Taravari: Është biseduar, por nuk kam pranuar të jem kandidat për president

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari për Portalb.mk ka deklaruar se nuk ka pranuar të jetë kandidat për president shqiptar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Ai tha se kjo është biseduar si mundësi, por që nuk e ka pranuar. Ishte kryetari i Lëvizjes Besa, Bilalll Kasami i cili dje tha se është biseduar që Taravari të jetë kandidat president, raporton Portalb.mk.

Kasami dje në RTK Prime, deklaroi se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe krye parlamentarin Glauk Konjufca që patën krerët e partive Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe Lidhja Demokratike është biseduar që Arben Taravari të jetë kandidat i përbashkët shqiptar për president në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

“Po është biseduar jo vetëm Taravari… është biseduar dhe shihet si kandidat i përshtatshëm për të qenë edhe kandidat shqiptar në këto zgjedhje”, tha Kasami.

Megjithatë, Arben Taravari për Portalb.mk tha se nuk ka pranuar një gjë të tillë.

“Është biseduar, por nuk e kam pranuar”, tha shkurt Taravari.

Rikujtojmë që mbrëmë në opinion u shpërnda dezinformatë se Arben Taravari ka qenë në selinë e VMRO-DPMNE-së në takim me kreun e kësaj partie Hristijan Mickoskin, duke u publikuar një veturë të parkuar në selinë e VMRO-së. Aleanca për Shqiptarët demantoi këto informata se vetura nuk është e Taravarit dhe se ai nuk ka pasur takim me Mickoskin.

Aleanca për Shqiptarët zyrtarisht ende nuk ka vendosur se si do të shkojë në zgjedhje, e vetme apo do të shkojë bashkë me Lidhjen Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike) apo me Bashkimin Demokratik për Integrim.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen me 24 prill (e mërkurë), ndërsa raundi i dytë do të mbahet me 8 maj (e mërkurë) së bashku me zgjedhjet parlamentare.