Javën e ardhshme do të dorëzohen propozimzgjidhjet e Kodit Zgjedhor në RMV, paralajmëroi ministri
Ministri për Drejtësi në Maqedoninë e Veriut, Igor Filkov, ka paralajmëruar që javën e ardhshme do të dorëzohen propozimet që janë artikuluar në grupin punues për reforma në Legjislacionin Zgjedhor, transmeton Portalb.mk.
“Javën e ardhshme zgjidhjet e dakorduara do të përfshihen në tekstin e Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor, i cili do t’u dorëzohet anëtarëve të Grupit të punës për njohuri shtesë dhe komente të mundshme”, njoftoi Ministria për Drejtësi.
Grupi punues për reforma në legjislacionin zgjedhor deri tani ka mbajtur tetë seanca.
Në mbledhjen e fundit janë shqyrtuar propozimet e institucioneve për reforma zgjedhore.
Ndryshe, Ministria e Drejtësisë në fillim të qershorit njoftoi se reformat zgjedhore po hyjnë në fazën përfundimtare.
Më datë 29.03.2026 përfaqësuesit e LSDM-së në grupin punues për ndryshimin e Kodit Zgjedhor nuk u paraqitën në takimin e katërt të këtij organi që udhëheq procesin e përgatitjes së ndryshimeve në kuadër të MD-së. Kështu, LSDM-ja në një farë mënyre shprehu dhe realizoi protestën sepse shumica e qeverisë votoi në Kuvend ndryshimet e Ligjit për Qeverinë teknike, me të cilat e ashtuquajtura “Qeveri e Przhinës” e prezantuar për zgjedhjet e vitit 2016 nuk do të ekzistojë më pas zgjedhjeve të ardhshme, si një lloj zgjidhjeje kalimtare për të dalë nga kriza e atëhershme politike.
Edhe pse ky veprim i LSDM-së u njoftua nga kryetari i partisë Venko Filipçe më 28.04.2026 dhe megjithëse reagimet fillestare nga përfaqësuesit e partive të tjera ishin se trupi punues duhet të vazhdojë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ende nuk është e qartë nëse ky vendim i LSDM-së është i një natyre të përhershme dhe afatgjatë. Por sidoqoftë, fakt është se grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë aktualisht funksionon dhe mund të vazhdojë të funksionojë pa përfaqësuesit e LSDM-së.
Në një kontekst të tillë, pjesëmarrja e përfaqësuesve të OJQ-ve në grupin e punës në të gjitha takimet e tyre dhe njohja me të gjitha ndryshimet e konceptuara dhe të propozuara të Kodit Zgjedhor brenda grupit punues, fiton edhe më shumë rëndësi. Sepse në këtë mënyrë sektori civil do të jetë një lloj kontrolluesi i të gjithë procesit dhe do të jetë në gjendje të marrë pjesë aktive dhe vazhdimisht me propozimet e tyre.
Përndryshe, Kodi Zgjedhor është një nga reformat e parapara që Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë deri në fund të qershorit. Kodi është një nga 10 reformat që ndodhen në të ashtuquajturën “grejs periudhë”, një afat shtesë deri në 12 muajsh, që përfundon në fund të muajit.