KE: Nuk ka përparim në cilësinë e ajrit, burimi Rashçe mbetet i rrezikuar, industria i ndot drejtpërdrejt lumenjtë

Nuk ka asgjë të re, e as pozitive, lidhur me cilësinë e ajrit gjatë vitit të kaluar, konstaton raporti më i fundit i Komisionit Evropian për përparimin e vendit drejt BE-së. Në analizën e Kapitullit 27 thuhet se administrata edhe më tej mbetet e pakualifikuar për punën që bën, kapacitetet janë të dobëta, ndërsa nuk ka përparim as në harmonizimin me legjislacionin evropian, transmeton Portalb.mk.

Raporti i KE-së konstaton lëvizje të lehtë sa i përket menaxhimit rajonal të mbeturinave, por edhe se deponitë e vjetra e ilegale ekzistojnë ende, digjen dhe ndotin, ndërsa institucionet bashkëpunojnë shumë dobët për të bërë ndonjë përparim për tejkalimin e këtyre gjendjeve. Theksohet pastrimi i Ohis-it, por edhe mosndërmarrja e kurrfarë veprimeve për sanimin e vatrave të tjera historike të ndotjes, mes të cilave edhe Jugohromi, gjë që paraqet kërcënim për burimin e ujit të pastër Rashçe.

Për vite me radhë pritet edhe miratimi i ligjit për ujërat, ndërsa në ndërkohë 55 përqind e kapaciteteve industriale shkarkojnë ujëra të ndotura pa trajtim paraprak, nga të cilat 46 përqind i shkarkojnë drejtpërdrejt në lumenj. Nuk është vendosur as model i qëndrueshëm financimi i bazuar në parimin “ndotësi paguan“ dhe “mbulimi i plotë i shpenzimeve“, thuhet në raportin e KE-së.

Nuk është miratuar as Ligji për Natyrën, ndërsa Liqeni i Ohrit, Këneta e Studençishtës dhe Kanjoni i Matkës, si dhe Parku Kombëtar “Mavrova“ nuk janë rishpallur dhe vazhdojnë të jenë terren për shkatërrimin e biodiversitetit.

As Ligji për Klimën nuk është miratuar, ndërsa përparimi në fushatën e ndryshimeve klimatike është i kufizuar. Për këtë arsye Komisioni rekomandon që vendi t’i përshpejtojë përpjekjet për harmonizimin me kornizën ligjore të BE-së dhe t’i përforcojë kapacitetet e veta administrative.

Sa i përket legjislacionit horizontal gjatë periudhës raportuese nuk është arritur asnjë përparim. Administrata edhe më tej nuk ka kapacitet dhe kuadër të kualifikuar, nuk janë prezantuar reforma për përmirësimin e implementimit dhe zbatimit të legjislacionit për mjedisin jetësor, ndërsa harmonizimi me legjislacionin për vlerësimin e ndikimit ndaj mjedisit jetësor (VNMJ) dhe vlerësimin strategjik të mjedisit jetësor (VSM) mbetet i dobët, me koordinim dhe planifikim strategjik të pamjaftueshëm për investime në infrastrukturën e mjedisit jetësor dhe pa program solid për projekte apo përmirësime në procedurat për VNMJ.

Nuk ka përparim as në harmonizimin me direktivat e BE-së për përgjegjësinë në mjedisin jetësor dhe krimin ekologjik dhe për të dhënat hapësinore me monitorim ekologjik që nuk i plotëson standardet e BE-së.

Sa i përket cilësisë së ajrit KE konstaton se nuk ka ndryshime ligjore për të cilat duhet të njoftohet. Sistemi për menaxhimin e cilësisë së ajrit përballet me disa kufizime strukturore, përfshirë këtu dizajnin e dobët të monitorimit, mbulimin e paplotë të ndotësve, monitorimin e pamjaftueshëm në sfond, integrimin e kufizuar të të dhënave për cilësinë e ajrit në planifikimin dhe dhënien e lejeve, si dhe dobësitë institucionale.

