Studentët e aktrimit sonte në Tetovë prezantojnë “Imitime dhe Monologje nga Anton Çehov”

Sonte (12 qershor) në skenën e Artit Dramatik në Tetovë, me fillim nga ora 18:00, studentët e aktrimit: Andi Shaqiri, Fatmir Palloshi dhe Xheladin Rufati do ta prezantojnë temën e punimit semestral në lëndën e aktrimit të titulluar “Imitime dhe Monologje nga veprat e Anton Çehovit”, shkruan Portalb.mk.

Studenti Fatmir Palloshi për Portalb.mk tha se ky prezantim është një moment i rëndësishëm për ata, sepse përmbledhin punën që e kanë kaluar gjatë semestrit.

“Sonte, së bashku me kolegët e mi, do të prezantojmë punimin semestral në lëndën e aktrimit. Është një fazë shumë e rëndësishme e rrugëtimit tonë si student të aktrimit. Ky prezantim është një moment i rëndësishëm për ne, sepse përmbledhim gjithë punën dhe përvojën që kemi kaluar gjatë semestrit”, tha Palloshi.

Ai edhe më tej shtoi se tematika e punimit është e ndarë në disa pjesë, kjo pjesë është një sfidë më vete, sepse kërkon të futesh në botën e personazhit dhe të ndjesh e mendosh si ai.

“Tematika e punimit është e ndarë në disa pjesë. Fillimisht kemi punuar me imitimet private, ku kemi zgjedhur persona nga jeta jonë e përditshme, ndoshta dikë që e takojmë çdo ditë, dhe kemi tentuar t’i kapim mënyrat e tyre të të ecurit, të të folurit, mënyrën si reagojnë emocionalisht. Pastaj kemi kaluar në imitimet publike, ku personazhet janë më të ekspozuar dhe kërkojnë një lloj tjetër transformimi. Dhe së fundmi, kemi punuar me monologje nga veprat e Anton Çehovit, që kërkojnë një qasje shumë më të thellë emocionale dhe një ndërtim të plotë psikologjik të karakterit. Kjo pjesë është një sfidë më vete, sepse kërkon të futesh në botën e personazhit dhe të ndjesh e mendosh si ai”, tha Palloshi.

Palloshi edhe më tej deklaroi se pjesa më sfiduese ka qenë puna me monologjet e Çehovit.

“Pa dyshim që pjesa më sfiduese ka qenë puna me monologjet e Çehovit. Së bashku me kolegët e mi, Andi Shaqiri dhe Xheladin Rufati, është dashur të hyjmë thellë në psikologjinë e personazheve dhe të ndërtojmë një jetë të plotë për ta. Nuk mjaftonte vetëm të mësoje tekstin, duhej të filloje të mendosh si ai personazh, të kuptosh botën e tij, motivet, dhimbjet, ëndrrat. Ishte një proces kërkues dhe intensiv. Por përparësia më e madhe ka qenë se kemi pasur pranë një profesor si Kushtrim Bekteshi, që na ka udhëzuar në çdo hap dhe na ka ndihmuar shumë gjatë gjithë procesit. Ka qenë pranë nesh në çdo fazë, duke na sfiduar, por edhe duke na motivuar, me një përkushtim të rrallë që na ka frymëzuar të gjithë. Gjithashtu, një rol shumë të rëndësishëm e ka pasur edhe asistentja jonë, Arta Zejneli, ka qenë çdoherë afër nesh për çfarëdo ndihme që na është dashur. Kjo mbështetje na ka dhënë shumë siguri”, tha Palloshi.

Udhëheqës të klasës janë profesori Kushtrim Bekteshi dhe asistentja Arta Zejneli.