Taravari mbetet në qëndrimin e tij për bashkim me opozitën

Pasi publikoi vendimin e tij të shtunën që t’i bashkohet opozitës shqiptare në zgjedhje,  kreu i Aleancës për Shqiptarët sot sërish ka dalë me një qëndrim në profilin e tij në Facebook, shkruan Portalb.mk

Në këtë status, ai lë të nëkuptohet se, pavarësisht faktit që kryetari i Kuvendit Qendror, Zijadin Sela, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe disa figura të tjera të larta partiake kundërshtuan Taravarin për këtë vendim, ai nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij.

“E dija se shumë veta do ishin dakort me deklaratën time pasi unë e mora këtë vendim duke ju pasur prioritet ju dhe nevojën tuaj për Ndryshim…por prej dje dhe deri tani që shkruaj prej jush kam marrë qindra-mijëra mesazhe urimi, falenderimi, frymëzimi dhe motivimi sa reagimi juaj ka kaluar çdo pritshmëri të mundshme! Nga ato qindra-mijëra mesazhet tuaja mbështetëse jam i lumtur t’ju them se ndryshimi i madh ka filluar dhe nuk ka Asgjë që e ndalon forcën tuaj!”, ka shkruar ai në Facebook.

Kreu i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski duke komentuar zhvillimet e fundit në ASH, tha se, “ende vlen oferta e LSDM-së që të gjitha partitë politike, organizatat joqeveritare dhe të tjera, si dhe individë të cilët e ndajnë vizionin për Maqedoni evropian të na bashkangjiten në zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit”. Ai nuk komentoi përplasjet brenapartiake në ASH.

Vendimi i Tavarit për të shkuar me opozitën shqiptare në zgjedhe, nxiti përplasje brendapartiake në distancë. Menjëherë pas publikimit të vendimit të tij në Facebook, reagoi  ish-kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kryetar i Kuvendit Qendror të ASH-së, Ziadin Sela, i cili akuzoi Taravarin për tendencë të kontrabandimit të partisë dhe theksoi se,vendimi i fundit i partisë është që Aleanca për Shqiptarët garon e vetme në zgjedhje. Kundër qëndrimit të Taravarit ka dalë edhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe nënkryetrja e partisë, Ilire Dauti. Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti ka mbështetur Taravarin duke shpërndarë postimin e këtij të fundit në Facebook, pa bërë koment personal. Ndërkohë, vendimi i Taravarit është përshëndetur nga të gjithë liderët e opozitës shqiptare në RMV.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen me 24 prill (e mërkurë), ndërsa raundi i dytë do të mbahet me 8 maj (e mërkurë) së bashku me zgjedhjet parlamentare.