Donald Trump dhe Gianni Infantino u fishkëllyen para se presidenti amerikan të ndërpriste festën e Spanjës

Donald Trump dhe Gianni Infantino u fishkëllyen teksa dolën në fushë për ceremoninë e ndarjes së trofeut, ndërsa presidenti amerikan më pas u përpoq të qëndronte pranë futbollistëve të Spanjës gjatë festës së tyre, raportoi The Guardian.

Trump mbërriti në stadium me helikopterin presidencial Marine One, i cili fluturoi mbi stadium rreth 45 minuta para fillimit të ndeshjes. Ai e ndoqi finalen nga lozha VIP së bashku me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. Në tribunë ishin gjithashtu mbreti i Spanjës Felipe VI, kryeministri i Kanadasë Mark Carney dhe presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum.

Presidenti amerikan u shfaq shkurtimisht në ekranet gjigante të stadiumit pas intonimit të himnit amerikan. Në atë moment u dëgjuan disa fishkëllima nga publiku, por jo aq të forta sa në ngjarje të tjera sportive gjatë presidencës së tij.

Megjithatë, kur Trump dhe Infantino dolën në fushë për ceremoninë e ndarjes së trofeut pas fitores së Spanjës, fishkëllimat u dëgjuan në të gjithë stadiumin. Sipas Shtëpisë së Bardhë, niveli i zhurmës në stadium u rrit nga rreth 78 decibelë në 84 decibelë në momentin kur Trump hyri në fushë.

Pasi ia dorëzoi trofeun e Kupës së Botës përfaqësueses së Spanjës, Trump tentoi të qëndronte pranë ekipit në podium gjatë festimeve, derisa Gianni Infantino e largoi në mënyrë diskrete.

Ky ishte një përsëritje e një skene të ngjashme nga finalja e Kupës së Botës për Klube verën e kaluar, në të njëjtin stadium, kur Trump ia dorëzoi trofeun Chelseat dhe u përpoq të qëndronte në podium gjatë festimeve të ekipit, duke i habitur futbollistët.

Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka marrë pjesë në disa ngjarje të mëdha sportive, përfshirë Super Bowl, US Open në tenis, Daytona 500, Ryder Cup në golf, si dhe në finalet e NBA-së, ku gjithashtu u prit me fishkëllima nga tifozët vendas të New York Knicks.

Prania e Trump në këtë ndeshje ishte hera e parë që ai ndoqi nga afër një ndeshje të Kupës së Botës, të organizuar këtë verë nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika.

Trump është presidenti i parë në detyrë i SHBA-së që merr pjesë në një finale të Kupës së Botës të zhvilluar në territorin amerikan. Kur SHBA organizoi Botërorin në vitin 1994, presidenti i atëhershëm Bill Clinton nuk ishte i pranishëm në finale dhe trofeun e dorëzoi zëvendëspresidenti Al Gore.

Sipas raportit, Trump gëzon marrëdhënie të afërta me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.