Gashi është i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme: “Këtë ma thotë intuita politike”
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, është i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndonëse kjo temë vazhdimisht aktualizohet nga partitë politike, madje përmenden edhe negociata ndërpartiake, transmeton Portalb.mk.
“Sipas meje, nuk duhet të ketë zgjedhje dhe jam i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Jam i bindur në emrin tim personal”, tha Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët.
I pyetur se mbi cilat fakte e bazon këtë qëndrim, Gashi tha se “kjo është intuita ime politike”.
Duke informuar për koordinimin e rregullt të sotëm me drejtuesit e grupeve parlamentare në Kuvend, Gashi tha se përfaqësuesi i së Majtës e hapi çështjen e Kodit Zgjedhor, për shkak të qëndrimeve të shprehura lidhur me zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Kuvendit tha se është mirë të diskutohet dhe se në takim ka theksuar se, nëse ka gatishmëri, grupi punues në Kuvend dhe koordinatorët duhet t’i vazhdojnë bisedimet për Kodin Zgjedhor.
Çështja nëse do të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme vazhdimisht aktualizohet në qarqet politike, ndërsa qëndrimi i kryeministrit Hristijan Mickoski është se synimi i qeverisë është ta përfundojë mandatin e marrë nga qytetarët deri në vitin 2028. Megjithatë, ai disa herë ka thënë se nëse opozita i sfidon për zgjedhje, pushteti është i gatshëm të përgjigjet dhe se do t’i fitojë ato.
Nga LSDM-ja, ndërkaq, thonë se janë të gatshëm për zgjedhje, por theksojnë se nuk do t’i shërbejnë si alibi kryeministrit për zgjedhje të parakohshme.
Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së, parti që mbështet zgjedhjet e parakohshme, tha se kanë komunikuar me VMRO-DPMNE-në dhe se pret që të ketë zgjedhje të parakohshme.
Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski më 11 shtator ka deklaruar se nëse opozita paraqet kërkesë në Kuvend, ata jemi këtu dhe do të përgjigjen pozitivisht.
Në anën tjetër, VLEN nuk i sheh zgjedhjet si prioritet, ndërsa Aleanca për Shqiptarët deklarohet e gatshme për përballje të re elektorale.
Mickoski, disa herë e ka përsëritur idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Edhe në maj dhe qershor të këtij viti, ai tha së shpejti do të ketë zgjedhje, për të shtuar një ditë më pas se dëshiron që zgjedhjet parlamentare të mbahen në vitin 2028.