Qyteti i Gjelbër Human: Gërmimi i antimonit nuk do të thotë zhvillim, por ndotje dhe një rrezik që po zgjat me dekada

Nisma qytetare “Qyteti i Gjelbër Human” paralajmëroi për rreziqet serioze të hapjes së minierave të reja në vend, duke theksuar se projekte të tilla sjellin ndotje afatgjatë të tokës dhe ujit, si dhe pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve. Përmes shembujve konkret nga rajoni dhe gjendjes në Maqedoninë e Veriut, nisma qytetare u bën thirrje institucioneve dhe publikut të mos lejojnë “bomba ekologjike” të reja dhe të përqendrohen tek zgjidhjet e qëndrueshme, transmeton Portalb.mk.

Na aty thonë se në maj të vitit 2014 gjatë përmbytjeve të mëdha në Serbi shpërtheu diga e mbetjeve të minierës së antimonit (Sb) “Stolice”. U lirua një sasi e madhe e mbetjeve toksike, rreth 100.000 m3, dhe u përmbytën dhjetëra hektarë tokë. Ndotje kishte në rreth 27 km të shtratit të lumit Kostajniçka dhe Korenita.

“Studimet në Serbi kanë treguar ndotje masive të tokës dhe ujit me arsen, antimon, plumb, zink dhe kadmium. Është shumë shqetësuese që mbetjet e minierës Stolice kanë qenë të mbyllura (joaktive) dhe janë konsideruar “të qëndrueshme”, dërsa mbetjet në minierën e vjetër të antimonit Krstov Doll në Maqedoni nuk konsiderohen të sigurta, përkundrazi, edhe pas 50 vitesh joaktivitet ato e ndotin intensivisht tokën dhe ujin në afërsi të Kriva Pallankës”, thonë nga Qyteti i Gjelbër Human.

Ata shtojnë se kur nxirret antimoni ai së bashku me metale të tjera të rënda përfundon në lumenj dhe ujëra nëntokësore. Mbetjet acidike të minierave mund të ndotin për vite me radhë – edhe kur miniera të jetë e mbyllur, siç është rasti në vendin tonë. Antimoni shtresohet në tokë nga ku depërton në bimët dhe në fund përfundon në ushqimin që ne e hamë.

“Në një postim të mëparshëm ne i përshkruam sëmundjet e shumta nga të cilat mund të vuajnë njerëzit nga miniera e pambrojtur e antimonit në Maqedoni. Maqedonia është një vend i vogël dhe nuk mund të përballojë deponi të reja mbeturinash ose deponi të mbeturinave toksike, siç janë numri i madh i bombave të kurdisura: minierat e braktisura dhe deponitë e mbeturinave toksike në Jugohrom, Ohis etj”, thonë nga Qyteti i Gjelbër Human.

Siç thonë, Miniera Krstov Doll ndodhet 2 km në vijë ajrore nga fshati Llukë dhe 14 km në vijë ajrore nga Kriva Pallanka. Fshati Llukë nuk ka ambullantë, ndërsa qendra më e afërt shëndetësore në Kriva Pallankë është rreth 30 kilometra larg, gjë që është një vështirësi shtesë për banorët atje, të cilët janë më të rrezikuar nga miniera.

Ata theksojnë se gërmimi i antimonit nuk do të thotë zhvillim, por ndotje dhe rrezik që zgjat me dekada, vetëm e vetëm që disa individë të pasurohen në kurriz të shëndetit të qytetarëve të Maqedonis, dhe se në vendin tonë është bërë praktikë që dikush të hapë një minierë ose një industri ndotëse, të shfrytëzojë sa më shumë që të jetë e mundur me standarde minimale për fitim më të madh dhe në fund të shpallë falimentim dhe ta lërë minierën/deponinë të pambrojtur që ajo ta shkatërrojë mjedisin jetësor dhe shëndetin e njerëzve për dekada të tëra.

“Të mos lejojmë që fitimet afatshkurtra të autoriteteve ta shkatërrojë ujin, tokën dhe shëndetin tonë dhe të brezave të ardhshëm. Në Maqedoni çdo vit nga kanceri vdesin rreth 4.000 njerëz! Të investojmë në zgjidhje që nuk e shkatërrojnë mjedisin jetësor- sepse një shoqëri që e helmon natyrën e saj, e helmon edhe të ardhmen e saj. U bëjmë thirrje banorëve të Kriva Pallankës të organizohen dhe t’i bashkohen luftës kundër minierave të vdekjes, së bashku me banorët e Strumicës, Gjevgjelisë dhe Prilepit, të cilët me vite të tëra e kanë mbrojtur me sukses natyrën nga kthetrat e kriminelëve dhe eksploatorëve”, thanë nga Qyteti i Gjelbër Human.

Kujtojmë se dej, zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, në një konferencë për media publikoi dokumente, që sipas saj, tregojnë se hapja e minierës së antimonit në fshatin Luke të Kriva Pallankës është një tjetër plan biznesi i VMRODPMNE-së, i cili po zbatohet përmes kompanive të donatorëve të partisë dhe nën maskën e një projekti me interes shtetëror në kuadër të dialogut strategjik me ShBA-t

Qëllimi për të hapur një minierë antimoni në zonën e Kriva Pallankës, u njoftua pak para sesionit të dytë të Dialogut Strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, i cili u mbajt së fundmi në Uashington.

Në një deklaratë të përbashkët pas dialogut, të dy vendet mirëpritën vendimin e Korporatës Ndërkombëtare të Financave për Zhvillim të SHBA-së për të ofruar 5 milionë dollarë ndihmë për të rinisur minierat e antimonit në Maqedoninë e Veriut. Marrëveshja u nënshkrua nga Connor Coleman, Drejtor i Investimeve të DFC-së, dhe Nick Jovanovski, Drejtor Ekzekutiv i Pella Global Limited. Në nënshkrimin e marrëveshjes në Uashington morën pjesë Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Timço Mucunski dhe Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska.