Ageler: Topi është në terrenin tuaj, vendimi është i qytetarëve dhe liderëve që të vendosin për ta vazhduar rrugën drejt BE-së

Shpresoj shumë që deputetët, liderët dhe anëtarët e të gjithë partive politike sërish do ta njohin këtë moment kyç për këtë vend dhe do të sjellin vendime të cilat janë për të mirën e qytetarëve, e jo në interes të aspiratave të tyre politike ose personale. Ky vend mundet dhe do të ketë dobi të madhe nga anëtarësimi në BE dhe anëtarësimi në bashkësinë e gjërë transatlantike. Kjo është përgjigja nga ambasadorja e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Anxhela Ageler, e cila ishte mysafire në “Vesti plus” në Kanal 5, në pyetjen lidhur me paralajmërimet nga opozita se nuk do të votojë për ndryshimet kushtetuese, njofton Portalb.

“Ky është qëllim shtetëror i këtij vendi dhe pothuajse 80 përqind e qytetarëve në këtë vend dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së. Rruga përpara është shumë e qartë dhe sërish shpresoj se liderët dhe funksionarët e përzgjedhur, të cilët janë zgjedhur me qëllim që ta bëjnë punën e duhur për të mirën e qytetarëve të saj, t’i bëjnë këto përzgjedhje të vështira tani dhe ta lëvizin vendin përpara drejt stabilitetit,prosperitetit dhe mundësive më të mëdha”, tha Ageler.

Shërish shpresoj, potencoi ajo, se qytetarët do të kërkojnë nga deputetët dhe nga liderët e partive politike që ta bëjnë atë që është e duhur që ky vend të vazhdojë drejt BE-së, sepse ky është qëllim strategjik i qytetarëve dhe ka qenë që nga pavarësimi dhe shpresoj se ata sërish, liderët e përzgjedhur nga qytetarët dhe të marrin forcë të vazhdojnë përpara duke i miratuar ndryshimet.

“Edhe shpresa ime sërish është se do të shikojmë drejt ardhmërisë, e jo në të kaluarën. Edhe pa ankesa, të fokusohemi në atë që duhet të bëhet. Siç themi ne në SHBA me gjithë respektin lidhur me kontekstin politik dhe historik, topi është në terrenin tuaj. Vendimi është i qytetarëve dhe liderëve të këtij vendi të vendosin ta vazhdojnë rrugën drejt BE-së. Dhe është shumë e rëndësishme se mënyra e vetme që të evitohen presionet nga çfarëdo lloj qendre evropiane ose udhëheqësit e tyre, është inkuadrimi në BE. Këto janë pritjet e mia për këtë vend”, porositi ambasadorja Ageler.

Për mënyrën për zgjidhje të kontestit me Bullgarinë, gjegjësisht pranimin e të ashtuquajturit Propozimi francez, ambasadorja thotë se pas bisedimeve me politikanët të cilët kanë qenë pjesë e negociatave, kjo ka qenë puna më e mira për vendin. Shtoi se beson që historianë do të rikthehen në këtë moment në të ardhmen si në një moment shumë kritik për vendin dhe do të shohin ndaj liderëve të partive të ndryshme edhe se si ata janë sjellur, se nëse e kanë arsyetuar përzgjedhjen e tyre ose do t’i urrejnë.

Lidhur me perspektivën e marrëdhënieve me Bullgarinë, ambasadorja Ageler theksoi se është e rëndësishme të kuptohet se edhe të dy kryeministrat, kryeministri i ri dhe kryeministri paraprak, kanë shfaqur qëllime se dëshirojnë ta shohin këtë vend si pjesë të BE-së.

Ambasadorja amerikane për deklaratat e disa politikanëve se sërish mund të negociohet për Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, përkujtoi se Bashkimi Evropian ishte kritalisht i qartë për atë se çfarë kërkon nga Shkupi që të lëvizin përpara drejt integrimit dhe të bëhet pjesë e barabartë e bashkësisë Veriatlantike.

Sipas saj, korrupsioni vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet vendi. Duke u përgjigjur në pyetjen se nëse shikon dëshirë tek autoritetet që të luftojnë seriozisht me krimin dhe korrupsionin, ajo theksoi se “është e dëshpëruar”.

“Kjo është përgjegjësi e gjyqësisë dhe çdo qeveri dhe të jemi të sinqertë ndaj qytetarëve, korrupsioni nuk ndodh vetvetiu. Nuk mundem që unë të jem e korruptuar. Kjo është prodhim i vendimeve të individëve, të qytetarëve dhe personave zyrtarë. Sinqerisht shpresoj në ndryshim të vërtetë”, potencoi Ageler.

shtoi se procesi eurointegrues t’i adresojë pikërisht këto çështje dhe se kjo do të jetë ndihmë e madhe.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.