Takim mes Pendarovskit dhe ambasadores Ageler: Kanë këmbyer informata për hapat vijuese të procesit eurointegrues

Hapat vijuese në procesin eurointegruese të RMV-së dhe gjendja në rajon në kontekst të agresionit rus në Ukrainë kanë qenë temë diskutimi, në takimin e sotëm mes presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Angela Ageler, njofton Portalb.mk.

Sipas kumtesës së Presidencës së RMV-së, në takim është theksuar se marrëdhëniet bilaterale zhvillohen me dinamikë të shkëlqyeshme, në pajtueshmëri me miqësinë amerikano-maqdonase, në frymën e partneritetit strategjik dhe aleancës në NATO.

“Presidenti dhe ambasadorja kanë këmbyer mendime dhe informata për zhvillimin e procesit eurointegrues dhe për hapat vijues të cilat duhet të ndërmerren në atë drejtim, por edhe për gjendjet në rajonin më të gjerë në kontekst të agresionit rus ndaj Ukrainës. Presidenti Pendarovski ka theksuar se shteti ynë kontribuon me rëndësi të veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve me SHBA-në, shprehu bindjen se mbështetja amerikane do të vazhdojë edhe në periudhën vijuese, si garantues për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në kumtesën e Presidencës.

Gjatë ditës së djeshme, Anxhela Ageler, në emisionin “Vesti plus” në TV Kanal 5, duke folur për ndryshimet kushtetuese të cilat janë kusht për vazhdimin e rrugës eurointegruese të RMV-së, tha se shpreson shumë që deputetët, liderët dhe anëtarët e të gjithë partive politike sërish do ta njohin këtë moment kyç për këtë vend dhe do të sjellin vendime të cilat janë për të mirën e qytetarëve, e jo në interes të aspiratave të tyre politike ose personale. Siç tha ajo, RMV mundet dhe do të ketë dobi të madhe nga anëtarësimi në BE dhe anëtarësimi në bashkësinë e gjerë transatlantike.

“Ky është qëllim shtetëror i këtij vendi dhe pothuajse 80 përqind e qytetarëve në këtë vend dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së. Rruga përpara është shumë e qartë dhe sërish shpresoj se liderët dhe funksionarët e përzgjedhur, të cilët janë zgjedhur me qëllim që ta bëjnë punën e duhur për të mirën e qytetarëve të saj, t’i bëjnë këto përzgjedhje të vështira tani dhe ta lëvizin vendin përpara drejt stabilitetit,prosperitetit dhe mundësive më të mëdha”, tha Ageler.

Ambasadorja amerikane për deklaratat e disa politikanëve se sërish mund të negociohet për Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, përkujtoi se Bashkimi Evropian ishte i qartë për atë se çfarë kërkon nga Shkupi që të lëvizin përpara drejt integrimit dhe të bëhet pjesë e barabartë e bashkësisë Veriatlantike.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.