Stojanoski: Ndryshimet e propozuara në Ligjin për lëndët minerale nuk paraqesin kërcënim për mjedisin jetësor
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, deklaroi se ndryshimet e propozuara në Ligjin për lëndët minerale nuk përbëjnë çrregullim dhe as ulje të mbrojtjes së mjedisit jetësor, por janë ndryshime të kufizuara dhe të përcaktuara qartë, të orientuara drejt ndërmarrjeve publike dhe burimeve me interes publik, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, ndryshimet kanë të bëjnë ekskluzivisht me subjekte mbi të cilat shteti ka kontroll të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, si dhe me minerale energjetike dhe burime të tjera me rëndësi strategjike.
Stojanoski theksoi se me këto ndryshime vendoset kontroll shtesë nga ana e Qeverisë, e cila do të japë pëlqim paraprak gjatë dhënies së koncesioneve për hulumtime të detajuara gjeologjike për disa lëndë minerale me interes publik.
Ai nënvizoi gjithashtu se në procedurën për marrjen e lejes për shfrytëzim do të mund të përdoret vendimi për fillimin e procedurës së eksproprijimit, por vetëm për projekte me interes publik.
“Nuk shfuqizohen marrëdhëniet pronësore-juridike, por mundësohet harmonizim më efikas i procedurave për projekte strategjike shtetërore”, theksoi Stojanoski.
Sipas tij, ndryshimet synojnë të largojnë pengesat administrative dhe të mundësojnë realizim më të shpejtë të projekteve, veçanërisht në sektorin energjetik, pa ulur standardet.
Ai theksoi se mbeten në fuqi të gjitha detyrimet për studimet e ndikimit në mjedisin jetësor, kontrollet inspektuese, si dhe rregullat për menaxhimin e mbetjeve dhe ujërave.
Ndryshimet ligjore për koncesionet dhe eksploatimin e lëndëve të para minerale të propozuara nga shumica në pushtet shkaktuan një ortek reagimesh dhe një pakënaqësi të fuqishme tek partitë opozitare. Partia “E Majta” njoftoi dorëzimin e 1.000 amendamenteve në Kuvend, me të cilat, siç thonë nga atje, do të tentojnë ta parandalojnë miratimin e “projektligjeve të dëmshme të VMDO-DPMNE-së”, me të cilat pretendojnë se në vend të interesit publik ata i mbrojnë interesat e lobit të minierave dhe energjetikës.
- LEXO: Stuhia rreth ndryshimeve ligjore për eksploatimin e mineraleve në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Qyteti i Gjelbër Human: Gërmimi i antimonit nuk do të thotë zhvillim, por ndotje dhe një rrezik që po zgjat me dekada
- LEXO: Kuzeska: Donatorët e VMRO-DPMNE-së qëndrojnë pas minierës së antimonit në Kriva Pallankë