Pendarovski: Kërkoj besimin tuaj sepse pas meje nuk kam afera, raste korrupsioni apo tenderë të manipuluar

Nëse marr besimin tuaj dhe për pesë vitet e ardhshme do të vazhdoj të punoj me rrogë dhe jo me përqindje, do të vazhdoj t’i trajtoj të gjithë njerëzit në mënyrë të barabartë pavarësisht se cilit komb i përkasin apo për cilën parti votojnë, do të vazhdoj të bashkëpunoj dhe respektoj të rinjtë, suksesi profesional i të cilëve nuk vjen për shkak të lidhjeve partiake apo familjare, do të vazhdoj të ndihmoj të shtypurit që të kenë trajtim human dhe drejtësi në komunitetin ku jetojnë dhe do të vazhdoj të kritikoj krimin dhe korrupsionin e lartë të kujtdo në vend, përfshirë ata që më mbështetën dhe votuan për mua, transmeton Portalb.mk.

Kështu kandidati për kryetar i koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski, dje në konventën zgjedhore në Shkup kërkoi mbështetjen e qytetarëve dhe tha se pret fitore para të pranishmëve në sallën “Boris Trajkovski”.

Pendarovski në fjalimin e tij para të pranishmëve theksoi se edhe një herë po kërkon besimin e qytetarëve, sepse pas emrit të tij nuk fshihet asnjë aferë, asnjë rast i korrupsionit, provizione apo tenderë të manipuluar. Ai iu referua punës së bërë gjatë mandatit pesëvjeçar, kritikoi ashpër opozitën dhe theksoi sukseset por edhe gabimet e partisë së tij amë, LSDM-së. Ai bëri të ditur se do të kërkojë veting për gjyqtarët, prokurorët dhe politikanët siç sugjeroi opozita, por me një ndryshim që do të ishte kontrolluar që nga pavarësia e shtetit.

“Sa i përket gabimeve tona në lidhje me çështjet strategjike, ne nuk kemi pasur asnjë. Por ne kishim politika dhe vendime për personelin. Ne u ndalëm në gjysmë të rrugës në sloganin tonë “S’ka drejtësi, s’ka paqe”. Në këtë kuptim, ne nuk mund ta kthejmë kohën pas, por duhet të angazhohemi për vettingun e politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kushdo që mban qëllimisht sende në sirtarë ose nuk mund të provojë se nga kanë ardhur milionat e tyre, duhet të jetë në burg. Unë e mbështes vettingun e politikanëve të propozuar nga opozita dhe shtoj një pikë – të shqyrtohet nga vitet nëntëdhjetë e deri më sot se kush e ka shkelur embargon dhe ka marrë për vete pronat e shtetëzuara”, tha Pendarovski para të pranishmëve.

Foto: Ekipi për komunikim "President për të gjithë - Stevo Pendarovski!"
Foto: Ekipi për komunikim “President për të gjithë – Stevo Pendarovski!”

Në konventë, përveç kryetarit të Lidhjes Socialdemokrat Dimitar Kovaçevski dhe gruas së Pendarovskit, Elizabeta Gjorgievska, folën edhe aktorja e teatrit turk Nesrin Tair, shkrimtari dhe aktivisti Ramadan Ramadani dhe muzikanti Risto Vrtev, i cili e mbështeti kandidaturën e Pendarovskit për një mandat të dytë.

Kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski në konventë u bëri thirrje qytetarëve që në raundin e parë të 24 prillit ta mbështesin kandidatin për president Pendarovski dhe të tregojnë se Maqedonia dëshiron një lider që beson në vlerat evropiane dhe në një të ardhme progresive dhe siç theksoi Kovaçevski në 8 maj të fitojë Maqedonia evropiane.

Bashkëshortja e Pendarovskit, Elizabeta Gjorgievska, në konventë theksoi se përkundër pozitës përgjegjëse që ai mban, Pendarovski si person nuk ka ndryshuar sepse, siç tha Gjorgievska, presidenti i vërtetë është mbi të gjitha njeri: ai që mbron më të dobëtin, ata me më pak mundësi, të margjinalizuarit dhe shtoi se Pendarovski në pesë vitet e fundit ka qenë vertikal moral dhe zë i arsyes edhe në momentet më të vështira, duke besuar se është e rëndësishme vetëm e vërteta, pavarësisht nga vlerësimi.

Aktorja Tair theksoi se falë punës së paraprake të Pendarovskit, çmimet më të larta shtetërore iu dhanë kolegëve, aktorëve dhe regjisorëve të saj, të cilët përmes roleve të luajtura në mënyrë të përsosur lanë pas vetes pasuri të paçmueshme. Tair shtoi se mbështetja e saj për Pendarovskin bazohet në standardet që ai ka vendosur, në përkushtimin, humanizmin, shpirtin demokratik, si dhe vullnetin që të mos ndalet me modernizimin dhe avancimin e vlerave sistematike të vendit tonë.

Sipas shkrimtarit dhe veprimtarit Ramadan Ramadani, Presidenti përfaqëson Republikën dhe është simbol i unitetit të kombit. Lidhur me këtë, Ramadani tha se ka besim se shumica e qytetarëve do ta njohin presidentin e vërtetë.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa përveç kabinetit Pendarovski, garojnë edhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO – DPMNE, Bujar Osmani nga BDI, Maksim Dimitrievski nga ZNAM, Arben Taravari nga VLEN, Biljana Vankovska nga e majta dhe Stevço Jakimovski nga partia GROM.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale është caktuar për 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.