Stuhia rreth ndryshimeve ligjore për eksploatimin e mineraleve në Maqedoninë e Veriut

Ndryshimet ligjore për koncesionet dhe eksploatimin e lëndëve të para minerale të propozuara nga shumica në pushtet shkaktuan një ortek reagimesh dhe një pakënaqësi të fuqishme tek partitë opozitare. Partia “E Majta” njoftoi dorëzimin e 1.000 amendamenteve në Kuvend, me të cilat, siç thonë nga atje, do të tentojnë ta parandalojnë miratimin e “projektligjeve të dëmshme të VMDO-DPMNE-së”, me të cilat pretendojnë se në vend të interesit publik ata i mbrojnë interesat e lobit të minierave dhe energjetikës, shkruan Dojçe Vele (DW).

Partia “E Majta” me 1.000 amendamente njofton filibastering në Kuvend

Koordinatori i grupit parlamentar të partisë “E Majta”, Borisllav Kërmov, njoftoi se deputetët do i qasen filibasteringut (e drejta për debat të pakufizuar mbi një çështje konkrete) të Komisionit të Ekonomisë, me qëllim që ta zgjasin procedurën dhe ta njoftojnë publikun për pasojat e projektligjeve për koncesionet, partneritetin publik-privat dhe eksploatimin e mineraleve.

Sipas Kërmov, me ndryshimet e propozuara ligjore hapet mundësi që kompani private në mënyrë të pavarur të mund të iniciojnë partneritete publike-private dhe pastaj përmes mekanizmave formalë t’i fitojnë tenderët. Ai vlerësoi se modeli i këtillë paraqet një legalizim të ujdive të dakorduara paraprakisht.

Kontradiktat rreth ekspropriimit dhe zbatimit retroaktiv

Siç theksoi ai, veçanërisht kontestuese janë ndryshimet në Ligjin për Lëndët e Para Minerale,  me të cilat koncesionerëve u mundësohet që të marrin leje për ekploatim edhe pa i zgjidhur plotësisht marrëdhëniet juridike – pronësore. Me një iniciativë të thjeshtë për ekspropriim ata mund të futen dhe të eksploatojnë edhe në pronë private.

“Në praktikë kjo do të thotë se qytetarët mund të zgjohen dhe të hasin në eksploatim në oborrin e tyre mbi bazë të një cope të thjeshtë letre. Përveç kësaj ajo që është problematikë është se këto vendime do të vlejnë edhe në mënyrë retroaktive”, tha Kërmov.

Ai shtoi se ndryshimet e këtilla janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me projektin e konsorciumit „Bechtel dhe Enka” marrëveshje të cilën VMRO-DPMNЕ-ja e ka kritikuar ashpër gjatë kohës që ishte në opozitë, ndërsa tani, siç thotë ai, e “shpërblen ne zgjidhje ligjore skandaloze”. Kërmov vlerëson se projektligjet e propozuara i  prishin vlerat themelore kushtetuese – qeverisjen e të drejtës dhe mbrojtjen e pronës dhe njoftoi shfrytëzim të të gjitha mekanizmave ligjorë, përfshirë këtu edhe një iniciativë para Gjykatës Kushtetuese.

Rreziqet ekonomike dhe ekologjike të projektligjeve

Sipas partisë “E Majta” nga koncesionet për mineralet Maqedonia mbledh vetëm 10 deri në 15 milionë euro në vit, ndërsa kompanitë e huaja realizojnë fitime prej mbi 200 milionë euro.

“Situatën që e kemi me koncesionet e mermerit është një shembull i qartë i një modeli sistemik që punon në dëm të shtetit dhe qytetarëve. Fakti që për katër vjet nga 29 koncesionerë janë arkëtuar vetëm 1,7 milionë euro, një shumë kjo që është simbolike në raport me të ardhurat reale të gjeneruara nga eksploatimi, tregon se shteti praktikisht po heq dorë nga pasuria e tij natyrore për përfitim minimal ose për aspak fitim”, theksojnë nga kjo parti.

Në të njëjtën kohë, deputetja e LSDM – së, Jovana Trençevska, u bëri thirrje deputetëve nga rajoni juglindor ta kundërshtojnë projektligjin për lëndët e para minerale dhe paralajmëroi se ai po miratohet me procedurë të shkurtuar, pa debat dhe konsultime publike.

Reagime të ashpra kishte edhe nga Rimëkëmbja Demokratike e Maqedonisë (DOM), nga ku vlerësojnë se ndryshimet në Ligjin për lëndët e para minerale dhe koncesionet e dobësojnë interesin publik, mbrojtjen ekologjike dhe kontrollin mbi burimet natyrore. Kjo parti kërkon transparencë të plotë, debat publik dhe harmonizim me standardet më të larta evropiane ekologjike, duke theksuar se burimet natyrore janë një trashëgimi e përbashkët, e jo një gjë që mund të shitet shpejt.

Burimi: