Narrativa anti-NATO rishfaqen në përvjetorë historikë dhe në prag të Samitit të Hagës

Çdo vit, në përvjetorin e përfundimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë më 1999, në hapësirën mediatike dhe politike serbe rikthehet narrativa e njohur – ajo e “agresionit të padrejtë” nga NATO-ja dhe Perëndimi, në përpjekje për ta promovuar viktimizimin e përhershëm të Serbisë, shkruan Sbunker.

Kjo qasje u promovua në 26-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike Ushtarake në Kumanovë, sipas së cilës bombardimet e Aleancës veri-atlantike u ndërprenë, ndërkaq forcat policore, ushtarake dhe të tjera të Serbisë u larguan nga Kosova, në vend të së cilave hynë trupat e NATO-s dhe u vendos administrata e UNMIK-ut, sipas rezolutës 1244. Raportimet e disa mediave serbe përveçse tentojnë të mbajnë gjallë ndjesinë e viktimës kolektive, gjithashtu përdoren për të penguar përpjekjet për afrimin e rajonit me NATO-n dhe strukturat euroatlantike.

Narrativa anti-NATO këtë vit u rikthye me intensitet të shtuar, duke u përdorur si mjet politik edhe në prag të Samitit të NATO-s që do të mbahet më 24-26 qershor në Hagë, i vlerësuar si moment i rëndësishëm për koordinimin e mbrojtjes dhe unitetit të Perëndimit përballë rreziqeve të sigurisë.

Artikulli i gazetës “Politika” me titullin: “Dita kur agresioni kundër vendit tonë përfundoi”, thekson se “bombardimet ishin agresion mbi një vend sovran dhe të pavarur”, duke mohuar legjitimitetin ndërkombëtar të ndërhyrjes së vitit 1999 dhe duke shmangur plotësisht kontekstin e krimeve të ish-regjimit të Slobodan Milosheviqit në Kosovë. Si folës në artikull paraqitet ish-gjenerali Vladimir Lazareviq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte të kryera kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-99.

Po në “Politika”, në një tjetër artikull me titullin: “Sot është përvjetori i Marrëveshjes së Kumanovës”, dokumenti që ndali bombardimet dhe i hapi rrugë vendosjes së KFOR-it në Kosovë – po ashtu ngjarja paraqitet si një kapitull që i dha fund gjoja agresionit mbi Serbinë.

Në të njëjtën vijë është edhe raportimi i “RTV.rs” me artikullin: “Përvjetori i Marrëveshjes së Kumanovës”, ku NATO nuk paraqitet si ndërhyrës për të ndalur një katastrofë humanitare.

“I përballur me kërcënime brutale të një agresioni edhe më shkatërrues të NATO-s, Slobodan Millosheviqi pranoi një propozim paqeje, një dokument me 10 pika, më 3 qershor 1999”, shkruan në artikullin e televizionit publik serb.

Ndërkohë, “Telegraf.rs dhe “Blic”, në artikullin me titull: “Sot është përvjetori i Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund agresionit të NATO-s në vitin 1999”, fokusohen në rreziqet që do t’u kanoseshin serbëve në Kosovë pas largimit të prezencës ushtarake të Beogradit.

Rikthimi i narrativave historike është pjesë e një strategjie më të gjerë të dezinformimit që synon të pengojë afrimin e vendeve të Ballkanit me NATO-n, të dobësojë unitetin transatlantik dhe të nxisë ndjenja mosbesimi ndaj Perëndimit.

Rrjeti i organizatave të Ballkanit Perëndimor kundër Dezinformimit, pjesë e të cilit është Sbunker-i, ka paralajmëruar për fushata të shtuara dezinformuese në këtë periudhë, të cilat synojnë të diskreditojnë NATO-n dhe aleatët perëndimorë.

Në prag të Samitit të NATO-s në Hagë, ka një rritje të përmbajtjeve të manipuluara që synojnë të delegjitimojnë NATO-n, sidomos në shtetet ku ndikimi rus është i pranishëm përmes akterëve lokalë politikë dhe medialë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor përjeton polarizim të lartë në mbështetjen për Aleancën, duke filluar nga një mbështetje shumë e fortë në Shqipëri dhe duke përfunduar me një mbështetje të ulët në Serbi. Kjo u mundëson aktorëve anti-NATO të përshtatin mesazhet në kontekstin lokal dhe t’i përshtatin ato me rrethanat historike”, shkruan në artikullin e antidisinfo.net.

Vendet anëtare të NATO-s nga rajoni, si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, pritet të jenë në shënjestër të narrativave që do të përqendrohen në barrën financiare të rritjes së buxhetit të mbrojtjes, ndërsa Serbia dhe entiteti i Republikës Srpska brenda Bosnjë-Hercegovinës “do të përmbyten me ankesa historike që e portretizojnë Aleancën si një forcë destabilizuese”. 

Kësisoj, rikthimi sistematik i narrativave anti-NATO është një instrument i fuqishëm i akterëve keqdashës që synojnë të ndikojnë te perceptimi i opinionit publik mbi Aleancën veri-atlantike.