Presidentja e Indisë për vizitë në Maqedoni, në Shkup do të vendoset busti i Mahatma Gandhit

Nga sot deri të enjten (23 korrik), presidentja e Republikës së Indisë, Dripadi Murmu, do të jetë në një vizitë zyrtare në vend, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.

Për këtë arsye, Njësia për Sigurinë në Trafikun Rrugor e Sektorit të Punëve të Brendshme (SPB) Shkup do të vendosë regjim të veçantë trafiku në zonën më të gjerë qendrore të Shkupit.

Të gjithë pjesëmarrësve në trafik u kërkohet të respektojnë urdhrat dhe udhëzimet e dhëna nga zyrtarët e policisë.

Ndryshe, paraprakisht, Qyteti i Shkupit njoftoi se, bust i Mahatma Gandhit, një aktivist paqeje, udhëheqës dhe lider shpirtëror, i cili konsiderohet babai i kombit në Indi, do të vendoset në Shkup, si një donacion nga Ambasada e Indisë. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgievski ditë më par informoi se ishte takuar me një delegacion nga Ambasada e Republikës së Indisë, të udhëhequr nga Ambasadori Fuqiplotë i Indisë në Maqedoni, Arun Kumar Sahu.

“Diskutuam rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së Nënë Terezës dhe Mahatma Gandhit, dy personalitete të jashtëzakonshme dhe simbole universale të paqes, humanizmit, tolerancës dhe dinjitetit njerëzor. Nënë Tereza, e lindur në Shkup në vitin 1910 dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen, ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës së saj misionare ndihmës së më të prekshmëve në Indi, ndërsa Mahatma Gandhi, i cili konsiderohet babai i kombit, mbetet një nga avokatët më të mëdhenj të paqes dhe jo-dhunës në historinë botërore”, tha Gjorgievski.

Ai shtoi se Ambasadori Sahu njoftoi dhurimin e një busti të Mahatma Gandhit për Qytetin e Shkupit, i cili do të vendoset në një hapësirë ​​publike si një simbol i qëndrueshëm i miqësisë midis Maqedonisë dhe Indisë. Sipas Gjorgievskit, kjo iniciativë do të forcojë më tej marrëdhëniet dhe do të kontribuojë në promovimin e paqes, dialogut dhe respektit të ndërsjellë.