“Shkupi hap dritare drejt botëve të reja”: Panairi i Librit mbushi sallat me fëmijë, lexues dhe me mbi 65 botues
Nën moton “Hap një dritare drejt botëve të reja”, sot vazhdon dita e tretë e Panairit të Librit në Shkup. Mbi 65 shtëpi botuese nga vendi dhe rajoni po marrin pjesë me oferta të pasura, tituj të rinj, promovime dhe aktivitete për të gjitha moshat. Panairi edhe këtë vit po tërheq vëmendjen e lexuesve, nxënësve, studentëve dhe dashamirëve të librit, të cilët po shfrytëzojnë mundësinë për t’u njohur me botime të reja dhe për të blerë libra me çmime të volitshme, shkruan Portalb.mk.
Edona Ferati nga shtëpia botuese “Albas”, për Portalb.mk tha se interesimi i vizitorëve është i mirë, por se ende duhet të punohet më shumë në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e leximit dhe krijimin e shprehisë së të lexuarit.
“Panairi ka nisur shumë mirë dhe interesi është jashtëzakonisht i madh. Jemi shumë të kënaqur që që në ditën e parë kemi pasur vizitorë të shumtë nga shkollat publike, jo vetëm nga Shkupi, por edhe nga Tetova, Ohri, Struga dhe Prespa. Fëmijët janë shumë të kënaqur dhe entuziastë për organizimin e panairit. Ata po i mirëpresin me shumë interes lektyrat dhe botimet tona për fëmijë, të cilat trajtojnë ngjarje dhe tema të ndryshme edukative e argëtuese. Ndër titujt më të kërkuar deri tani janë “Abetarja me zë”, “Bota rreth nesh”, si dhe shumë tituj të tjerë për fëmijë, të rinj dhe të rritur. Për ne si shtëpi botuese është kënaqësi e veçantë të shohim kaq shumë fëmijë të interesuar për librin. Kjo na motivon edhe më shumë që të vazhdojmë të sjellim botime cilësore, të dashura dhe të dobishme për lexuesit tanë”, deklaroi Edona Ferati nga shtëpia botuese “Albas”.

Ideal Selmani, student i drejtësisë dhe vizitor i Panairit të Librit, për Portalb.mk u shpreh i kënaqur me titujt dhe ofertat që sjell ky panair. Ai theksoi se ngjarje të tilla janë mundësi e mirë për të blerë libra, për t’u njohur me autorë të rinj dhe për të nxitur dashurinë ndaj leximit.
“Si student i drejtësisë, më tërheqin veçanërisht titujt që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë. Megjithatë, në këtë panair më kanë pëlqyer edhe shumë libra të tjerë. Pyetja është: a kemi mjaftueshëm kohë sot për t’i lexuar të gjithë?
Më interesoi biografia e Barack Obamës, libri ‘Kuzhina e Perandorisë Osmane’, si dhe shumë tituj të tjerë që do t’i shohim gjatë ditëve në vazhdim. I ftoj qytetarët që ta vizitojnë panairin dhe të shohin nga afër ofertën e librave, sepse libri është një mënyrë për të ngritur vetëdijen tonë si shoqëri. Këtu nuk do të veçoja vetëm shqiptarët, por të gjithë njerëzit, sepse leximi është në dobi të mbarë njerëzimit.
Me zhvillimin e teknologjisë, fatkeqësisht është zbehur pak shija dhe ndjenja e librit të botuar. Prandaj panaire të tilla janë të rëndësishme, sepse na rikthejnë te libri, te leximi dhe te ajo ndjesi e veçantë që të jep kontakti i drejtpërdrejtë me librin”, deklaroi Selmani.

Xhejlan Ismaili vizitore e panairit për Portalb.mk tha se oferta e titujve nga ky panair është mjaft e pasur dhe e larmishme. Ka një numër të madh librash për të gjitha moshat dhe shijet
“Si vizitore e Panairit të Librit, mund të them se oferta e titujve është mjaft e pasur dhe e larmishme. Ka një numër të madh librash për të gjitha moshat dhe shijet, nga letërsia artistike deri te botimet edukative dhe profesionale. Megjithatë, gjithmonë ka hapësirë për më shumë tituj të rinj, sidomos përkthime cilësore dhe autorë bashkëkohorë që i afrohen më shumë interesave të lexuesve të sotëm. Në përgjithësi, panairi ofron një përvojë të mirë për çdo dashamirës të librit dhe mbetet një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar botë të reja përmes leximit”, tha Ismaili.

Panairi i Librit do të jetë i hapur për vizitorët deri më 29 prill, duke u dhënë mundësi qytetarëve që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore dhe të përfitojnë nga oferta e pasur e librave dhe aktivitetet e shumta.