Kovaçevski pas thirrjes së Taravarit që ASH të shkojë me opozitën: Ende vlen oferta që të na bashkangjiten të gjithë që janë për Maqedoni evropiane

Ende vlen oferta e LSDM-së që të gjitha partitë politike, organizatat joqeveritare dhe të tjera, si dhe individë të cilët e ndajnë vizionin për Maqedoni evropian të na bashkangjiten në zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit, deklaroi sot ish kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski pas vendosjes së luleve në varrin e Goce Dellçevit në kishën “Sveti Spas” në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Vendi ka ndërtuar shoqëri demokratike në të cilën çdo parti politike dhe individë mundet lirisht t’i sjellë vendimet e veta”, tha Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se çka nëse Aleanca për Shqiptarët shkon me opozitën.

Ai konfirmoi se është takuar me liderin e ASH-së, Arben Taravari, por me Ziadin Selën , siç theksoi, nuk ka biseduar, vetëm është takuar në Kuvend.

“Është e saktë se kemi pasur takim me zotërin Taravari dhe siç kumtuan pas takimit, kemi biseduar për raportin në koalicion, në Qeverinë teknike momentalisht, por edhe për atë që është bërë vitin e fundit, sepse derisa kam udhëhequr unë Qeverinë në gjysmën e mandatit kishte ministra nga Aleanca. Kemi biseduar në lidhje me aktivitetet rrjedhëse që realizohen në Qeveri, ne jemi të dytë lidërë të partive politike të cilat kanë ministra të tyre në Qeverinë teknike. Sa i përket dinamikës në Aleancë, nuk do të komentoja sepse bëhet fjalë për subjekt tjetër politik dhe ato janë organet e tyre partiake, funksionarët e tyre janë ata të cilët duhet t’i japin përgjigjet dhe të dalin me qëndrim”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se, vendi i partive politike është në koalicione me të cilat ndajnë vlerat e njëjta.

“Maqedonia ka ndërtuar shoqëri demokratike të lartë në të cilën çdo parti politike por edhe çdo individë mundet lirisht t’i sjellë vendimet e veta. Vlerësoj se, vendi i partive politike fillimisht është në koalicionet të cilat ndajnë vlera të njëjta. Ende vlen oferta e LSDM-së që të gjitha partitë politike, organizatat joqeveritare dhe të tjera, si dhe individë të cilët e ndajnë vizionin për Maqedoni evropian të na bashkangjiten në zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit”, tha kryetari i LSDM-së.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare ka përplasur organet e larta të ASH-së, për shkak të vendimit që duhet të marrë kjo parti se cilit koalicion parazgjedhor do t’i bashkangjitet. Pas qëndrimit të shprehur të kreut të partisë, Arben Taravari se ka vendosur të shkojë në zgjedhjet parlamentare me opozitën shqiptare dhe për këtë kërkoi mbështetjen e partisë, ish-kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kryetar i Kuvendit Qendror të ASH-së, Ziadin Sela, doli me reagim, ku akuzoi Taravarin për tendencë të kontrabandimit të partisë dhe theksoi se,vendimi i fundit i partisë është që Aleanca për Shqiptarët garon e vetme në zgjedhje.

Kundër qëndrimit të Taravarit ka dalë edhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe nënkryetrja e partisë, Ilire Dauti. Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti ka mbështetur Taravarin duke shpërndarë postimin e këtij të fundit në Facebook, pa bërë koment personal. Ndërkohë, vendimi i Taravarit është përshëndetur nga të gjithë liderët e opozitës shqiptare në RMV.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen me 24 prill (e mërkurë), ndërsa raundi i dytë do të mbahet me 8 maj (e mërkurë) së bashku me zgjedhjet parlamentare