Zgjedhje “së shpejti”, deklaratë që Mickoski po e riciklon vazhdimisht pa përmendur datë konkrete
Kryeministri Hristijan Mickoski ka rikthyer sërish idenë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pa dhënë një datë konkrete se kur mund të mbahen ato. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se “së shpejti do të ketë zgjedhje”, por njëkohësisht theksoi se opsioni i preferuar i qeverisë mbeten zgjedhjet e rregullta në vitin 2028. I pyetur të specifikonte nëse nënkuptonte zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2027 apo të rregullta në vitin 2028, ai përsëri nuk dha përgjigje specifike, duke thënë se VMRO-DPMNE është gati për zgjedhje sa herë që opozita i kërkon ato, transmeton Portalb.mk.
“Së shpejti, nga sot, jemi tashmë në gjysmën e dytë të mandatit tonë, do të kemi zgjedhje parlamentare, prandaj le të vendosin qytetarët midis atyre që grabitën, shkatërruan dhe kapitulluan Maqedoninë ose neve që ofrojmë një koncept të ri modern që bazohet në punë të palodhur dhe një betejë pa kompromis me argumente dhe një qëndrim për interesat kombëtare”, tha Mickoski.
Ai shtoi semata duan zgjedhje të rregullta, por janë gati të dalin në “terren” edhe më herët.
“Është politikisht e mençur kur hyn në gjysmën e dytë të mandatit të jesh i përgatitur për çdo skenar. Ne kemi thënë se opsioni ynë i preferuar si qeveri janë zgjedhjet e rregullta në vitin 2028, por jemi gati nëse opozita na kërkon të dalim në terren dhe të fitojmë”, tha Mickoski.
I pyetur se kur do të ketë një rikonstruim të qeverisë, kryeministri u përgjigj se do të fillojë bisedimet me partnerët e koalicionit javën e ardhshme.
“Së pari dua të dëgjoj vizionin, të shohim nëse ky vizion përputhet dhe vetëm atëherë mund të flasim për zgjidhje personeli”, tha Mickoski.
Lidhur me kërkesat bullgare për Komisionin për Histori, Mickoski tha se kërkesat e tyre nuk janë të reja por janë kërkesa të parashtruara që nga viti 2022 dhe prandaj “edhe atëherë dhe tani jemi kundër”.
Mickoski, disa herë e ka përsëritur idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Edhe në maj të këtij viti, ai thasë shpejti do të ketë zgjedhje,për të shtuar një ditë më pas se dëshiron që zgjedhjet parlamentare të mbahen në vitin 2028, por shtoi se partia në pushtet VMRO-DPMNE është e përgatitur të fitojë edhe në zgjedhjet e vitit 2027. Mickoski tha se disa parti u frikësuan nga deklarata e tij se “së shpejti do të ketë zgjedhje”.