në qasje terapeutike dhe si një studim mund të avancojë drejt një clinical trial. Kjo kërkon bashkëpunim të ngushtë, mirëkuptim mes disiplinave dhe fleksibilitet për të përshtatur projektin në kohë reale.

Gjithashtu, kam kuptuar se dinamika ndryshon nga një laborator në tjetrin, nga një mentor në tjetrin. Por kjo larmi më ka ndihmuar të zhvilloj një qasje më të pjekur ndaj shkencës dhe ndaj punës në grup.

Fotografi nga arkivi personal i Esma Ferës gjatë diplomimit. Foto: Esma Fera
Fotografi nga arkivi personal i Esma Ferës gjatë diplomimit. Foto: Esma Fera

Portalb.mk: Publikimi juaj i parë i abstraktit të studimit tuaj u pranua në Journal of Biological Chemistry, ku prezantojnië analizën e rrjeteve të gjeneve të KLF4 dhe NR4A1 në kancerin e vezoreve me mutacione BRCA2, si u vlerësua?

Esma Fera: Publikimi i parë i abstraktit tim në Journal of Biological Chemistry ishte një moment i rëndësishëm dhe inkurajues për mua si studente kërkimore. Ishte hera e parë që puna jonë publikohej nga një komunitet shkencor ndërkombëtar dhe u prezantua në prill në Chicago, në një konferencë përballë studiuesve me përvojë shumëvjeçare në fushën e biologjisë së kancerit.

Ajo që më la më shumë mbresë ishte qasja e tyre e hapur dhe serioze, pyetjet që ngritën dhe interesi që treguan për rezultatet tona. Të ndjesh që studmin që ke bërë me përkushtim gjeneron diskutim dhe kureshtje tek ekspertët është një përvojë shumë motivuese.

Pjesa tjetër e studimit, që fokusohet në potencialin terapeutik të këtyre rrjeteve gjenike dhe ndikimin që mund të kenë në ndjeshmërinë ndaj trajtimit, është aktualisht në proces publikimi dhe pres me interes vazhdimin e këtij rrugëtimi.

Portalb.mk: Cili është mesazhi për gjithë lexuesit tanë?

Esma Ferra: Në fund, do të doja t’u thoja lexuesve: lexoni, mësoni, dhe mos ndaloni së pyeturi. Kurioziteti është themeli i dijes. Në shumë pjesë të botës, edukimi cilësor është ende një privilegj, jo një e drejtë e barabartë për të gjithë. Prandaj, nëse e keni këtë mundësi, përdoreni me përgjegjësi. Të mësoni nuk është vetëm për veten, është një kontribut për familjen, për shoqërinë dhe për vendin tuaj. Zgjidhni rrugën që ju sfidon, jo atë që është më e lehta. Sepse aty fillon rritja e vërtetë.