Kandidatët për president nënshkruan Kodeksin për zgjedhje fer dhe demokratike

Kandidatët për president të shtetit sot në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nënshkruan Kodeksin për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, transmeton Portalb.mk.

Kodeksin nuk e nënshkroi vetëm kandidati i GROM-it, Stevço Jakimovski.

Kandidatët deklaruan se nuk do përdorin gjuhë të urrejtjes gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa u zotuan për atmosferë pozitive.

Ndërkohë, edhe partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje nesër do të nënshkruajnë Deklaratën për zgjedhje të ndershme, të lira dhe demokratike dhe kundër gjuhës së urrejtjes.

Në fletën e votimit për zgjedhjet presidenciale këto janë radhitjet:

  1. Stevo Pendarovski – kandidat i LSDM-së.
  2. Gordana Siljanovska-Davkova – kandidate e VMRO-DPMNE-së.
  3. Stevço Jakimovski – kandidati i GROM-it.
  4. Bujar Osmani – kandidat i BDI-së.
  5. Biljana Vankovska-Cvetkovska – kandidate e së Majtës.
  6. Arben Taravari – kandidat nga VLEN.
  7. Makism Dimitrievski – kandidat nga ZNAM.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.