Infrastruktura laboratorike ekziston, por përpunimi i mostrave është i kufizuar dhe i parregullt, kryesisht për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar dhe kufizimeve për rekrutim. Rrjeti ka aftësi të kufizuar për mbështetje të detyrimeve të reja sipas Direktivës për cilësinë e ajrit ambiental dhe ajër më të pastër për Evropën. Vendi ka sistem pjesërisht funksional për mbledhjen e të dhënave, ndërsa përdorimi i të dhënave në marrjen e vendimeve mbetet i kufizuar.

“Lëshimi i lejeve dhe zhvillimi urban duhet të harmonizohen me menaxhimin e cilësisë së ajrit të BE-së“, rekomandon raporti.

Në fushën e menaxhimit të mbeturinave është arritur përparim i caktuar në vendosjen e sistemit të integruar rajonal për menaxhimin e mbeturinave në mbarë vendin, por deponitë joadekuate duhet të mbyllen dhe të sanohen, sepse zjarret e shpeshta shkaktojnë ndotje të rëndë. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe marrja e vendimeve mbeten të dobëta, gjë që rezulton me vonesa të investimeve në infrastrukturë dhe funksionimin efikas të sistemeve të ardhshme rajonale për menaxhimin e mbeturinave. Ndërmarrjet publike komunale kërkojnë reforma urgjente për shkak të dobësisë operative aktuale, ndërsa shkalla e riciklimit është e ulët.

 “Aktivitetet për sanimin lidhur me pastrimin e Industrisë Kimike Organike (OHIS), ish-fabrikë për kimikalie organike, po përparojnë me financim shtesë nga Qeveria, por vendet e tjera historike të ndotjes mbeten të pazgjidhura, përfshirë këtu edhe kontaminimin që kërcënon burimin kryesor të ujit të pijshëm në Shkup“, konstaton raporti.

Sa i përket cilësisë së ujërave Ligji kornizë për Ujërat, qëllimi i të cilit është të sigurojë harmonizim të mëtejshëm me Direktivën kornizë për ujërat, Direktivën për përmbytjet dhe Direktivën për ujërat nëntokësore, nuk është miratuar ende. Shkarkimi i ujërave të ndotura industriale ndikon ndjeshëm në cilësinë e ujit, 55 % e kapaciteteve industriale shkarkojnë ujëra të ndotura pa trajtim paraprak, ndërsa 46 % i shkarkojnë ato drejtpërdrejt në lumenj.

Sa i përket mbrojtjes së natyrës Ligji për Mbrojtjen e Natyrës nuk është miratuar ende. Procesi i shpalljes së zonave kyçe të mbrojtura, përfshirë këtu Liqenin e Ohrit, Kënetën e Studençishtës dhe Kanjonin e Matkës, si dhe rishpallja e Parkut Kombëtar “Mavrova“ nuk ka përfunduar ende, gjë që çon deri në degradimin e vazhdueshëm të biodiversitetit. Edhe zbatimi i rekomandimeve të UNESCO-s për rajonin e Ohrit po përballet me sfida të mëdha.

Në Raport thuhet se është arritur përparim i kufizuar edhe në fushën e ndryshimeve klimatike dhe rekomandon që vendi t’i përpejtojë përpjekjet për harmonizimin me kornizën ligjore të BE-së në fushën e klimës dhe t’i përforcojë ndjeshëm kapacitetet e veta administrative.

Ligji për Klimën, i cili është në përputhje me qëllimin e BE-së për neutralitet klimatik deri në vitin 2050, nuk është miratuar ende, gjë që ndikon në miratimin e akteve nënligjore të nevojshme për harmonizimin dhe zbatimin e rregullave të BE-së që kanë të bëjnë me monitorimin, raportimin, verifikimin dhe akreditimin (MRVA). Këto rregulla janë të nevojshme për vendosjen e çmimit të karbonit dhe për harmonizimin e plotë me Sistemin e BE-së për tregtimin e emetimeve (ETS). Gjithashtu po vonon edhe dorëzimi i Kontributit të ri dhe ambicioz të Përcaktuar Kombëtar që është në përputhje me përpjekjet për kufizimin e ngrohjes globale në 1,5°C.

Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.